LAJME

Valentina Bunjaku: Jemi njerëz, përveç punës kemi nevojë për pushim e argëtim

Deputetja e LDK-së znj. Valentina Bunjaku ka reaguar përsëri në lidhje me temën e cila është duke u diskutuar këto ditë në Qytetin e Gjilanit, se a duhet e diela të bëhet pushim.

Deputetja nga Gjilani ka thënë se përveç punës kanë nevojë edhe për pushim e argëtim.

Ju sjellim reagimin e plotë:

Ligji i punës dhe pushimi javor

Organet e partisë marrin vendime kolektivisht, kurse ne kemi edhe mendime personale, të cilat janë qëndrime individuale deri sa nuk mendon njësoj edhe partia. Atëherë, si e mendoj personalisht pushimin javor, e që mbështetet vetëm në Ligjin e Punës?

As më pak, e as më shumë se qysh e përcakton ligji. Ligji i punës është më përcaktuesi. Neni 31 i këtij ligji, edhe emërtimin e ka “Pushimi javor”, i cili e shpjegon qartë: “1. I punësuari ka të drejtë në pushim javor në kohëzgjatje prej së paku njëzetekatër (24) orë pandërprerë.” Se a është e diel, apo cila ditë, punëtori ka nevojë ta ketë të paktën një ditë pushimi javor, madje 24 orë pa ndërprerje. Kjo ditë më lehtë se për të dielen, sidomos qendrat e mëdha tregtare, nuk e kanë asnjë ditë tjetër. Pajtohem që kjo duhet të jetë njëjtë, në të gjithë territorin e Kosovës, sepse krijon zhvendosje të kompanive nga një komunë në tjetrën dhe mund të krijon dilema ligjore dhe sfida zbatimi. Pasi që e diela nuk përmendet tekstualisht në ligj, mund të ndryshohet edhe ligji, ku do të kishte edhe përjashtime, sidomos për disa shërbime të nevojshme. Mirëpo, mua më dhemb në shpirt gjendja e punëtorëve në Kosovë, që paguhen pak, punojnë shumë orë, nuk i paguhet sa duhet puna natën e ndryshe ditën, nuk i paguhet puna shtesë sa duhet, nuk ka pushime ditore, javore, mujore e vjetore, siç e parasheh Ligji i punës dhe kjo vetëm po i demotivon punëtorët për të ikur jashtë vendit. Rritja e pagës, sigurimi shëndetësor, respektimi i Ligjit të punës, e veçmas pushimit, do të rriste motivimin për punë nga klasa punëtore. Për të dielen si ditë pushimi, duhet të ketë vendim në Kuvendin e Kosovës, përcaktim e ndryshim i vockël i Ligjit të punës dhe t’ia japim gëzimin e kënaqësinë në punë, të gjithë punëtorëve. Cili prej nesh nuk e do një të diele të rri me familjen e vet, të shëtisë e të dalë në natyrë?!

Unë jam djathtiste, i takoj një partie të djathtë si LDK-ja, ku ekonomia e lirë, vetiniciativa, tregu i lirë, mungesa e ndërhyrjes së shtetit në liritë e plota ekonomike, janë parime kryesore, por është pikërisht djathtizmi, neoliberalizmi amerikan dhe kapitalizmi social i shumë vendeve evropiane që i kanë rregulluar kushtet më të mira për punëtorët, se sa në çfarëdo shteti komunist, të majtë radikal etj. Shtetet djathtiste kanë avancuar më së shumti në pushimet për punëtorët dhe kushtet në punë. Në Evropën Perëndimore dhe vende kapitaliste e të djathta, gjeni shumë markete të mëdha, të mbyllura krejt të dielen, e të shtunën mund të punojnë madje deri në ora 18:00. Pse nuk e marrim model pikërisht Bashkimin Evropian e Perëndimin në tërësi? Një konsumator që ka blerë çdo ditë në një market, ose një herë në dy javë ose një herë në muaj, mund ta bëjë blerjen për 6 ditë, përveç të dieles! Çfarë humb biznesi në këtë rast? Vetëm kursen dhe disiplinon konsumatorët të blejnë në 6 ditët e tjera, e jo 7 ditë siç është aktualisht. Pse në BE, të shtunën shkojnë blejnë, se e dinë që të dielen janë marketet e mbyllura, me përjashtim të pompave të karburanteve, hoteleve, kafeterive etj.?! Në fillim na duket e vështirë si konsumatorë, por mësohemi shpejt. Me rëndësi është që ne t’i kemi 6 ditë mundësi për blerje, e 1 ditë punëtori për pushim javor. Jemi njerëz dhe përveç të punojmë e flemë, kemi nevojë për pushim e argëtim. Ky është mendimi im dhe po synoj që të shndërrohet në vendim për të gjithë punëtorët. Mbetet shumica të na mbështesin në këtë mendim!

Punëtorët meritojnë dinjitet e respekt !!

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Check Also

Close
Back to top button
Close