LAJME

Veterani që mbijeton nga kontejnerët, falënderon komunën e Gjilanit që i ndau një banesë

Hajredin Pasha është njëri nga skamnorët e shumtë në Kosovë, që jetojnë nga mbeturinat e hekurit, të cilat ai i mbledh nëpër kontenjerët e qytetit në Gjilan dhe i shet ato për të siguruar bukën, shkruan Mediafokus.info

“Shes teneqe për bukë”, thotë Hajredin Sejdiu, që këtu njihet si Hajredin Pasha.

Ai është mirënjohës ndaj komunës së Gjilanit, e cila i ka ndarë banesë sociale në “Kodrën e Djegur”, sepse nuk kishte as shtëpi të veten. Të paktën tani ka strehë mbi kokë për vete, gruan dhe fëmijët e sa për bukë ia bën disi, megjithëse atë ditë dukej i zemëruar që nuk kishte gjetur mbeturina hekuri për të shitur.

Ai merr një pension të vogël si veteran i luftës, por ato mjete nuk i mjaftojnë për të mbajtur familjen. Shpeshherë merr hua për miell dhe bukë, ngase puna me mbeturina nuk është e sigurt.

Shpreson të gjejë diku një punë, sepse teneqet sosen një ditë, ndërsa buka i duhet derisa të jetë gjallë.

Nuk e ka të lehtë të ecë rrugëve të qytetit, duke shikuar nga kontejnerët mos ka hedhur kush ndonjë kanaçe, copë hekuri të pavlefshëm, ose teneqe, të cilat dikujt nuk iu kanë dashur më, ndërsa atij i duhen për të siguruar bukën prej tyre.

“Mbeturinat shiten lirë dhe për një bukë më duhen tre kilogramë hekura”, thotë Hajredini, vijon shkrimi i Mediafokus.info

Edhe në këtë “zeje” ka konkurrencë, sepse Pasha është vetëm njëri prej atyre që mbijetojnë në këtë mënyrë, që ndonjëherë mund të jetë edhe e rrezikshme, nëse hasin në ndonjë mjet shpërthyes, të cilin mund ta kapin nga pakujdesia, ose nga padija se çfarë mund të jetë më shumë se një mbeturinë metali.

Shpesh i ndodhë të kthehet në shtëpi duarthatë, por me shpresën se dita tjetër mund të sjellë pak fat edhe për të, në mos asgjë tjetër, atëherë më shumë kanaçe të hedhura./Mediafokus.info

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close