LAJME

Arbëria gati në kollaps, bizneset po mbyllen e banorët kanë filluar të nxehen me shishe me ujë

Sot, të gjitha mediat kanë raportuar për reduktime 2 orëshe. Por e vërteta duket të jetë shumë më e hidhur. Në lagjen Arbëria, gjatë ditës së sotme reduktimet kanë qenë pothuajse 3 ose 4 orë në favor të territ e jo të dritës.

Deri në ora 10:00 të mëngjesit nuk ka pasur rrymë. Në ora 10:00 ka ardhur deri në ora 11:00. Më pastaj është ndalur dhe deri në ora 14:00 nuk ka pasur rrymë. Përsëri është ndalur në ora 17:00 deri në ora 18:30.

Një pronar i kafiterisë nga lagja Arbëria ka dërguar një video dhe ka shprehur mllefin e tij për situatën e krijuar. Ai ka treguar se po bëhen disa ditë që edhe kur po ka rrymë nuk po mund t’i ndezin pajisjet dhe maqinat për të shërbyer kafe e pije të nxehta. Ai në kushte anonimiteti ka treguar se po detyrohen tani e disa ditë ta mbyllin lokalin dhe të shkojnë në shtëpi.

Kjo gjendje nuk është vetëm në një kafiteri por në shumë biznese në këtë lagje. Një qytetar tjetër i ka treguar Gjilani SOT se tani e disa ditë nuk po mund të nxehen për arsye se rryma është e dobët dhe po e pamundëson ndezjen e sistemit të ngrohjes. Ai ka dërguar një foto ku shihet duke i mbushur shishet me ujë të nxehtë dhe duke u ngrohur.

Gjatë ditës së sotme, Gjilani SOT ka raportuar se banorët e lagjes janë duke e shqyrtuar mundësinë e protestës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close