LAJME

Rrëfim e përjetim rrënqethës nga Gjilani; burgjet, UDB, e helmimet

NGA DITARI IM

Shkruan: Nijazi Musmurati

Rrëfim dhe Përjetim Rrënqethës

Më duket se i mbetëm borgj rrethit të afërm, ndoshta dhe opinionit, të mos shkruaj për ngjarjet e ndodhura dhe peripetitë e përjetuara pas tyre. Po shoh se nuk është duke shkruar askush apo rrallë dikush ndonjë artikull (atyre që ju shkon për dore) për ato ngjarje të ndodhura më 1981, për ata njerëz që vuajtën aq shumë, për ato vajza, për ata djem, për ato nëna, për ato motra, që u endën burgjeve anë e mbanë Jugosllavisë. Për ata njerëz të vrarë, për ata njerëz të burgosur që u torturuan mizorisht, për ato rrethime të shtëpive në mëngjeset e hershme nga UDB-ja, për ato bastisje dhe kontrolle, ata njerëz të marrur e të rrahur apo të malltretuar nga udbashët shqipfolës, për ata njerëz të cilët i morën dhe i shantazhuan, për ata nxënës që i helmuan, i përjashtuan nga shkollat dhe i frkësuan, për të gjithë ata që kaluan nëpër dyert e UDB-ës etj.etj. Unë kam filluar të shkruaj dhe do të shkruaj në vazhdime për ato ngjarje që i di dhe i kam përjetuar. Ata të cilët e lexojnë këtë shkrim mund të japin lirshëm vlersimin e tyre pa kurfar kompleksi. Mund të me lavdrojnë, të me kritikojnë, të më gjykojnë etj. i pranoj të gjitha vërejtjet dhe sygjerimet me gjakftohtësi.

