LAJME

Qemajl Mustafa flet për kandidaturën e tij thotë se është në rregull para ligjit dhe Zotit

Gjilan – Qemajl Mustafa kryetar i degës së PDK-së në Gjilan tregon problemet e theksuara brenda PDK-së në qendër e në Gjilan. Pavarësisht që në degë ka kuadro shumë të mira që nga organizata e rinisë e sidomos nga mosha e mesme (burra e gra) dhe pavarësisht emrit tim dhe gjeneratës time e cila e ka shprehur gatishmërinë me e ndihmua këtë degë, ne kemi mbetur peng i një historie aspak të mirë në këtë degë dhe përgjithësisht në parti. Duke mos u lëshuar larg në këtë histori e cila rrënjët i ka te orekset e atyre që as nuk po munden me e mbajtë po as nuk po e lëshojnë partinë qe 20 vite me radhë, kthesa e madhe e cila na qiti prej rruge ka pas nisur në zgjedhjet e brendshme të vitit 2012 dhe prej atëherë nuk jemi kthjellë asnjëherë shprehet Qemajl Mustafa.

Prononcimi i plotë i Qemajl Mustafës

Dega në Gjilan dhe qendra në Prishtinë ende nuk kanë kandidat për kryetar të komunës së Gjilanit për disa nga arsyet që do t`i them ne vijim.

Pavarësisht që në degë ka kuadro shumë të mira që nga organizata e rinisë e sidomos nga mosha e mesme (burra e gra) dhe pavarësisht emrit tim dhe gjeneratës time e cila e ka shprehur gatishmërinë me e ndihmua këtë degë, ne kemi mbetur peng i një historie aspak të mirë në këtë degë dhe përgjithësisht në parti. Duke mos u lëshuar larg në këtë histori e cila rrënjët i ka te orekset e atyre që as nuk po munden me e mbajtë po as nuk po e lëshojnë partinë qe 20 vite me radhë, kthesa e madhe e cila na qiti prej rruge ka pas nisur në zgjedhjet e brendshme të vitit 2012 dhe prej atëherë nuk jemi kthjellë asnjëherë.

Askush deri sot nuk dha kurrë llogari për këtë grushtim të madh që e mori dega e Gjilanit dhe partia.
Nejse… po e nisi nga veprimet e fundit.
Kryetari Veseli mori qëndrim që të akuzuarit të mos jenë në listën e kandidatëve për zgjedhjet e 6 Tetorit 2019. E miratova atëherë edhe publikisht këtë qëndrim të kryetarit sepse rregullimi i partisë dhe i shtetit s’duhet me u lidhë ngushtë me fatet tona personale e familjare. Por, kjo nuk bëri fort hajr dhe rezultatin nuk e patëm të mirë sepse ishim të tretët me rezultat.

Kryetari pastaj deklaroi edhe në qendër, por edhe në degë se këtë masë kufizuese do ta hiqte sepse sistemi bastard i drejtësisë është ai që po i mban peng njerëzit me vite e vite dhe po luan me ta. E deshi fati i keq dhe kryetari Veseli u mor në Hagë e gjerat aspak nuk shkuan mirë në vazhdim, qofte për shkak të këtyre arrestimeve të dy liderëve te partisë, për shkak të frymës skajshëm pro VV (e kundër partive të “moçme”) por edhe për shkak të frenimeve të shumta që ne i bëmë vet brenda partisë.

Kryesia e degës për zgjedhjet e 14 Shkurtit të sivjemë mori qëndrim të qartë dhe unanim që unë si kryetar i degës t`i prij listës së kandidatëve të degës për deputet anipse klima nuk ishe aq e mirë për PDK.

Qendra, kinse në emër të “pastërtisë” së listës me hoqi mua nga lista (që isha me një aktakuzë e cila qëllimshëm nuk zgjidhet kurrë) dhe i grahi punës me kandidatet e tjerë të degës. U pajtova dhe nuk e bëra problem këtë punë për hirë të principeve të mia, për hirë të degës dhe për hirë të kolegëve që tashmë ishin kandidatët tanë.

