LAJME

Sipas sondazheve të një kompanie ndërkombëtare, Lutfi Haziri do ta fitojë përsëri Gjilanin

Sondazhet për zgjedhjet e 17 tetorit e qesin LDK-në favorite në më së shumti komuna. LVV-ja qëndron mirë në tri komuna të mëdha, përfshirë kryeqytetin. Megjithatë, në të tri këto qytete duket se i duhet të luftojë deri në fund. PDK e sfidon seriozisht LVV-në në Mitrovicë dhe në Prizren.

Lidhja Demokratike e Kosovës historikisht del në zgjedhjet lokale më mirë, se në ato nacionale. Me aq sa thonë matjet e para, kjo do ta ndjekë edhe në këto palë zgjedhje.

Sipas sondazheve të një kompanie ndërkombëtare, të cilat i ka parë Gazeta Express, LDK pritet të mbajë komunat që i ka qeverisur në 4-vjetëshin e fundit. LDK-ja, që tash drejtohet prej Lumir Abdixhikut, prin në Gjilan, Viti, Lipjan, Fushë – Kosove. Ajo del e para edhe në Vushtrri, por pritet që gara të shkojë edhe në një rund tjetër aty.

LDK-ja prin edhe në Istog, aty ku nuk ka humbur asnjë palë zgjedhje. Megjithatë duket se në qytetin e Ibrahim Rugovës, kësaj radhe do të mundohet pak më shumë. Kandidati i saj, Ilir Ferati, që është djali i ish-kryetarit të Istogut, Fadil Ferati, pritet të shkojë në balotazh.

Garë e fortë mes LDK-së dhe Lëvizjës Vetëvendosje rikthehet në Podujevën, që Albin Kurti e mori për herë të parë nga duart e LDK-së, në zgjedhjet e jashtëzakonshme, të cilat u mbajtën para një viti.

Kandidati i LDK-së, Ekrem Hyseni, është në gatë të ngushtë me kryetarin e tanishëm, Shpejtim Bulliqin. Podujeva pritet të shkojë në balotazh dhe kryetari të zgjidhet mes LVV-së dhe LDK-së.

LVV, që në zgjedhjet e përgjithshme 50.02 për qind të votave, në lokalet po prin në tri komunat që i pati fituar edhe para katër vitesh. Megjithatë, matjet thonë se Prishtina, Mitrovica dhe Podujeva, do të shkojnë ne balotazh.

Në Prishtinë, kandidati i LVV-së, Arben Vitia, ka rival kryesor Përparim Ramën e LDK-së.

Në Mitrovicë dhe Prizren, LVV-ja sfidohet prej kandidatëve të PDK-së. Bedri Hamza pritet të shkojë në balotazh me Agim Bahtirin. Ndërkaq, kryetari i tanishëm i Prizrenit, Mytaher Haskuka, është në garë të ngushtë me kandidatin e PDK-së, Shaqir Totajn.

PDK-ja, sipas matjeve, prin në Ferizaj, Drenas dhe Skenderaj. Është favorite edhe në Kacanik dhe Dragash.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është favorite në Suharekë, Rahovec, Klinë dhe Deçan.

Edhe në komunën e Gjakovës prin kryetari aktual, Ardian Gjini, që vjen nga radhët e AAK-së. Ai lë mbrapa kandidaten e LVV-së, Mimoza Kusarin, e cila ka qenë kryetare e Gjakovës më herët.

Kamenicën pritet ta fitojë sërish Qëndron Kastrati i Partisë Socialdemokrate.

Zgjedhjet lokale në Kosovë do të mbahen më 17 tetor të këtij viti. /Express/

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close