LAJME

Të vetmin burim që nuk e ka prekur thatësia është ai në Velekincë, vazhdon të prodhojë 64 litra për sekond

Gjilani ka nëntë muaj që po përballet me thatësi ekstreme si pasojë e mungesës së reshjeve.

Si pasojë e kësaj, i pari i kësaj Komune, Lutfi Haziri, në qershorin e vitit 2019, pati shpallur situatë emergjente, e cila po vazhdon edhe sot.

Një lajm shpresëdhënës u dha sot pas takimit të nënkryetarit Arbër Ismajli me krerët e Hidromoravës, të cilët konfirmuan se shumë shpejtë do të nis edhe hapja e puseve të reja, si zgjidhje emergjente.

Por, si ka qenë dhe si është gjendja e prodhimit të ujit në Gjilan në litra për sekond?

Mediafokus.info ka siguruar statistikat e sakta nga Hidromorava për këtë aspekt.

Gjilani tash e disa dekada furnizohet me ujë nga katër burime: penda e Përlepnicës, Guri i Hoxhës, Baja dhe Velekinca, raporton mediafokus.info.

Në kushtet kur ka pasur reshje të bollshme, penda e Përlepnicës ka prodhuar 130 litra për sekond, derisa sot gjendja është e vështirësuar dhe prodhohen vetëm 35 litra për sekond.

Baja ka prodhuar 30 litra, derisa sot prodhon vetëm 10 litra për sekond.

Guri Hoxhës më herët ka prodhuar 90 litra, ndërkaq sot vetëm 30 litra për sekond.

Të vetmin burim që nuk e ka prekur thatësia është ai në Velekincë, i cili po vazhdon të prodhojë 64 litra për sekond sot e 10 vite më parë, kur ishte funksionalizuar pas investimit të Qeverisë së Zvicrës.

Pra, nga 304 litra që prodhonin këto burime në kohën kur kishte ujë me bollëk, sot prodhohen vetëm 109 litra për sekond, ose për afro 200 litra më pak, shkruan Mediafokus.info.

Gjendjen me furnizim e kanë përmirësuar paksa burimet e reja, të cilët po prodhojnë ujë të pijes për 30 litra për sekond.

Ndërkohë, si zgjidhje afatmesme e problemit të ujit të pijës për Gjilanin parashihet ndërtimi i pendës së Llapushnicës, e cila mund të bëhet në 3 vitet e ardhshme, derisa zgjidhja afatgjate parashihet të bëhet përmes lumit master projektit të Lepencit, por që ky projekt mund të zgjasë deri dhjetë vite.

Është interesant fakti se pjesa më e madhe e sipërfaqes së tokës në botë është me ujë.

Por, sipas ekspertëve ndërkombëtar, vetëm 0,003 për qind e sasisë së përgjithshme të ujit është në dispozicion për njerëzit dhe gati një e treta e popullsisë së botës nuk ka qasje të mjaftueshme.

Problemi i ujit të pijshëm është sfida globale e shekullit 21./MediaFokus/

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close