LAJME

“Mrekullitë” e vogla të Gjilanit: Kalaja e Pogragjës, liqeni i Përlepnicës, Guri i Shpuem, shpella në Bresalc

Gjilani si kryeqendër e regjionit të lindjes, gjithmonë i ka pasur karakteristikat e veta, me të cilat është identifikuar ndër vite, pavarësisht se një numër i konsiderueshëm i tyre janë rrënuar nga pushtetet e mëhershme dhe nga vetë koha, shkruan Mediafokus.info

Dymbëdhjetë “bukuritë” e tij konsiderohen Kalaja e Pogragjës, shpella e Resulës, burimi në Pidiq, lumi Llapushnica në Pogragjë, liqeni i Përlepnicës, Guri i Shpuem, shpella në Bresalc, Tumat ilire, gurët natyral artistik në Malishevë, ujërat minerale në Nasalë e Miresh, hanet dhe mullinjtë e tjera.

Objekt mjaft i lashtë dhe i rëndësishëm në Gjilan, është Kalaja e Pogragjës. Llogaritet të jetë e vjetër mbi 15 shekuj. Gjatë pastrimit të hapësirës së kalasë, janë gjetur dy varreza shumë të vjetra me eshtra, monedha të shumta dhe eksponate të ndryshme. Sipas gojëdhënave, brenda saj ekzistojnë mure, korridore… Thuhet se ka qenë një qytet i tërë, që kishte një dalje nëntokësore te lumi Morava.

Objekt me vlerë dhe mjaft interesant për t`u vizituar, është edhe shpella e Resulës, që sipas legjendës, e ka daljen në rrethinat e Kumanovës. Thuhet se këtë korridor e ka përshkuar tej për tej një zagar që po ndiqte pas një lepur.

Një atraksion i vërtetë janë edhe burimi në Pidiq, lumi Llapushnica në Pogragjë dhe liqeni i Përlepnicës. Guri i Shpuem, mbi Përlepnicë, përngjan me një gojë të etur, e cila pret të pijë ujët e liqenit.

Shpella në Bresalc, e cila është zbuluar së voni, pret të hulumtohet më tutje, që korridoret e saj të bëhen të depërtueshme për vizitorë, vijon Mediafokus.info.

Tumat ilire në Llashticë, që janë të rëndësishme për kulturën ilire dhe patjetër edhe atë shqiptare, i takojnë epokës së hekurit. Riti i varrimit në tuma qe shfaqur për herë të parë në epokën e bronzit. Ndërsa në epokën në vazhdim, në atë të hekurit, numri i varrezave të tilla është shumë i madh. Tumat ilire të Llashticës janë zakonisht disa kodra të vogla në rrafshina, të përbëra nga gurë e dhe. Njëra prej tyre që nuk është hulumtuar ka një sipërfaqe prej 800 m/2 (20×40 m).

Mrekulli në vete janë edhe gurët natyral artistik në Malishevë, ujërat minerale në Nasalë e Miresh dhe të tjera.

Në komunën e Gjilanit janë të njohura edhe Hani i Fetahut në Verbicë të Zhegocit dhe Hani i Ajvazit në Bresalc.

Mullinjtë kanë qenë shumë të përhapur dikur në komunën e Gjilanit. Kishte fshat me dy-tre mullinj, siç ishte Përlepnica e Cernica e ndonjë edhe më tepër, si Vërbica e Zhegocit që kishte 7 mullinj. Mullinjtë në Pidiç, Miresh, Livoç i Epërm dhe Verbicë e Zhegocit janë ndër të rrallët që punojnë edhe sot.

Edhe qyteti i Gjilanit i kishte dikur mullinjtë e tij, por sot nuk ekzistojnë më. /Mediafokus.info

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close