LAJME

Tregu i gjelbër, shtëpia e mallrave, dikur…Qyteti i Gjilanit në vitet 1970

Qyteti i Gjilanit, tregu i gjelbër në vitet 1970, 1974. – Aty ku është shtëpia e mallrave, dikur ishte tregu i gjelber deri ne vitin 1974 kur u mbyll. Skaj rrugës kryesore tregu kishte dy hyrje, një në filim e një te klubi i biliarit “Zvezda”. Përskaj rrugës shitoret e axhës Raif, axhës Xhavit dhe Tomës. Shitorja e Tomës më herët kishte Safetin punëtor, i cili u shpërngul në Turqi. Ishin të gjithë pemëshitës. Toma shiste edhe qumësht në shishet prej qelqi qe ishin një litërshe.

Në fillim të tregut, në shkallët te platoja para dyqanit te axhës Raif, malishevasit rendisnin kontllajkat me kos. Disa kosin e shitnin edhe në kalanica. Skaj kadastrit ku punonte Ismail Ahmetaj, gjendej çezmja, klubi i biliarit ku të rinjtë gilanas e kalonin ditën. Në mënyrë vertikale në dy rende, tregu me bylmete ishte i mbuluar. Në mes zgjatej platoja e betonit, ku ne fëmijët luanim një pjesë të ditës futboll, ndërsa në ditën e shtunë shiteshin perime nga fshati.

Pjesa tjetër e tregut ishte e pa shtruar. Aty parkoheshin karrocat, kamionat me shalqinj (bostan), lakra, presh (purri). Tregu në anën e majtë kufizohej me shtëpinë e Neshiqëve dhe Pera Xolkit.
Me 1974 e mbyllën tregun aty ku ishte dhe e transferuan në hapësirën ku është sot. E ndërtuan shtëpinë e mallrave pronë e Ndërmarrjes Shoqërore Tregtare “16 Nëntori”.
Hapja solemne e shtëpisë së mallrave u bë me 16 nëntor 1976, hapjen e bëri Zora Zhiviq. Shtëpia e mallrave i kishte shkallët lëvizëse. Të gjithë shprehnin dëshirën t’i përdorin… Shkallët funksionuan disa vite.

Në katin e dytë ishte tekstili, këpucët, sporti dhe kafeteria. Ishte koha kur “16 Nentori” ishte me emër. Sot koha e cunamit politik shkatërroi çdo gjë, mbeten kujtimet per tregun, për shkallët e shtëpisë së mallrave, për vetë shtëpinë e mallrave, e cila vizitohej jo vetëm nga gjilanasit por edhe nga komunat përreth. /Nga dr Shevqeti, editor: N.B./

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close