— Kësaj rradhe do të përshkruaj për peripetitë, përjetimet, endjet, netët pa gjumë, për vizitën që i bënim vëllaut Basriut në burgjet e ish Jugosllavisë.
Basriu u arrestua në Prill të vitit 1981 dhe në verë të vitit 1982 u dënua me 9 vite burg nga Gjykata e Qarkut të Gjilanit. Si i burgosur politik dy vite burg i mbajti në Kosovë, kurse 7 vite të tjera i mbajti në Bosnje – Sarajevë dhe Zenicë.
Nuk do të shkruaj për mënyrën e marjes në burg, mënyrën e trajtimit dhe ngritjen e aktakuzës, mënyrën e gjykimit etj. por për krajatat dhe endjet tona familjare nga burgu në burg në Jugosllavinë e proklamuar si parajsë e “Vëllazërim Bashkimit”.
Prej shpërthimit të demonstratave të vitit 1981 nga studentët dhe rinia shqiptare, ku kërkohej Kosova Republikë, jeta për shqiptarët në përgjithësi u bë e padurueshme.
Burgjet u mbushën me të rinjë dhe të reja, student, mësimdhënës, intelektualë etj. që u dënuan në mënyrë drakonike me vite të tëra burg.
Pas marjes së “merituar” të dënimit nga Gjykata e Qarkut e Gjilanit duke e akuzuar si “indoktrinues të nxënësve”, “irredentist”, “nacionalist”, prishës i “vëllazërim-bashkimit”, “seperatist” e çka jo tjetër, Basriun me shokë i shpërndajnë në burgjet e ndryshme të Jugosllavisë duke mos treguar se në ç’drejtim i kanë dërguar.
Nuk dinim se ku i dërguan. U përfolën shumë fjalë në popull. Kishte zëra se Basriun me disa shokë i kanë dërguar në burgun hetues të Sarajevës. Gjithashtu këtë version e kishte dëgjuar edhe Ekrem Ismaili nga Malisheva – tani i ndjerë, vëllau i të burgosurit politik – Shaip Ismailit. U takuam me Ekremin dhe vendosëm të shkojmë sëbashku në Sarajevë, sepse ishte bërë një kohë e gjatë që nuk i kishim parë. U nisëm në atë drejtim me shpresën se do t’i takojmë.
Ekzistonte një lidhje autobusi “auto prevoz” i Çaçakut Shkup – Prishtinë – Çaçak – Gorazhdë – Sarajevë.
Nga Prishtina nisemi në ora 20h të mbrëmjes dhe gjatë tër natës udhëtim, arrijmë në Sarajevë në ora 9h të mëngjesit. Pysim një kalimtar se ku gjindet Burgu Hetues, me anën e një taxie jemi para burgut.
Lajmërohemi te sporteli, hapet dhe shohim dy gardian. Përshendetemi dhe pyesim se a ndodhen këtu në burg Basri Musmurati dhe Shaip Ismaili?
Filluan të shiqojnë kartotekat dhe pas gjysëm ore lajmëruan se këtu janë. Ju drejtohemi dy gardianëve përmes sportelit se a mund të ju bëjmë një vizitë sadopak të vogël.
Njëri nga gardianët (sigurisht i përkatësisë serbe) na u drejtua me zë të lartë “ne mozhe ” (nuk mundeni) dhe mbylli sportelin. Ne u ziheshim mes veti dhe nuk dinim ç’te bënim. Pas një kohe u hap sporteli përseri dhe pamë se kishte mbetë vetëm njëri gardian dhe na u drejtua me fjalët se për vizitë është dashur të lajmëroheni me anë të një telegrami se vini në datën që caktoni dhe ne sigurojmë përkthyesin
(si duket ky gardian kishte qëlluar me kombsi boshnjake). Ne i drejtohemi se nuk e kemi ditur dhe herave tjera do të veprojmë konform rregullorës së burgut.
Në një çast mbylli sportelin sepse binte zilja e telefonit dhe e qelë përseri.
I drejtohemi se a mund t’i shohim?
Gardiani dorën në zemër u sillte i kulturuar. I themi se kemi ardhë me të dëgjuar se gjinden në Sarajevë dhe herave tjera do të sillemi sipas rregullave që përcakton rregullorja e burgut.
Vërejtëm se i vinte disi keq të na kthente pa i parë dhe na u drejtua: Ju po e flisni serbokroatishtën shumë mirë dhe vetëm 5 minuta në prezencën time. Ne e dinim se ata nuk pranojnë të flasim serbisht në mes veti. Gardiani shkoi dhe i takoi se kështu qëndron puna se kanë ardhë të ju vizitojnë nga Kosova por jo konform rregullorës së burgut, vendosa që mos të kthehen pa ju parë dhe bisedën ta zhvilloni serbisht. Nuk kanë pranuar që të flasim serbisht dhe i kanë thënë gardianit të kthehen.
Ne e vështronim sjelljen e tij se vërtetë i vinte keq të na kthej pa i parë. Vlenë të theksohet se at kohë në të njejtin burg ishte dhe Alia Izetbegoviq.
Gardiani hap sportelin duke na u drejtuar me fjalët se po më vie keq të mos i shihni, dhe në przencën dhe përgjegjësinë time një vizitë një (1) minutshe dhe të mos flisni tjetër përveq si jeni – mjafton që i shifni dhe kështu u veprua dhe përfundoi kjo vizitë.
Mere me mend një minut gjithë ajo rrugë e gjatë dy netë e dy ditë udhëtim (shkuarje dhe ardhje) lodhje, pagjumsi, rraskapitje e çka jo tjetër.
Herave tjera kur shkonim në vizitë i dërgonim burgut telegram përmes postës se filan datën vijmë në vizitë dhe ata siguronin përkthyesin.
Pas arritjes në shtëpi, prindi më drejtohet duke më thënë se vizitën tjetër do të vij dhe unë sepse ishte kohë e gjatë që nuk e kishte parë.
Por, për fat të keq deshira nuk iu realizua dhe shkoi me merak dhe mall në botën e amshuar pa arrirë të shoh djalin e tij, në shkurtin e vitit 1984.

