LAJME

“Loja me karaktere në izolimin e dyfishtë”, artisti gjilanas pjesë e ekspozitës online

“Artist në karantinë”, ekspozita online e Galerisë Kombëtare të Kosovës ka vazhduar me veprat e artistit ri Brilant Milazimi, i cili është prezantuar me një seri pikturash, vizatimesh dhe punimesh digjitale. Dhjetë veprat e prezantuara prej së enjtes janë vazhdimësi e një cikli me punime të nisur në vitin 2017, në të cilin artisti ende po punon.

Karakteret e Milazimit në veprat e prezantuara janë të preokupuar nga ndalesa e lëvizjes së lirë në Kosovë. E në kohën e pandemisë së virusit COVID-19, artisti ka thënë se izolimi ka marrë tashmë edhe një tjetër kuptim. Artisti i ri Brilant Milazimi ka thënë se të gjithë duhet të mundohen që ta bëjnë sa më të lehtë kapërcimin e situatës së krijuar për shkak të koronavirusit.

Sipas tij, një mënyrë më e lehtë për ta kaluar këtë situatë është edhe prezantimi i veprave online nga Galeria Kombëtare e Kosovës, e cila, përmes “Artist në karantinë”, po ua mundëson prezantimin edhe artistëve të rinj.

“Punët e mia, që janë prezantuar nga Galeria Kombëtare e Kosovës, janë vazhdimësi e ciklit që nga viti 2017 e deri më tani, veprat e të cilit në mënyrë figurative e abstrakte trajtojnë tema sociale e politike në vendin tonë, e më gjerë duke u bazuar në hulumtime nga librat psikologjikë e filozofikë dhe hulumtime shoqërore të jetës së përditshme”, ka thënë artisti i lindur më 1994 në Gjilan, ku kreu edhe shkollën e mesme.

Atje ndoqi ligjëratat në shkollën profesionale të artit “Adem Kastrati”, në drejtimin e pikturës. Milazimi tutje ka treguar edhe për konceptim që fshihet prapa punimeve të tij dhe preokupimin kryesor që e kanë personazhet që përthekohen brenda tyre.

“Vlen të ceket që natyra e këtyre punëve dhe karaktereve është e preokupuar nga ndalesa e lëvizjes së lirë të qytetarëve të Kosovës. Kjo tani është e binjakëzuar me gjendje pandemie me të cilën jemi dyfish të izoluar, për dallim nga bota”, ka thënë ai për veprat të cilat janë vaj në pëlhurë, vizatim-vaj në letër dhe punë digjitale.

Vitin e kaluar ai diplomoi në Fakultetin e Arteve në Prishtinë. Për historianen e artit Vesa Sahatçiu – siç shkruan në një kritikë të shkruar për figurat në veprat e Milazimit enkas për ekspozitën online “Artist në karantinë” – personazhet e tij shpesh përçojnë njëfarë ndjenje ankthi dhe izolimi, pasi zakonisht figurat janë vetë por që, me buzëqeshje të sforcuar dhe të ekzagjeruar, sikur tentojnë ta maskojnë këtë ankth. /koha/

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close