LAJME

Malushi personazhi që po u mungon rrugëve të këtij qyteti

Çdo qytet i ka personazhet e tij, me të cilët identifikohet për një periudhë kohore dhe ata, jo të gjithë janë njerëz të dijes apo të humanizmit, as bohemë të vërtetë, çfarë na mungojnë neve, apo qoftë edhe kopje të tyre.

Mund të jenë edhe njerëz të thjeshtë që bëjnë jetë rruge, por janë dashamirës me ne që i shohim çdo ditë dhe, herë i mëshirojmë me ndonjë lekë e, herë iu kërkojmë falje që nuk kemi.

Ndodh që edhe i injorojmë këto personazhe të pazakonta.

I tillë ishte edhe Nevruz Shabani në Gjilan, i cili iku nga kjo botë para më shumë se një dekade, që jo gjithmonë e kuptoi sa duhet, shkruan portali mediafokuis.info

Me këtë emër, Nevruzin, mbase mund ta njoh vetëm ndonjë i rrallë në Gjilan, sepse ai njihej këtu nga të gjithë si Malushi dhe kështu e njihte edhe ai veten e tij.

Malushi bëri jetë eremiti, por i deshi njerëzit e Gjilanit, sepse edhe ata e deshën Malushin si të tillë, një personazh rrugësh, i cili ka frymëzuar kronistë, poetë e shkrimtarë.

Nuk ishte lypsar. Donte nga bashkëqytetarët e tij vetëm një kafe, ose një cigare.

Nga ata që i njihte me emër e mbiemër, jo nga të tjerë.

Refuzonte të merrte më shumë se kaq, ani pse nuk kishte asgjë të tijën.

Atyre që e ngacmonin tepër, ua kthente “Mos u bëni të gjithë Malusha”.

Donte që të tjerët ta kuptonin se ishte botë në vete, i veçantë dhe i papërsëritshëm.

Ishte një adhurues i flaktë i Faruk Begollit. Gjilanasit e kujtojnë mirë atë foton e madhe të Malushit me Farukun, te “ Foto Udhëtari”.

Zemërohej tepër po t`i thoshe një fjalë të keqe për Farukun. “Farukun e kam vëlla”, thoshte Nevruzi.

Interesante apo jo? Një person si Malushi të ishte i lidhur aq fort me njerëzit e artit, me personazhe të mëdha të skenës.

Ndoshta Malushi e kuptonte artin në mënyrën e tij, por ne nuk kishim aftësi ta kuptonin botën e Malushit.

Malushi ishte një karakter i veçantë, dinte të ngrysej e të qeshte, varësisht prej situatave, ishte një personazh që rrëfehej përmes “linjave” të fytyrës dhe që, si i tillë, do t`i mungojë Gjilanit.

Edhe personazhet e thjeshta, që nuk i çmojmë shumë, lënë ndonjëherë gjurmët e tyre dhe Malushi ishte i tillë.

Një personazh si Malushi i mungon Gjilanit.

Profesori Naim Shaqiri, i cili ndërroi jetë para disa ditësh, e kishte rikujtuar një moment nga takimet me Malushin, të cilin ai e çmonte për thjeshtësinë e tij.

“Ndalu, shoq, pije nja pi meje” me tha Malushi teksa e përshëndeta me nxitim meqë isha për ngut. Ishte ulur tek një tavoline te kafeterise ne kënd te taksistet. Kur i tregova perse nxitoja, ma ktheu: “A s’po do me pi me Malushin, a?”

Nuk bënte pa u ndale. Ne fund, kur deshta te paguaja kafet, me tha ta lija për tjetër here sepse ai dëshironte te me qeraste këtë here.

Njëherë tjetër, teksa pinim bashke me dajallarët ne hotel, erdhi Malushi dhe u ul me ne pasi e lutem. Daja im, qe punon ne Zvicër, i dha 100 franga. E mori Malushi kartëmonedhën ne dore, e shikoi dhe ia ktheu. “Po zezatesh me mue, a? Nuk jonë për Malushin k’to – k’qyr naj t’imte”, i tha dhe filloi te qeshte bashke me ne.

Kjo e fundit ishte sa për ta ilustruar atë qe thuhet në këtë shkrim, se Malushi ishte bote më vete, se ka frymëzuar edhe kronistë…

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close