LAJME

Cilat janë 12 “mrekullitë” e vogla të Gjilanit?

Gjilani si qytet, gjithmonë i ka pasur karakteristikat e veta, me të cilat është identifikuar ndër vite, deri në ditët e sotme, pavarësisht se një numër i konsiderueshëm i tyre janë rrënuar nga pushtetet e mëhershme dhe nga vetë koha, shkruan mediafokus.info.

Dymbëdhjetë “bukuritë” e tij konsiderohen Kalaja e Pogragjës, shpella e Resulës, burimi në Pidiq, lumi Llapushnica në Pogragjë, liqeni i Përlepnicës, Guri i Shpuem, shpella në Bresalc, Tumat ilire, gurët natyral artistik në Malishevë, ujërat minerale në Nasalë e Miresh, hanet, mullinjtë, çezamt e tjera.

Objekt mjaft i lashtë dhe i rëndësishëm në Gjilan, është Kalaja e Pogragjës. Llogaritet të jetë e vjetër mbi 15 shekuj.

Pas rinovimit të saj, kanë dalë në pah gjithë vlerat e një monumenti të lashtë. Kalaja është bërë në një vend shumë tërheqës për vizitorë.

Gjatë pastrimit të hapësirës së kalasë, janë gjetur dy varreza shumë të vjetra me eshtra, monedha të shumta dhe eksponate të ndryshme.

Thuhet se ka qenë një qytet i tërë, që kishte një dalje nëntokësore te lumi Morava.

Është e ndërtuar nga një mur i trashë prej gurëve, të cilët janë marrë prej lumit Moravë, duke u bartur dorë më dorë deri në maje të kodrinës.

Pogragja si vendbanim identifikohet me kalanë, e cila gjendet në pjesën perëndimore të fshatit, në një kodrinë, në anën e djathtë të lumit Morava.

Vendi ku ekziston kalaja, është shumë karakteristik. Thonë se prej aty shihet kalaja e Artanës, që dëshmon se kalatë kanë komunikuar mes vete.

Objekt me vlerë dhe mjaft interesante për t`u vizituar, është edhe shpella e Resulës, që sipas legjendës, e ka daljen në rrethinat e Kumanovës.

Thuhet se këtë korridor e ka përshkuar tej për tej një zagar që po ndiqte pas një lepur.

Një atraksion i vërtetë janë edhe burimi në Pidiq, lumi Llapushnica në Pogragjë dhe liqeni i Përlepnicës.

Guri i Shpuem, mbi Përlepnicë, përngjan me një gojë të etur, e cila pret të pijë ujët e liqenit.

Shpella në Bresalc, e cila është zbuluar së voni, pret të hulumtohet më tutje, që korridoret e saj të bëhen të depërtueshme për vizitorë.

Tumat ilire në Llashticë, që janë të rëndësishme për kulturën ilire dhe patjetër edhe atë shqiptare, i takojnë epokës së hekurit.

Riti i varrimit në tuma qe shfaqur për herë të parë në epokën e bronzit. Në epokën e hekurit, numri i varrezave të tilla është shumë i madh.

Tumat ilire të Llashticës janë zakonisht disa kodra të vogla në rrafshina, të përbëra nga gurë e dhe. Njëra prej tyre që nuk është hulumtuar ka një sipërfaqe prej 800 m/2 (20×40 m).

Mrekulli në vete janë edhe gurët natyral artistik në Malishevë, ujërat minerale në Nasalë e Miresh dhe të tjera.

Në komunën e Gjilanit janë të njohura edhe Hani i Fetah Qerimit në Verbicë të Zhegocit dhe Hani i Ajvaz Sylës në Bresalc.

Mullinjtë kanë qenë shumë të përhapur në komunën e Gjilanit. Kishte fshat me dy-tre mullinj, siç ishte Përlepnica e Cernica e ndonjë edhe më tepër.

Vërbica e Zhegocit i kishte 7 mullinj, ndoshta edhe për shkak të largësisë me qytetin.

Mullinjtë në Pidiç, Miresh, Livoç i Epërm dhe Verbicë e Zhegocit janë ndër të rrallët që punojnë edhe sot.

Edhe qyteti i Gjilanit i kishte dikur mullinjtë e tij, por sot nuk ekzistojnë më.

Veç mullinjve, në Gjilan kishte edhe çezma, ku uji sillej nga largësi të mëdha me gypa prej dheu.

Në qytet sot funksionon Çezma e Balecit.

Çezmat më të njohura në qytet kanë qenë: Çezma e Lilit (Petigocit), Çezma e Okllapëve, Çezma e Agushagëve dhe Çezma e Ilaz Beut.

Në fshatra ka shumë çezma edhe sot, po më pikantja mbetet çezma e Sahit Agës në Kufcë të Poshtme./mediafokus.info

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close