Në ndërkohë u pa që lista e gjerë e PDK kishte kandidatë tjerë me aktakuza, bile kishte edhe kandidat me aktgjykim dënues.
U pata thënë dhe po ua them troç edhe njëherë: nëse mendoni përmes Qemajl Mustafës me e pastrue degën dhe partinë, nuk keni me e pastrue kurrë sepse Qemajli në rregull është edhe para ligjit edhe para Zotit. Qemajli me krejt kolegët e vet ka bërë punë të shkëlqyer për 6 vite me radhë në Gjilan, po dikujt pikërisht kjo punë e mirë dhe ky përkushtim i yni i madh nuk i pëlqeu. Myku e llymi që nuk po e len PDK-në me u zhvillue e me u rritë është aty brenda në parti dhe rrinë i paprekur. Edhe atë, në të gjitha nivelet, nga nëndegët, por sidomos nëpër degë e deri te kryesia e saj në Prishtinë.

Duke e aktruar reformën dhe pastërtinë nuk mund e bindim as anëtarësinë tonë me na votue e le më popullin e Gjilanit e të Kosovës.
Unë jam shënjestër e ndjekjes së shtrigave që nga Janari i vitit 2011. Së paku 8 deri 10 procese hetimore janë nisë ndaj meje nga prokuroria themelore në Gjilan dhe disa prej tyre me kërkesë të atyre në Gjilan kanë përfundua në Prokurorinë Speciale në Prishtinë.
Shumica e këtyre hetimeve kanë dështue sepse nuk kanë pasë asnjë bazë të arsyeshme dhe materiale për vazhdim. Dy aktakuza janë ngritur ndaj meje prej shtatorit të vitit 2016 e këndej. Te njëra aktakuzë (për EcoHigjienën), prokurori në Gjilan me turp është tërhequr nga ndjekja sepse është zhveshur nga argumentet e mia dhe ka dështuar.
Për këtë rast i kam bë një padi shtetit dhe po e pres procesin gjyqësor me u nisë dhe me e fitue (padia i është bërë këshillit prokurorial në Prishtinë dhe Prokurorisë themelore në Gjilan).

Te ky rasti që poashtu padrejtësisht është ngrite për mua dhe për 38 shërbyes civilë dhe afaristë po bëhen 5 vite e nuk i jepet fundi sepse kështu ka qene përcaktimi i laboratorëve të pista të politikës e të drejtësisë së Kosovës e cila që nga themelimi i saj në vitin 2001 ishte nën kthetrat e politikes.

Edhe ky rast do të përfundojë një ditë dhe patjetër do të përfundojë me rikonstatimin e pastërtisë tonë. 29 shërbyesit më të mirë të komunës dhe 10 afaristët më të mirë poashtu i kanë fut në këtë rast dhe kjo nuk ka ndodhur rastësisht.

Qëllim i parë dhe i fundit ka qene mënjanimi i Qemajl Mustafes përmes shumë hetimeve bastarde e qesharake dhe përmes këtyre aktakuzave të pista të konstruktuara artificialisht.

Thonë “i fëlliquri te fëlliqë”. Ky sistem i hetimeve që nga policia e deri te maja e prokurorisë kosovare është sëmurë keq qoftë me mbajtje nga kthetrat e politikës qoftë me injorantet e servilët e shumtë që politika i ka sjellur brenda tij.

Sot, si rezultat i punës së mbrapshtë të këtij sistemi të drejtësisë e kemi një sistem të devijuar të politikës e të institucioneve (e kemi edukimin, shëndetësinë, administratën, policinë, drejtësinë, ekonominë…) skajshëm me besim të ultë e të pashpresë. Dhe pikërisht për shkak të këtij perceptimi e kemi rritjen enorme të përkrahjes për VV.

Dega në Gjilan është vetëm njëra nga simptomat e dhembjeve të shumta brenda PDK. Shërimi nisë me ndodhë vetëm atëherë kur hartohen dhe miratohen rregullat dhe kriteret e qarta se kush mund të jetë pjesë e strukturës së PDK në të ardhmen e kush jo. Sot, brenda strukturës se PDK kemi njerëz të fuqishëm e të pasuruar nga politika, njerëz me dije të kufizuar, njerëz me edukim të mangët e arrogancë të theksuar dhe kemi heshtje ose tërheqje totale të atyre që munden, dijnë dhe duan me e bë PDK-në parti normale.
Ajo, në ndërkohë po vazhdon me status-quo, por jo gjatë me siguri sepse lakorja e saj është në rënie dëshpëruese në tregun politik të komunave tona e të Kosovës.
Veç një reformë e thellë, e dizajnuar mirë dhe nën udhëheqjen e njerëzve më besnikë e më të denje të saj nëpër degë e në qendër ajo mund të shpëtojë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close