LAJME

Drejtoreshë Arbenita – Ajo është në çdo kohë me qytetarët e në shërbim të shëndetit të tyre…

Drejtoreshë Arbenita – mrekullia e shëndetësisë gjilanase.

Në rubrikën ‘Ju prezantojmë’, kësaj radhe gazeta ka përzgjedhur drejtoreshën e Qendrës Komunale të Mjekësisë Familjare (QKMF) “Dr. Nagip Rexhepi” në Gjilan, doktoreshën Arbenita Hajdari. 


Një ambient i jashtëzakonshëm pune, secili në detyrat e veta ditore, disiplina të lë me mendue se gjendesh në një vend utopik, të gjithë kryejnë shërbimet ndaj pacientëve. Përtej kësaj, siç duket në foto, pastërtia është e tillë sa detyrohesh të qëndrosh ndonjës minutë më shumë për të soditur çdo cept të këtij institucioni shëndetësor, model edhe për vendet më të zhvilluara të planetit. 


Të bësh një ambient kaq të bukur gjithsesi duhen angazhimi dhe përkushtimi, mobilizimi komplet i personelit: mjekëve e motrave, i atyre që bëjnë punën e pastrimit – mirëmbajtjes, e nën menaxhimin e njeriut të parë në këtë shtëpi shëndeti, që njerëzve me probleme shëndetësore u shkon në shtëpitë e tyre 24 orë në 7 ditë jave.


Kryepersonazhi i kësaj interviste është drejtoresha e Qendrës Komunale të Mjekësisë Familjare (QKMF) “Dr. Nagip Rexhepi” në Gjilan, doktoresha Arbenita Hajdari. 
E njohur në popull si shtëpi e shëndetit apo ambulanca e qytetit të Gjilanit, kjo godinë e humanitetit brenda saj kryen shërbime të pafundme për të gjithë ata që kanë nevojë.


Drejtoreshë Arbenitën e kemi parë tërë periudhën e pandemisë me ekipen emergjente duke qenë në krye të detyrës, së bashku me strukturat tjera shëndetësore dhe komunale. IE kemi parë duke qenë në krye të këtij misioni fisnik e human për t’u shërbyer të prekurve nga COVID-19, duke i mbështetur familjet e tyre dhe përgjithësisht qytetarët e Gjilanit.

Drejtoreshë Arbenita e fillon rrëfimin me artikulim të rrjedhshëm dhe në mënyrë kronolgjike për punët e përditshme që kanë bërë gjatë pandemisë, duke listuar me radhë, si dhe angazhimin tani në vaksinimin e qytetarëve dhe në ofrimin e shërbimeve tjera mjekësore.

-Koha: Prioriteti i punës suaj dhe personelit të kësaj qendre mjekësore në nivel komune?

-Drejtoreshë Arbenita: Prioritet të parë kishim parandalimin, luftimin dhe trajtimin e pacientëve me COVID-19. Ekipet emergjente vazhdimisht kanë qenë në terren për t’u ofruar shërbime në shtëpi të prekurve nga Covidi. 
Deri tani janë ofruar 10.263 shërbime në shtëpi për të gjithë ata që kishin nevojë, si infuzione, injeksione, kontrollime dhe transfere (bartje) shtëpi – spital, me qëllimin më fisnik që të pengohet shpërndarja e COVID-19.

-Koha: Në Gjilan ka nisur vaksinimi, tashmë disa kategori të qytetarëve janë vaksionuar. Si po ecën procesi i vaksinimit?
Drejtoreshë Arbenita: Po, ka nisur dhe po rrjedh mirë. Tash jemi fokusuar në vaksinimin kundër COVID-19, ndërsa deri dje, e enjte, 1 korrik 2021, janë dhënë 8928 vaksina. Vaksinimi është duke u bërë te salla e sporteve në Gjilan.

-Koha: Cilat janë shërbimet e përditshme shëndetësore që ua ofroni popullatës së Gjilanit, duke pasur parasysh se pandemia ka lënë pasoja te një numër jo i vogël i njerëzve?

-Drejtoreshë Arbenita: Gjithmonë në shërbim të qytetarëve, këtu në qendrën kryesore dhe në 5 qendra të tjera mjekësore që funksionojnë në qytet. I kemi ekipet emergjente që funksionojnë 24 orë në 7 ditë. U shërbjmë të aksidentuarve, atyre me sëmundje të ndryshme, me dhemje në gjoks, në situata kur intervenimi me kohë shpëton jetën. Gjithashtu, është ekipa e patronazhës e cila i viziton personat me paralizë apo të palëvizshëm, iu japim infuzione, kontrollime, ndërsa ky numër shkon në 20 veta që marrin ndihmën ditore mjekësore.

-Koha: Duke qenë se Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare dhe qendrat tjera në qytet ofrojnë shërbime të çdoditshme, atëherë në ç’orar punojnë qendrat dhe krahas shërbimeve mjekësore që u përmendën, a ofrohen edhe shërbime të tjera në këto qendra?

-Drejtoreshë Arbenita: Po, ofrohen edhe shërbime të tjera shëndetësore, si laboratori i analizave mjekësore, shërbime stomatologjike, duke nisur në orën 07:00 – 20:00, ndërsa pas orës 20:00, të gjitha shërbimet kalojnë në Qendrën e Mjekësisë Familjare në lagjen “Dardania” në qytet, e cila punon 24 orë. 

-Koha: Nëse kemi harruar pa iu pyetur diçka, ose mund të shtoni atë që konsideroni se e motivon angazhimin tuaj përkushtues, duke e kthyer këtë qendër mjekësore në një institucion plotësisht funksional, ku gjithçka duket se rrjedh sikur ora zvicerane. Më saktë, a vlerësoni se fryma e mirë e bashkëpunimit ndërveprues me personelin e qendrës kryesore dhe me qendrat tjera mjekësore në qytet ka dinamizuar punën tuaj dhe funksionalizuar plotësisht punën tuaj menaxhuese?
-Drejtoreshë Arbenita: Gjithsesi, bashkëpunimi me të gjithë personelin këtu në qendrën kryesore dhe në qendrat tjera në Gjilan i ka dhënë shtysë dhe motiv punës sime. Kemi ndërtuar klimë të shkëlqyeshme të komunkimit dhe bashkëpunimit bashkëveprues me të gjitha ata që punoj çdo ditë e jam në kontakt për të bërë që punët tona të jenë sa më të mira dhe t’u shërbejnë të gjithëve që kanë nevojë. 

Drejtoreshë Arbenita për angazhimin e jashtëzakonshëm dhe të palodhshëm ka marrë mirënjohje nga Oda e Mjekëve të Kosovës dhe nga kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, për punën dhe bashkëpunimin punues me të gjithë akterët gjatë pandemisë.
Pasi kemi mbyllur takimin, kemi bërë edhe disa foto në korridoret dhe pjesët e jashtme të shtëpisë, e cila kujdeset për shëndetin tonë. 

Për fund, humaniteti nuk ka çmim, është virtyt, vlerë, është etikë, është ana më e ndritshme e karakterit njerëzor. Kështu e gjetëm dhe kështu e lam drejtoreshën Arbenitë, me këto tipare, me plot vullnet, paqësore e njerëzore, komunikuese e bashkëpunuese, me gatishmëri, përkushtim e pozitivitet.

/N.B./

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close