LAJME

Gjilani dikur kishte dyqane e zeje të shumta, ky lokacion ishte një mini qytetzë e Gilanit

Qyteti i Gjilanit në vitet 1972 e 1992. – Skaj xhamisë mjeshtrit e profesioneve të ndryshme, aty afër Shaban bekriu, i cili ishte artar, ishte bagremi ku karadaklinjtë parkonin gomerët kur vinin në pazar. Tenqepunuesit në njërën anë duke goditur llamarinën, Nuha, Sadetini, Vehbi Sirixhani, familja e Selmanëve, Osman Sllubica, Shefiku i ‘Mulla’ Avdës, Ymeri i Livoqëve. Para dyqanit të tyre qëndronin shporetët e zinj, kubet, qymkat. Më i zëshmi në bisedë ishte Sadetin Shehu, që më zërin e lartë ngritte tonin.

Opingaxhinjtë në këto dyqane kishin bërë emër, Ramiz Basha, Hyseni, baba Ganiut, Haki Abdullahu, Sava. Ndërsa, këpucarët që rregullonin këpucët e dëmtuara ishin Nijazi Novobërdaliu me djalin Shukën, pastaj Danushi e Fehmia. Nijazi Novobërdaliu ishte futbollist, gjuetar dhe bekri. ‘Aba’ Xhylë shiste veshje femrash për dasma, më herët në atë lokal ka qenë poqari. Xhyla gjithnjë ishte me disponim, me këngë, me një shoqëri të dalluar.

Në këtë lokacion kishte disa poqarë, të gjithë serbë.
Elhamia rregullonte radiot, më vonë edhe mjeshtër të tjerë kishte. Makiqi ishte mjeshtër i njohur i radiove. Ishte me syza, e kisha pacient të rregullt. Aty afër Shaban bekriut ishte sahatxhiu “Omega”. Sa fshatari të shtuneve kanë vizituar këto dyqane. Todor kazanxhiu ishte me emër, pastaj zanatin e vazhdoi djali Çeda, i cili ishte farmacist. Ishte nga mëhalla ime. Ne kete lokal tuboheshin romët ortodoks nga Baçevina që bënin kallaitjen e tepsive, kazanave dhe kusiave. Hamdi Saraqi gjithnjë ishte i qetë, bashkangjitej në bisedë me Shefikun dhe Sadetinin, më tepër dëgjonte se sa që fliste.


Ky lokacion ishte një mini qytetzë e Gilanit, ku dikur kishte qenë bezistani. Kur ishte koha për t’u falur, Nuhiu, Shefiku e Osman Sllubica vraponin në xhaminë Xhamonë e Madhe (“Shehzade”).


Më vonë ndërroi struktura e dyqanxhinjëve, filluan argjentarët të hapin aty dyqane. Më herët u hap çebaptorja “lezet” e Sherifit, orëtaria dhe berberhanja e axhës Musë nga Pogragj. Vehbi Sirixhani u shpërngul në Turqi, zanatlinjtë e vjetër vdiqën, të rinjtë nuk dëshironin të trashëgonin zanatin e prindërve. Erozioni i kohës filloi të bëhet më i ashpër.


Bisedat e zanatlinjëve që kishin biografi të pasur i mori era! Pas vitit 2000 komunarët i shkatëruan dyqanet, u ndërtuan të reja, që duken si fëmijët me inkubator, ku jane renditur argjentarët, ndërsa zanatet tjera humbën! /Nga dr. Shevqeti, editori: N.B./

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close