LAJME

Valon Ismajli: Mbrëmja e shpresës e quajtur “Dritë”

Pas rikthimit të kampionatit kosovar nga pushimi i gjatë i shkaktuar nga pandemia Covid-19, FC Drita nuk ishte shenjëstër vëmendjeje e opinionit publik kosovar, pasi kjo e fundit nuk e kishte primatin e renditjes tabelare deri në ato momente para se të ndërpritej aktiviteti i garave.

Klima dhe rrethanat ndryshuan me t’u luajtur ndeshjet e mbetura të kampionatit vendor. Drita shkriu disavantazhin e vogël me pikë me KF Ballkanin, për ta rrëmbyer dhe mbrojtur pozitën e parë deri në përfundim të kampionatit.

Kësisoj brenda 2 viteve titulli u rikthye në klubit e udhëhequr nga familja Murseli.

Ani se javët e fundit të kampionatit u shoqëruan me shumë zhurmë të jashtme, e me raste edhe me vendime të vështira të ndërmarra nga brenda, kjo krijoi indiferencë, sepse projekti vazhdoi, synimi u rrumbullaksua dhe përgatitjet për zhvillimin e ndeshjeve evropiane, në rrethin para-eliminator të Champions League, veçse kishin mbaruar.

FC Drita, me urdhër të trajnerit Ardian Nuhiu, mori vendim me peshë kur vendosi ta përjashtojë nga skuadra Liridon Lecin, mbrojtësin e krahut të majtë me përvojë në kampionatin kosovar. Vendim që rrezikonte të prishte ekuilibrat në javët kruciale të kampionatit, por që nuk ç’ekuilibroi asgjë. Blaçkorri mori besimin për të luajtur në atë pozitë. Besimin e arsyetoi me përsosshmëri dhe FC Drita marshoi pa pengesa sportive drejt parapërgatitjeve për rangun paraeliminator të Champions League.

Megjithatë, këtu çaloi klubi, por jo vetëm ai. Çaluan institucionet zinxhir, trupa e instancave vendimmarrëse dhe shteti në veçanti. Mbi futbollin kosovar ranë re të zeza kur lojtarët e FC Dritës u testuan pozitivisht me Covid-19. Herën e parë u lejua të luhej ndeshja e parë e cila u fitua ndaj Inter Escaldes, me rezultatin 2 me 1, në fushë neutrale Nyon, por ndaj Lincoln ndeshja u anulua pasi lojtarë të caktuar rezultuan pozitivë me koronavirus dhe rrjedhimisht ndeshja u anulua, e për më keq ajo u humb 3 me 0 në tavolinë, duke e ndërprerë edhe rrugëtimin e klubit gjilanas në Champions League.

Çaloi klubi sepse nuk mori seriozisht masat e karantimit pas përfundimit të kampionatit. Por, më mirë nga ana profesionale nuk vepruan as lojtarët që shfaqën jo-profesionalizmin e duhur me raste, duke mos i përfillur urdhërat e instancave mjekësore, atyre të përgjithshme, për izolim dhe kujdes nga virusi. Gjithsesi, më keq se kaq ishte zinxhiri komandues shtetëror që menaxhon pandeminë në vend, i cili dështoi në testime, duke krijur mos-besim gjithandej për rezultatet që po i jipte.

Fatmirësisht kjo fortunë kaloi, sado me pasoja, por kampionët e Kosovës u thirrën në apel për t’u përgatitur për sfidën e radhës të Europa League. Shorti përcaktoi se skuadër rivale do të ishte Sileks i Maqedonisë së Veriut. FC Drita duhet përshëndetur për mënyrën se si e menaxhoi takimin në fjalë. Kur vihet theksi tek menaxhimi kemi parasysh edhe pragsfidën si u shoqërua, klubi dhe lojtarët morën mësimet e duhura nga fatkeqësia që ndodhi në Nyon, duke bërë një fazë përgatitore profesionale, me grumbullim efikas dhe lojtarë të mbyllur hermetikisht për t’u bërë gati për ndeshjen.

FC Drita e nisi takimin thuajse e kompletuar, ndryshe nga hera e parë ndaj Inter Escaldes ku hasi në disa mungesa. “Anamoravasit” ia dolën ta interpretojnë ndeshjen në mënyrë maestrale, duke mos i lënë kundërshtarit asnjë rast të kjartë shënimi dhe duke e dënuar atë me kundërzbritjet ndër vite që e kanë karakterizuar skuadrën.

Ndoshta ishte ndeshja më e saktë që një klub kosovar ka aplikuar në arenë ndërkombëtare për nga ana tekniko-taktike. Kuptohet, kundërshtari nuk ishte i nivelit më të lartë, por kjo nuk i hyn në punë FC Dritës. Ajo siguroi edhe një rreth tjetër kualifikues dhe kësisoj kreu detyrën me devotshmëri në stadiumin e Shkupit duke fituar me rezultat 0 me 2.

Nga disa njerëz të caktuar formacioni i FC Dritës ishte kritikuar për mungesë të lojtarëve të ri, të cilët do të ishin sinonim i një tregu veror të afatit kalimtar për t’i shitur dhe për të arkëtuar fonde, që më pastaj do të shërbenin për rifreskim të skuadrës dhe përforcim të strukturës së klubit dhe kontigjentit të lojtarëve. E vërtetë në masë të madhe. FC Drita herën e fundit që luajti pati mesatare të moshës 29 vjeçe. Jo një ogur i mirë për një kampion të një shteti ballkanik, zonë e cila ka nevojë zakonisht për t’i plasuar lojtarët e spikatur në treg të rajonit ku jetojmë apo atij lindor, siç janë bërë zakon lëvizjet drejt Turqisë të lojtarëve nga Kosova, por, gjithsesi, fondet u gjeneruan nga rendimenti i mirë në kupat evropiane, ndërsa tani i përket klubit, respektivisht Drejtorit Sportiv t’i menaxhojë ato siç duhet.

he ja ku jemi sot. FC Drita luan si mysafir i Legia, kampionës polake. Por, pavarësisht rrjedhës që do ta marrë kjo ndeshje, rrugëtimi i skuadrës gjilanase do mbetet pozitiv. Ndaj Sileks ishte detyrim fitorja, sepse ndihej që mund të arrihej dhe ia dolën. Sot nuk është imperativ fitorja, sepse cilësisht kundërshtarit posedon vlera më të mëdha, por kjo nuk nënkupton që formacioni i Ardian Nuhiut do të hyjë me flamurin e bardhë në ndeshje, edhe duke dijtur faktin se kundërshtari po kalon në periudhën më të vështirë pas shumë kohe, me krizë të rezultateve dhe me probleme të brendshme. Nga gjithë kjo uroj të përfitojmë nga rasti.

Sot shënohet një ditë e madhe jo vetëm për klubin e Dritës dhe qytetin e Gjilan, por për tërë futbollin kosovar, pasi kjo është hera e parë që një klub i yni arrin deri në këtë cak.

Klubi është në momentum të mirë. Tani ai duhet t’i menaxhojë më mirë sesa në vitin 2018 të hyrat që përfitoi këtë vit nga rrethet kualifikuese të kupave evropiane, në mënyrë që ta cimentojë primatin në futbollin e kosovar dhe të krijojë standard tjetër, që do të shpiente drejt një “hegjemonie sportive”, duke mbajtur titullin për një kohë në Gjilan dhe duke rritur përvojën në garat evropiane vit pas viti.

Sot me FC Dritën nuk frymojnë vetëm “Intelektualët”, por të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen e që janë të lidhur me futbollin vendor.

Qoftë një natë e ndritshme në Varshavë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close