Tani do t’i referohem titullit
Rrëfim dhe Përjetim Rrënqethës

— Vizitën e rradhës vendosim të shkojmë sëbashku me Teutën, vajzën e madhe të Basriut, por atë kohë ishte shumë e re.
Tani filluam të shkojmë me tren (udhëtimi më i lehtë për familjarë). Nisja bëhej nga Fushë Kosova ora 15h pas dite për të mbërri në Beograd në ora 20h. Treni tjetër për Sarajevë u niste në ora 23h dhe në Sarajevë arrinim të nesërmen në mëngjes.
Si zakonisht me tramvaj arrinim te burgu.
Vizituam Basriun sipas rregullave, pastaj u dashte të presim në Sarajevë deri vonë në ora 17h për të arrirë në Beograd e më vonë kishim trenin të nesërmen për
Fushë Kosovë në ora 01h të natës. Vlenë të thohet dhe të përmendet se në atë kohë serbët u bartnin nëpër mitingje dhe protesta anë e mbanë Jugosllavisë kundër shqiptarëve.
Gjithnjë kur udhëtoja bleja nja dy tri gazeta apo revista në gjuhën serbokroate dhe i vëja në tavolinë në kupenë e trenit.
Natën vonë duke u kthyer nga Sarajeva për Beograd si duket në stacionin e Zavidoviqit (qytet në Bosnje) dëgjoheshin brohoritje të llahtarshme. Treni ndalet dhe rrëmuja e madhe e serbëve që kishin marë pjesë në miting vërshojnë trenin duke ulërij dhe duke kënduar këngë çetnike. Përveq kupeve të trenit, u mbush edhe koridori i gjatë i trenit me turmë çetnikësh duke brohoritur parulla çetnike se do t’i vrasim shqiptarët, do i therrim si derrat, do të iu këpusim kokat dhe do luajmë me to, do t’i shfarosim nga faqja e dheut, do t’i vjerrim të gjallë në shtylla e shumë e shumë parulla të tjera fyese dhe përbuzëse.
Me flokë të gjata, me mjekrra, të vizatuar me llojlloj shenja çetnike, me shajkashë, me shirita të zi në ballë etj. pra me ikonografi tipike origjinale çetnike. Përveq tjerash u dëgjonin edhe brohoritje tjera barbare duke u ç’jerrur se a ekziston në tren ndonjë njeri me gjak shqiptari dhe ta rjepim të gjallë, t’a gjuajmë nga dritarja e trenit që mos t’i mbetët as edhe një koskë etj. Treni elektrik ishte me shpejtësi shumë të madhe dhe këndonin sa mundeshin këngë çetnike me porosi për shqiptarët.
Ne nuk bënim zë me vajzën e Basriut, Teutën e cila ishte e re filiz. Unë ndonjëherë u bëja sikur kur lexoja gazetën serbisht dhe vëreja Teutën e cila me shikonte në sy dhe dridhej e tëra, nuk dija apo e kuptonte këtë situatë.
Në vete mendoja se do të na zbulojnë se jemi shqiptarë dhe do të na gjuajnë nga dritarja e trenit. Përjetim i tmerrsëm, i llahtarshëm, trupi i tëri na u rënqethte, mendoja a do arrijmë të kemi fat t’i shpëtojmë kësaj situate makabre që zhvillohej para syve. Teutën kur shikoja nuk i mbeti gjak në fytyrë, gjithashtu edhe mua.
Treni u ndalte nëpër stacione dhe filloi dalngadalë të zbrazej nga këto hordhi të egra barbare.
Sot kur e kujtoj këtë udhëtim trupi më qon peshë dhe më dridhet. Këtë situatë të rëndë nuk e harroj kurr.

