LAJME

Pasojat e pandemisë në ekonomi – Në Gjilan pas 7 vjetësh detyrohet ta mbyllë kafenenë në qendër të qytetit

Një kafiteri në qendër të qytetit të Gjilanit, me emrin ‘Corner’, është mbyllur përfundimisht sot. Nëse për disa muaj qëndroi e tillë sepse kishte urdhër nga shteti që të mbyllej, pronari i saj sot po e mbyllë sepse nga masat për pandeminë, nuk ka pasur qarkullim të parasë, nuk i është ofruar më zbritje e qirasë, kishte katër punëtorë që duhet të paguante dhe obligime kreditore. Kësisoj, Lulzim Ahmeti nuk mund të përballonte humbjet dhe ka vendosur ta mbyllë lokalin dhe të mos mendojë më ta hapë, shkruan Reporteri.


Lulzim Ahmeti të mërkurën po hapte dyert e kafiterisë së tij, ‘Corner’ në qendër të Gjilanit. Por, kësaj herë jo për ta rifilluar punën pas dy muajve që e kishte ndalë ai dhe të gjithë tjerët në Kosovë, por për ta larguar inventarin nga aty.

Në një bisedë për Gazetën Online ‘Reporteri.net’, Ahmeti ka treguar se lokalin e kishte tash e 7 vjet dhe arsyeja pse po e mbyllë përfundimisht është goditja financiare që ka marrë nga pasojat e masave për pandeminë.

http://video.gjirafa.com/pandemia-demton-kafeterine-ne-gjilan-e-mbylle-perfundimisht-pas-7-vitesh-mp4

Ahmeti thotë se qiranë mujore e kishte 1200 euro dhe vetëm një muaj ia kishte liruar pronari i lokalit.

“Në muajin Mars e kom pagu 1200 euro, muajin Prill e morra në telefon biseduam, ma boni 600 euro. E bona pagesën përmes bankës, po kurse hala pa fillu muaji Maj prapë e morra në telefon, biseduam, thashë duhet m’ja bo një zgjidhje se nuk muj me përballu me pagu, tha kena bisedu për këtë far pune, nuk ke nevojë mo çka me m’thirrë në telefon, po tha merre komunën ose prej komunës kërko ndihmë, kta nuk e ki prej meje kjo, është për krejt”, tregon ai për bisedën që kishte me pronarin e lokalit.

Ai sot ka larguar gjithë inventarin që kishte në këtë lokal e po ashtu edhe shumë produkte që i kishin mbetur aty.

Ahmeti ka treguar se kishte 4 punëtorë, përfshirë edhe atë si pronar, ishin gjithsejtë 5 persona që paguheshin nga puna në lokal. Ai ka treguar se pagesa mujore e qirasë ishte 1200 euro në realitet, por me kërkesë të pronarit është me kontratë është bërë 300 euro, për siç thotë ai, që pronari i lokalit të mos paguante tatime të mëdha. Kjo duket të jetë arsyeja pse edhe ai nuk ka aplikuar për mbështetje nga shteti në gjysmën e qirasë.
Ka bërë me dije se punëtorët e tij kanë aplikuar për mbështetjen në paga nga 170 euro për muaj nga Qeveria, por thekson se përkundër kësaj, nuk mund ta përballonte më shumë qiranë dhe shpenzimet e tjera, dhe kështu iu kërkua të dalë nga lokali.

“Arsyeja pse e kemi mbyll lokalin, se nuk po mundem me ja dal në këtë kohë pandemie, qiraja është e papërballueshme edhe arsyeja është për këtë. Kërkova prej pronarit të lokalit që të më liron nga qiraja, nuk pranoi edhe kjo është arsyeja që po duhet me mbyllë”, thotë ai, teksa ka një thirrje për autoritete lokale e qendrore që ta ndihmojnë atë dhe bizneset e vogla.

“Ju kisha lut të gjitha organeve kompetente le të ndërmarrin diçka në biznese të vogla se kështu nuk mundemi me mbijetu”, deklaron ai për Reporteri.net.

Por ndonëse ne terren biznese të caktuara kanë nisur të shfaqen probleme, deri edhe në mbyllje, si ky rast, nga Qeveria thonë se ka ulje drastike të papunësisë në nivel vendi. Ministri i Ekonomisë dhe Transfereve, Besnik Bislimi tha se vetëm për një muaj është zbritur për 6 %. Një deklaratë e tillë është komentuar deri edhe në tallje, pasi në krejt botën ka rritje të papunësisë, e tek ne po ndodhë e kundërta.

“Deri më tani në aplikimet e tyre për masën 3, 8 dhe 14 të pakos emergjente të Qeverisë së Republikë së Kosovës, ndërmarrjet e vendit kanë regjistruar gjithsej 9.946 punëtorë të rinjë, ndërsa kanë lajmëruar se kanë larguar nga puna 1268 punëmarrës. Sipas statistikave zyrtare në fund të vitit që lamë pas, 130.289 individë kanë qenë të regjistruar sit ë papunë, dhe shkalla zyrtare e papunësisë ka qene 25.9%. Ndryshimi mes të regjistruarve të rinjë dhe atyre që kanë humbur vendin e punës bënë që numri i të papunëve brenda vetëm një muaji të ulet për 6.6% që përbën uljen më të madhe në 20 vitet e fundit. Kjo, nëse merret si ndryshimi i vetëm në këtë periudhë nënkupton që shkalla e papunësisë zyrtare (ende e nënvlerësuar) do të binte në nivelin e 24.1%. Që nga viti 1999, shkalla e papunësisë në Kosovë kurrë nuk ka qenë më e ulët se 24.5%”, ka shkruar ai.

