LAJME

Anamoravë: Rënie drastike e numrit të nxënësve, për gati 5 vjet mbi 5 mijë nxënës më pak

Në rajonin e Anamoravës, sipas statistikave, janë rreth 31 mijë nxënës që i bie mbi 5 mijë më pak se në vitin shkollor 2015-2016.

Në shumë fshatra malore të rajonit të Anamoravës, shkollat po mbesin çdo vit me më pak nxënës, për shkak të shpërnguljes së banorëve nga vendet rurale dhe ikjes së tyre jashtë Kosovës.

Fenomeni i migrimit që ka prekur sistemin arsimor ka bërë që në disa vende rurale-malore shkollat edhe të mbyllen. Por jo vetëm, rënia drastike e numrit të nxënësve po prek edhe qytetet e fshatrat e mëdha me shumë banorë. Zvogëlimi i numrit të nxënësve po prek edhe mësimdhënësit e tyre, transmeton PlusTv.
Kjo gjendje po del të jetë sfidë e madhe për institucionet arsimore në këto Komuna pasi kjo po ndikon edhe në normat e mësimdhënësve e që shumë prej tyre në një të ardhme të afërt mund të mbesin pa punë.
Komuna që po e sfidon më shumë këtë realitet është Kamenica. Në rajonin e Anamoravës në institucionet parauniversitare, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës për vitin shkollor 2018/19, janë mbi 31 mijë nxënës që i bie mbi 5 mijë më pak se në vitin shkollor 2015-2016 që ishin mbi 35 mijë nxënës.

Sipas statistikave, Kosova ka mbi 11 mijë nxënës më pak nga viti 2004.

E, për shkak të numrit të vogël të nxënësve, komuna e Kamenicës do t’i mbyllë disa shkolla si pjesë e reformës. Sivjet në shkollat e Komunës së Kamenicës janë rreth 4 mijë nxënës, derisa para 10 vjetëve kanë qenë mbi 8 mijë, shkruan Plus Televizion.

Kryetari, Qëndron Kastrati, ka nisur një reformë në arsim dhe nga e cila nuk po tërhiqet pavarësisht kundërshtimeve nga ana e banorëve.
Sipas Komunës, në reformën në arsim që parasheh një proces të riorganizimit të 19 shkollave fillore po bëhet për të mirën e nxënësve. Kastrati, është deklaruar se fillimi i vitit të ri shkollor 2019/2020 në Kamenicë do të përcillet me procesin e riorganizimit të shkollave.
“Pas hulumtimit të gjendjes në terren për më shumë se një vit; konsultimit me dhjetëra profesionistë të fushës në Kosovë, Shqipëri, e më gjerë, dhe sidomos për shkak të fëmijëve të cilët janë fokusi ynë kryesor, ne jemi të bindur që riorganizimi i shkollave është i domosdoshëm. Riorganizimi vjen si rezultat i ndryshimeve demografike që tashmë kanë ndodhur. Kamenica sot ka 40% më pak nxënës sesa në vitin 2011. Në më shumë se gjysmën e shkollave në Kamenicë, klasa e parë i ka më pak se 5 nxënës. 19 nxënës e kanë vetëm një shok klase dhe 25 të tjerë nuk e kanë asnjë shok klase”, kishte thënë Kastrati.

“Krizë” për nxënës në shkolla e Anamoravës kanë deklaruar edhe drejtorët e Arsimit në komunat Gjilan e Viti. Në komunën më të madhe të këtij rajoni, në Gjilan, Drejtori i Arsimit, Nazim Gagica, në një konferencë vitin e kaluar, u shpreh se problem i madh mbetet, rënia e numrit të nxënësve, që sipas tij, për këto 5 vite janë 5219 nxënës më pak që po ndikojnë edhe normat e mësimdhënësve, njofton Plus Tv. Në këtë komunë, që ka 58 shkolla, nuk janë zhvilluar reforma në arsim në stilin e asaj çfarë po ndodhë në komunën fqinje, Kamenicë.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në vitin e ri shkollor 2018/19 në Gjilan, janë 17 mijë e 819 nxënës derisa kjo komunë ka përuruar ditë më parë një objekt të ri shkollor në fshatin Haxhaj.

Hiq më mirë nuk qëndron as Komuna e Vitisë, që ka 38 shkolla e 8 mijë e 729 nxënës, e vit pas viti, ka rënie të numrit të nxënësve që regjistrohen në klasën e parë. Në shkollën fillore “Halil Alidema” në Çifllak të Vitisë, mësojnë vetëm tre nxënës që u jep mësim vetë një mësuese.

E shkolla tjetër në fshatin malor Debelldeh, vend që është braktisur nga banorët më së shumti në periudhën e pasluftës, nuk i ka as 20 nxënës, e në klasën e parë këtë vit shkollor ishte regjistruar veç një nxënëse.

Kjo shkollë rrezikon të mbyllet për shkak të numrit të vogël të nxënësve ani pse një gjë e tillë kundërshtohet nga banorët. Edhe institucionet tjera në zonat rurale të Vitisë po përballen me numrin e vogël të nxënësve.

Veç Anamoravës, rënia drastike e numrit të nxënësve është shqetësuese për gjithë Kosovë, si pasojë e shpërnguljes së madha të popullsisë nga vendet rurale në ato urbane, dalja jashtë Kosovës e qytetarëve, rinisë kryesisht, dhe rënia e natalitetit si problem tjetër po ashtu. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës në vitin e ri shkollor 2017/18, numri i nxënësve ka qenë 354 mijë e 454 nxënës. Në krahasim me dy vitet paraprake shkollore, numri total i nxënësve ka rënë për më shumë se 13 mijë.

Numri i nxënësve në institucionet parauniversitare në të gjitha nivelet në rajonin e Anamoravës, sipas ASK-së është mbi 31 mijë nxënës. Ndaj kësaj situate në sistemin arsimor në vend, ekspertët e arsimit shohin si nevojë riorganizimin arsimor për përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies dhe të nxënit, ku përveç Kamenicës në këtë regjion, komunat tjera nuk kanë ndërmarrë masa për ndryshime në sistemin arsimor kosovarë që sipas statistikave, ka mbi 11 mijë nxënës më pak nga viti 2004./PlusTv/

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Check Also

Close
Back to top button
Close