LAJME

Banorët ankohen për pasiguri në rrugën “Idriz Seferi” në Gjilan

Banorët në lagjen “Idriz Seferi” në qytetin e Gjilanit ndjehen se jeta e tyre po rrezikohet nga shoferët të cilët nuk po respektojnë kufizimin e shpejtësisë në rrugën e cila shtrihet përgjatë lagjes së tyre. Ata deklarojnë se në këtë rrugë kanë ndodhur disa aksidente dhe rasti më i rëndë është kur një shofer kishte humbur kontrollin mbi automjetin e tij dhe më pas kishte kaluar në trotuar duke goditur një lokal ku të lënduar kishin mbetur disa qytetarë.

Banori i kësaj lagje, Tefik Ibrahimi thotë se banorët i ishin gëzuar ndërtimi të rrugës me katër korsi që shtrihet përgjatë lagjes së tyre mirëpo sipas tij kjo rrugë tani është bërë e rrezikshme për shkak të shoferëve të cilët vozisin shpejt ku këmbësorët janë pjesëmarrësit më të rrezikuar në komunikacion. Ai thotë se banorët në vazhdimësi i raportojnë shqetësimet e tyre në Policinë e Kosovës ku edhe kanë kërkuar shtim të patrullimeve në këtë rrugë. Shprehet se nuk është i kënaqur me reagimin e institucioneve në lidhje me shqetësimet e banorëve.

“I kemi përcjellë ankesat edhe në polici edhe në komunë mirëpo nuk na duhen vetëm fjalët dhe një herë në muaj policia me dal në patrullim. U kam thënë që kur të ndodhin aksidente me fatalitet atëherë nuk ka nevojë që të dalin ngase ne po u tërheqim vërejtjen para se me ndodh. Shpejtësia është e madhe nga ana e shoferëve. Në të kaluarën kur rruga nuk ka qenë e ndërtuar më shumë ka pasur patrullime se tash” thotë ai.

Sipas tij është e nevojshme që shoferët të vetëdijesohen për rrezikun që ata krijojnë kur zhvillojnë shpejtësi të madhe me automjetet e tyre në rrugët brenda zonës urbane.

Sipas tij vetëdijesimi arrihet kur këta shofer ndalohen në rrugë dhe u tërhiqet vërejtja nga ana e policisë.

“Ndonjëherë më shumë ndikon me i tërheq vërejtjen dhe e ndjehen veten më keq ai shofer sesa me gjobit. Prandaj duhet me qenë më të pranishëm në këtë rrugë. Nëse mendohet me vendos pengesa atëherë shëmtohet kjo rrugë”, thotë Ibrahimi.

Ndërkaq banori tjetër në këtë lagje, Besart Jetishi, i cili punon në një furrë që gjendet afër rrugës kryesore thotë se shoferët e automjeteve po zhvillojnë gara në këtë rrugë dhe kjo kryesisht ndodh gjatë natës.

“Nga ora 8 e 30 në mbrëmje këtu zhvillohen gara ndërmjet shoferëve. Gjatë natës nuk ka patrullime. Edhe ditën automjetet këndej pari zhvillojnë shpejtësi të madhe. Kemi lajmëruar policinë disa herë sepse këta shoferë po rrezikojnë këmbësorët. Këtu hyjnë edhe fëmijët” shprehet ai.

Thotë se është dëshmitar i disa aksidenteve të cilat kanë ndodhur në këtë rrugë.

“Ai automjeti i cili u fut në kafiteri aty njerëzit janë lënduar sepse kanë qenë duke pirë kafe. Nëse do të kishte qenë në shpejtësi të vogël nuk besoj se do të futej në lokal. Pastaj është aksidenti tjetër kur një sharrë tenton me kalu në kahun e kundërt të rrugës përmes ishullit të këmbësorëve ku më pas goditet nga një automjet. Dhe me një rast tjetër i kam ofruar ndihmë një motoçiklistit i cili kishte goditur një automjet” thotë ai.

Ndërkaq sipas të dhënave zyrtare të policisë gjobat të cilat janë shqiptuar ndaj shoferëve në këtë rrugë janë kryesisht për tejkalim të shpejtësisë.

Brenda 1 viti në këtë rrugë janë shënuar 12 aksidente. Zëdhënësi për informim i PK-së në Gjilan, Ismet Hashani deklaron se ata kanë pranuar ankesa nga banorët. “Lidhur me temën për rrugën “Idriz Seferi” apo (rruga e Ferizajt).

Stacioni Policor Gjilan ka këto të dhëna për periudhën korrik 2019 deri në shtator 2020. Nga njësitet e stacionit policor gjatë kësaj periudhe në këtë lokacion janë shqiptuar në total 1 mijë e 270 tiketa trafiku. Prej tyre 855 janë shqiptuar për tejkalim shpejtësisë, si dhe 415 tiketa trafiku lidhur me kundërvajtje të tjera si mosvënia e rripit të sigurisë, pa patentë shoferë parking i palejuar, pa regjistrime” ka thënë ai.

Thotë se policia do të shqyrtojë mundësinë që të shtojë patrullimet.

“Kemi pasur ankesa nga banorët e zonës, ju informojmë se ashtu edhe si për zonat e tjera kemi raportime të rralla për kundërvajtje të ndryshme kryesisht për vozitje të shpejtë. Ankesa me shkrim nuk kemi pranuar. Angazhimi jonë do të jetë i njëjte me pika kontrolli me radar si dhe patrullime sistematike me mundësi të shtimit të këtyre masave në të ardhmen” ka thënë Hashani.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close