LAJME

Qemajl Mustafa 2013: VV e Gjilanit përdhunon pa argumente me të vetmin qëllim – ardhjen e jashtëligjshme në pushtet

Ish Kryetari i Komunës së Gjilanit z. Qemajl Mustafa, gjatë ditës së sotme ka dalur publikisht në mbështetje të Kandidatit të VV-së për Kryetar z. Alban Hyseni. Por, pikërisht në vitin 2013, ish kryetari i Gjilanit z. Qemajl Mustafa kishte akuzuar rëndë Lëvizjen Vetëvendosje. Ai kishte thënë se “kjo lëvizje plason të pavërteta, diskrediton dhe baltosë e përdhunon pa argumente, me të vetmin qëllim – ardhjen e jashtëligjshme në pushtet”.

Poashtu, shumë aktivistë të PDK-së kanë kërkuar qe qëndrimi zyrtar i degës të mbetet neutral.

Pikërisht, atëkohë kishte nisur një konflikt verbal ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje e cila protestonte kundër z. Qemajl Mustafa.

Në një letër shumë të gjatë, me të cilën i drejtohej qytetarëve të komunës së Gjilanit, Mustafa pohonte se “nuk dëgjuam nga lëvizja VV diçka të mençme e bindëse si alternativë e përshpejtimit të zhvillimit të demokracisë e të zhvillimit tonë ekonomik e shpirtëror”.

Pas kësaj, kishte reaguar ashpër z. Ismajl Kurteshi dhe e kishte fyer në disa momente z. Qemajl Mustafa.

Më poshtë mundë të lexoni reagimin e Kurteshit drejtuar Mustafës pak para nisjes së protestës në Gjilan:

Ti z. Mustafa, duke mos pas përgjigje për shkeljet tuaja publike, shpëtim ke kërkuar në personalizimin dhe privatizimin e debatit dhe vlerësimin e familjeve dhe subjekteve politike që është karakteristik e të papërgjegjshmëve si ti. Ky debat nuk është as personal dhe as privat. Por është debat dhe akuzë publike për keqpërdorimin e pasurisë publike, për keqpërdorimin e detyrës zyrtare nga ti personalisht, si bartës i funksionit publik, për qëllime dhe interesa private. Prandaj as unë dhe as Lëvizja Vetëvendosje nuk jemi as të gatshëm dhe as të interesuar që ta personalizojmë, privatizojmë e banalizojmë ashtu si përpiqesh ti.

Nivelin tuaj të mjerë, si njeri dhe si zyrtar, z. Mustafa, më së miri e ilustron fakti që ti e quan të ligjshëm punësimin pa konkurs të bashkëshortes tuaj të pa kualifikuar! Kjo është çështja publike të cilën ne nuk duam as ta personalizojmë dhe as ta privatizojmë.

Se kjo shkelje e rënd ligjore e morale nuk është e rastit por është mënyrë e qeverisjes tuaj, këtë e dëshmojnë edhe një varg shkeljesh të ngjashme. Punësimi pa konkurs dhe kritere i kunatës në shkollën në Lagjen e VIII; punësimi i motrës në Konvikt; punësimin e vllahut në zyren për riatdhesim; punësimi i dhëndrit në shkollën e Mireshit; . Dhe këto janë vetëm disa nga shkeljet e shumta konkrete. Këto dhe të bëmat tjera të pa ligjshme kanë bërë që qytetarët e Gjilanit të kualifikojnë si politikanin më të keq.

Tani të gjithë e kanë të qartë, se për realizimin e qëllimeve tua të ulëta je gati me shkel mbi çdo gjë. Gjatë këtyre viteve si kryetar ke dëshmuar këtë. Një shkelës si ti, kudo në botë ku funksionon shteti ligjor, do të ishte kaherë prapa grilave. Kurse ti, s’paku gjer me tani, ke arrit të evitosh një gjë të tillë, duke qen vetëm nën hetime dhe me ndonjë dënim simbolik në të holla.

Ti, z. Mustafa, përveç shkeljeve në fushën e punësimit, po e keqpërdorë çdo ditë buxhetin e komunës. Ja vetëm dy shembuj: – Në fund të vitit 2010, nuk janë kthyer në thesar 31.283 euro, të mbetura në llogari të paautorizuar;

-Më 26. 11. 2010 në bazë të vendimit të Kryetarit të Komunës nr. 2030/10, të datës 24. 11. 2010 nga llogaria e Teatrit janë tërhequr 35.100 euro dhe janë bartur në llogaritë e tri kompanive private, në emër të kthimit të huas që ka marrë Komuna. Mirëpo, Auditorit të përgjithshëm nuk i është ofruar dëshmi se Komuna ka huazuar më parë para nga këto tri kompani private. (Konstatim i Auditorit të Përgjithshëm).

Po e keqpërdorni madje edhe pronën e paluajtshme të Komunës duke përfshi këtu edhe ndërmarrjet publike. Por, nga këto përgjegjësi kaq serioze nuk mund të liroheni duke shpifur për subjekte politike, familje ose individ të caktuar.

