LAJME

Kush ishte Azem Bejta i Gjilanit që nuk kurseu asgjë për lirinë e vendit?

Azem Korça nga Gjilani, i njohur nëpër Kosovë si Azem Bejta i Gjilanit, ishte një atdhetar i madh, që nuk kurseu asgjë për lirinë e vendit, shkruan portali mediafokus.info

Ai ishte i gatshëm të futej edhe në front, por për shkak të moshës që kishte, i ishte sugjeruar që luftën ta ndihmonte në forma tjera.

Ka kontribuar shumë që fronti i rezistencës së armatosur në Orllat e gjetiu, të jetë sa më i fuqishëm.

Nuk është ndalur kurrë për të dërguar pajisje të ndryshme ushtarake dhe gjera ushqimore për luftëtarët e UÇK-së.

Aq shumë e adhuronte uniformën, sa çmendej pas saj, thonë shokët e grupit, Xhevat Ibrahimi e Zejnullah Zejnullahu.

“Njeri më patriot, më humanist dhe më krenar se baca Azem, ishte vështirë të gjeje”, thonë ata, derisa kujtojnë plakun shtatgjatë e plisbardhë që tani nuk jeton më.

Azem Bejtë Gjilani vdiq në moshën 83-vjeçe, pa statusin e veteranit, të cilin nuk e deshi si dëmshpërblim për ndihmën që i ka dhënë luftës, por si shpërblim për adhurimin që pati ndaj UÇK-së.

Ibrahimi thotë se Azemi i deshi të njësoj liderët shqiptarë, Rugovën, Thaçin, Haradinajn dhe gjithë të tjerët që në çfarëdo mënyre luftuan për lirinë e këtij populli.

Ai nuk bënte dallime. Shoqërohej me të rinj e të vjetër që ishin në gjendje të kontribuonin diçka për lirinë e Kosovës.

“Me Azemin kishim dallime të mëdha në moshë, por dëshira për të ndihmuar luftën na bëri bashkë”, thotë Ibrahimi.

Veçmas e kanë ndihmuar Batalionin 121 në Orllat. Ai thotë se Azemi asnjëherë nuk kërkonte dëshmi për atë që jepte. Çdo ushtar që ka pasur nevojë, e ka ndihmuar.

Materialisht qëndronte mirë dhe të mirat që i kishte për vete, dëshironte t`i ndante me shokët.

Ishte i gatshëm për sakrifica edhe më të mëdha.

Duke e njohur mirë kontributin e tij gjatë luftës, Drenica e respektoi shumë bacën Azem, pas luftës.

E ftonin në çdo manifestim. Pritej e nderohej më shumë se një ministër. Nderohej si një hero.

Xhevati e Zejna kujtojnë shumë momente nga koha që kanë bashkëpunuar me Azemin.

Ai ishte i lidhur drejtpërdrejt me Mejdi Bytyqin, komandant i Njësitit të UÇK-së në Orllat, lagja e Bytyqve dhe me Osman Krasniqin, zëvendëskomandant, të dy këta dëshmorë.

Ishte në moshë, po edhe një komunikues i shkëlqyeshëm dhe dinte t`i shpërthente pengesat që mund të shfaqeshin gjatë rrugës.

Para se të ndahej nga kjo jetë, ai kishte thënë se është i lumtur që do të prehet në tokën e lirë të Kosovës. Kjo ishte ëndrra e tij/mediafokus.info

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close