LAJME

Shpërthejnë akuzat përsëri në UKZ, asistentët po punësohen me të njofshëm

Qëndresa Sejdiu dhe Teuta Gashi aplikuan për t’u bërë asistente në Fakultetin Juridik të Universitetit “Kadri Zeka” të Gjilanit në konkursin për staf akademik të angazhuar që ky institucion e shpalli në fund të muajit shtator.

Por, ato nuk arritën të fitojnë pozitën që pretenduan. Ato konsiderojnë se për këtë fajtor është komisioni vlerësues i dy niveleve të studimit, bachelor dhe master, që, sipas tyre, bëri keqpërdorime gjatë përzgjedhjes.

Për më tepër, Sejdiu dhe Gashi po thonë se kundërkandidatët e tyre e kaluan me sukses konkursin sipas njoftësive që kishin dhe jo sipas kritereve të kërkuara me rastin e aplikimit.

Dekani i Fakultetit Juridik, Sadik Haxhiu, tha se përzgjedhja e kandidatëve është çështje e komisioneve vlerësuese, derisa mohoi të ketë pasur shkelje.

Klan Kosova ka kontaktuar kryetarin e Komisionit Vlerësues për Nivelin Bachelor Fejzullah Hasanin i cili nëpërmjet telefonit  mohoi keqpërdorimet, derisa potencoi që nota mesatare nuk është kriteri determinues për të fituar pozitën, porse nuk tregoi se me çfarë kriteresh të tjera kundërkandidatet e ankueseve fituan në konkurs.

Për këtë çështje u kontaktua edhe Dukagjin Leka, kryesuesi i Komisionit Vlerësues për Nivelin Master.

Ai nuk dha sqarime rreth përzgjedhjes së kandidatëve me arsyetimin se ende nuk ka fitues për konkurs, derisa vendimin përfundimtar do ta marrë senati me rastin e shqyrtimit të ankesave.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close