Duke i ikur ballafaqimit me shkeljet që po i bën në vazhdimësi, shpëtimin e ke kërkuar këtë herë te kontestimi i Lëvizjes Vetëvendosje dhe familjes Kurteshi. Insinuatat për subjektin e tret politik nga një gënjeshtar me dokument nuk vetëm sa ja rrisin vlerën Lëvizjes Vetëvendosje. Duke e kontestuar familjen Kurteshi, historia e së cilës është e njohur mirë në Anamoravë e më gjerë, të cilën nuk mund ta ndërrojnë letrat tua që i shkruan sipas rastit, herë me lëvdata deri në superlativ, herë me sajesa e gënjeshtra të pa skrupullta, megjithatë nuk lirohesh nga shkeljet ligjore.

Familja Kurteshi, ka investuar shumë në shkollimin e bijve dhe bijave të saj por edhe të tjerëve. Të shkolluar kjo familje ka dhënë nga shekulli XIX. Sa për informim të publikut, kjo familje ka nxjerrë ndër mësuesit dhe mësueset e para në regjion, si dhe një varg profesionistësh të profileve të ndryshme intelektuale, të edukuar dhe arsimuar me kualitete dhe kualifikim superior, në Kosovë dhe në vendet perëndimore. Këto mund të vërtetohen lehtë. Prandaj, Kurteshët nuk kanë nevojë për përkrahjen time, e cila megjithatë nuk do të ju mungojë sa herë që kërkesat e tyre janë të drejta dhe të ligjshme.

Të punësuarit e Familjes Kurteshi, duke përfshi edhe djemtë e mi janë punësuar përmes konkursit, në konkurrencë të hapur me të tjerët. Asnjëri nga Kurteshët nuk është punësuar atje ku unë kamë qenë vendimmarrës as drejtpërdrejtë dhe as tërthorazi, siç po ndodh me ty. Për punësimin e asnjë anëtari të Familjes Kurteshi unë asnjëherë nuk kamë intervenuar . Çdo dëshmi dhe fakt që ke për të kundërtën publikoe. Sa tendencioz e primitiv je ti z. Mustafa, flet përmendja e Avokatit të Popullit në kontest të punësimit, edhe pse procedurat e zgjedhjes së Avokatit të Popullit i din të gjithë.

Megjithatë, gabimi im më i madh dhe ndikimi im më efektiv ka ndodhur atëherë kur të kam përkrahur ty për kryetar të degës së PDK në Gjilan. Vërtetë pa përkrahjen dhe ndikimin tim në atë kohë, ti do të kishe mbetur një matrapaz anonim, kurse pas keqpërdorimit të asaj përkrahje je bërë një e keqe publike.

Dallimi në mes meje dhe teje z. Mustafa është thelbësor. Unë e kuptoj rëndësinë e bërjes së shtetit dhe tërë jetën kamë bërë përpjekje të kontribuoj sadopak në këtë drejtim, kurse ty të udhëheq lakmia për atë që nuk të takon pra epshet.

Sa i përket Qeverisë së Përkohshme, me që ti atëherë ke qenë jashtë rrjedhave, bile edhe jashtë Kosovës, po të informoj se asnjë serb nuk ka qenë i punësuar, sepse ata nuk e kanë pranuar Qeverinë e Përkohshme. Në shumë raste ata nuk po e pranojnë as Qeverinë aktuale, përveç rrogave dhe investimeve. Kur unë i kam hequr nga lista e pagave ata që refuzonin t’i nënshkruanin kontratat e punës, ashtu si parashihet me ligj, ti jo vetëm se je angazhuar për mbajtjen në lista të atyre që nuk i kanë nënshkruar kontratat e punës, por je kujdesur edhe pak më shumë. Natyrisht që ky kujdes tu ka kthye me vota. Këtu nuk do të flas për kontributin tënd për decentralizimin, sepse aty vetëm i ke zbatuar urdhrat, e për këtë punë je shumë i përshtatshëm por jo edhe për udhëheqës.

Por, megjithatë t’i kthehemi skandalit të shkaktuar nga ju z. Mustafa. Punësimi i bashkëshortes tuaj është i paligjshëm, sepse zonja e juaj nuk është e kualifikuar dhe është punësuar pa konkurs!

Ky punësim është edhe i pa ndershëm, sepse në Gjilan janë mbi 2000 – 3000 kuadro të kualifikuar të arsimit, që presin me vite të tëra për një vend pune. Ndërsa ti e ke punësuar bashkëshorten tënde, fal pozitës që e ke dhe çdo ditë po e keqpërdor.

Ne do të vazhdoj t’i prezantoj dhe publikoj keqpërdorimet që po i bën ti, për të cilat ne kemi fakte dhe do të kërkoj ndëshkimin që e meriton.

Ti mund të vazhdosh me distribuimin e shpifjeve, por këto nuk do të ju shpëtojnë nga përgjegjësia dhe fundosja si politikan dhe si njeri. /Indeksonline/

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close