Hapja e kafeterive është paraparë të fillojë nga mesi i muajit Maj, me shërbimin ‘take away’. Nga 1 qershori është paraparë hapja e tyre, por me kapacitet të përgjysmuar, me më pak tavolina, pasi duhet distancë dhe nuk lejohen ahengje. Klubet e natës dhe hotelet e dasmave është paraparë të rrinë mbyllur edhe për ca kohë.

Hapja e plotë e kafiterive, një nga sektorët e rëndësishëm të ekonomisë në vend, ende nuk dihet se kur do të ndodhë. Kafiteritë janë përfshirë në kuadër të mbështetjes nga Qeveria në paga për punëtorët dhe pagesë për një pjesë të qirasë. Për punëtorët kanë qenë të parapara 170 euro për muaj, 340 euro për dy muaj sa edhe përfshinë Pakoja mbështetëse qeveritare.

Se situata në fushën e gastronomisë është e rëndë e kishin konfirmuar edhe hulumtime të bërë nga ekspertët e fushës.

76.2% e bizneseve në sektorin Gastronomisë në Kosovë do të detyrohen të shkojnë në falimentim nëse situata e krijuar nga pandemia e virusit COVID-19 do të vazhdoj tutje në tre muajt e ardhshëm.

Kjo e dhënë vjen pas rezultateve preliminare të hulumtimit të kryer nga Instituti për Ekonomi të Tregut të Lirë (IETL) në bashkëpunim me Shoqatën e Gastronomisë.

Drejtoresha e IETL, Besa Zogaj-Gashi, në bazë të hulumtimit, ka treguar se 76.2% të pronarëve të bizneseve në sektorin e gastronomisë në Kosovë nuk shpresojnë që do të kenë mundësi të mbijetojnë nga kriza e Koronavirusit, nëse kushtet ekzistuese vazhdojnë.

“Bazuar në të dhënat statistikore nga Rezultatet e Anketës Strukturore të Ndërmarrjeve[1] për vitin 2018 në sektorin HoReCa (akomodim dhe aktivitete të shërbimeve me ushqim) ishin të regjistruara 3,683 ndërmarrje, të shprehura në përqindje përbëjnë 10.40% të ekonomisë. Ndërsa sa i përket punësimit, sektori HoReCa sipas burimit të njëjtë në vitin 2018 kishte 13,955 numrin total të punësuarve, apo të shprehur në përqindje 7.8%”.

“Sipas hulumtimit pothuajse 97.6% e bizneseve të anketuara të këtij sektori, janë shumë të brengosur për shkak se janë detyruar të respektojnë masat emergjente të ndërmarra nga Qeveria për parandalimin e pandemisë së virusit COVID-19, duke mbyllur bizneset e tyre që nga data 13 Mars e këtij viti. Sipas sondazhit, pronarët e këtyre bizneseve kanë humbje të mëdha në baza ditore për shkak të: mos qarkullimit ditor, krizës së likuiditetit, etj”, thuhet në hulumtim.

Po nga rezultatet preliminare të këtij hulumtimi, e dhënë tjetër shqetësuese është se 55.4% e pronarëve të anketuar kanë deklaruar se janë detyruar t’i largojnë të gjithë punëtorët nga vendet e tyre të punës.

“Kjo është shumë shqetësuese, sepse do të rëndojë kushtet financiare të punëtorëve, të cilët edhe ashtu kishin pagë bruto më të ulët në mesatare, krahasuar me sektorët tjerë të ekonomisë, 254 Euro për vitin 2018”.

“Shqetësimet e pronarëve të bizneseve janë të mëdha për shkak të akumulimit të borxheve ndaj furnitorëve, duke krijuar një zinxhir detyrimesh ku 75.9% e të anketuarve janë deklaruar që nuk do të jenë në gjendje të paguajnë obligimet e tyre ndaj furnitorëve dhe të shlyejnë faturat e papaguara”.

“Shqetësimi tjetër i 88% e të anketuarve është vështirësia e tyre financiare për t’i paguar këstet mujore të obligimeve të tyre ndaj institucionet financiare”.

“83.1% e të anketuarve e kanë vlerësuar si të nevojshme, po ashtu u deklaruan se kanë aplikuar për ndonjë nga masat e “Pakos Emergjente Fiskale” nga Qeveria e Republikës së Kosovës që sado pak ta stabilizojnë gjendjen e tyre ekonomike aktuale”, paraqet hulumtimi i kryer nga Instituti për Ekonomi të Tregut të Lirë (IETL) në bashkëpunim me Shoqatën e Gastronomisë. /Reporteri.net/.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close