— Vizita e rradhës Edhe më rrënqethëse. Vendosën të shkojnë në vizitë motra Rexhija e cila sapo kishte dalë nga burgu, Ilmija – bashkëshortja e Basriut me djalin Mentorin i cili akoma ishte fëmijë. Gjithashtu me to shkoi edhe Vahide Hoxha me fëmijë të saj për ta vizituar edhe ajo bashkëshortin – Meriman Braha.
Gjatë një udhëtimi tepër të gjatë dhe të mundimshëm, gati tër ditën dhe tër natën, kishin arrirë në Sarajevë në mëngjes rreth orës 8h para ditës.
Marin tramvajin për të arrirë te burgu.
Po sa u ndalte tramvaji në stacion, u dashte shpejt e shpejt të hyhet mbrënda se dyert u mbyllnin shpejt dhe u niste menjëher. Akoma pa hyrë mirë në tramvaj mbyllën dyert dhe për një çast Mentori i vogël mbetet jasht dyerve. Tramvaji lëvizte me shpejtësi dhe motra Rexhije dhe Ilmija nëna e Mentorit fillojnë të bërtasin me zë të lartë që të ndalet tramvaji. Si të ndalet menjëher me shpejtësinë që kishte. Shoferi i tramvajit me të kuptuar situatën duke e ngadalsuar shpejtësinë arrinë ta ndalë.
Motra Rexhije dhe Ilmija sëbashku me Vahidën shpejt e shpejt zbresin dhe shohin Mentorin e vogël duke vrapuar nëpër binarë pas tramvajit. Ç’far fati! ç’far trishtimi! ç’far rreziku! duke menduar që do të vie tramvaji tjetër dhe do e shkelë.
Ç’far përjetimi i rëndë! Ç’far ndjenja dhe emocione kanë mund të kenë në ato çaste të pa imagjinuara! Ruana zot.
Imagjino, një fëmijë i vogël po vraponte nëpër binarët e tramvajit që ta zinte dhe t’i bashkohej nënës dhe hallës së vet.
(Kjo vetëm në filma Holivudian mund të gjirohet) e jo të përjetohet.
Pas kthimit nga vizita rrëfejnë Regjija, Ilmija dhe Vahidja me lot në sy duke mos mund të tregojnë për atë ngjarje të hidhur, rrenqethëse, trishtuese, vajtuese që ju kishte ndodhë.
— Vizitë tjetër e radhës në Zenicë
Nëna ishte bë shumë merak të shoh djalin e saj sepse kishte kohë të gjatë që nuk e kishte parë dhe gjithnjë mendonte se ndoshta nuk do t’i buzëqeshte fati si burrit të saj pa e parë. Por, nëna e vizitoi dhe e përjetoi fatmirsisht edhe lirimin e tij nga burgu në vitin 1989.
Nëna kishte një problem se e mundonte shumë udhëtimi dhe ishte në moshë tejet të shtyer. Vendosëm që të interesohemi mos ka lidhje ajrore (aeroplan) nga Shkupi për Sarajevë.
Aeroplani po fluturonte në mëngjes nga Shkupi drejt Sarajevës dhe në mbrëmje në ora 19h nga Sarajeva drejt Shkupit.
Në Shkup kishim arrirë heret në mëngjes me veturë që na dërgoi Selami Latifi bashkëshorti i motrës si dhe na ka pritur tër ditën deri sa jemi kthyer nga Sarajeva për të na sjellë në Gjilan.
Selamiu përveq që ishte dhëndër ishte mëtepër se shok. Për këtë njeri duhet shkruar dhe meriton të shkruhet.
Kthehemi te tema. Me të arritur në Sarajevë, menjëherë drejtohemi në stacionin e autobusëve. Hipim në autobusin e linjës Sarajevë – Zenicë.
Zenica kishte 80 km. nga Sarajeva.
Me të arrirë në Zenicë marim një taxi drejt burgut qendror të Zenicës.
Lajmërohemi në sportel dhe pas një kohe të shkurtër na ftojnë në vizitë. Nga fundi i vizitës, çka nuk e prisnja nga nëna sepse ka qenë shumë e urtë dhe e pa fjalë dhe i drejtohet djalit të vet me fjalët: mos u mërzit bir fare. Në burg nuk je hyrë për punë të liga por për të drejtat tua, për Kosovën Republikë.
Vëllau ndërhyn duke i thën edhe ti mos u bën fare merak për mua se do të vie një ditë shumë më e mirë. Përkthyesi kur i dëgjoi këto fjalë kërkoi që të ndërpritet menjëher vizita dhe kështu përfundoi kjo vizitë.
Duke dalë nga burgu më ftojnë në njërën nga zyret që ishin afër sportelit, duke menduar se do të më del ndonjë e papritur, por për fat nuk ndodhi diçka me rëndësi, vetëmse me dhanë disa këshilla se këtu duhet të silleni konform rregullave dhe herave tjera duhet të jeni më të përmbajtur në vizitë dhe dolëm nga kjo zyrë.

Gjilan, 31.07.2020

P.S. Një fqiu im më i afërt Farush Okllapi nga Gjilani – tani i ndjerë duke biseduar me Sylë Dajkocin – tani edhe ai i ndjerë, e ku isha prezent edhe unë si i ri, në bisedë e sipër Farushi i drejtohet Sylës me fjalët: Sylë je i menqur, din shumë gjëra dhe mirë mbanë në mend. Është mirë të i ofrosh një gazetari apo historiani gjithë këtë bagazh të dijës që ke dhe t’i qet në letër.Je shkua në moshë dhe një ditë mund t’i marish të gjitha me vete dhe të tretën të tërat, dhe kështu ndodhi.

  • Pra jam inspiruar nga fqinji im se çka shkruhet mbetet, çka mbahet në mend harrohet dhe tretet.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close