LAJME

Uji i kalasë së Pogragjës përdorej si qumësht për të ushqyer fëmijët?

Kalaja e Pogragjës, një nga monumentet më të vjetra në rajonin e Gjilanit, e ka një histori po aq të lashtë sa edhe gurët e mureve të saj, që ruajnë shumë legjenda e të vërteta brenda tyre, që si rrëfime të mira e të hidhura janë trashëguar ndër shekuj, brezi pas brezi, shkruan portali mediafokus.info.

Sipas gojëdhënave, ndërtimi i kalasë ka zgjatur disa vite, aq sa njëri prej muratorëve ishte plakur duke punuar në ato mure, aq sa nuk e kishte njohur as djalin e tij, i cili një ditë kishte shkuar të takonte të atin.

Pavarësisht periudhave të gjata e të vështira, nëpër të cilat ka kaluar Kosova dhe populli i saj, kalatë dhe rrëfimet për to, kanë mbijetuar deri në ditët tona.

Kalaja e Pogragjës, sipas pleqve të kësaj ane, është një monument shumë-shumë i vjetër, po aq sa edhe rrëfimet për të cilat tregohen edhe sot.

Në murin e dytë të kalasë, legjenda thotë se ekzistonte një gur i bardhë, nga i cili buronte pa ndalë ujë si qumësht.

Thuhet se këtë ujë, gratë e shfrytëzonin si qumësht për t’i ushqyer fëmijët e tyre të vegjël.

Pos qumështit që buronte nga guri, kalaja kishte edhe mrekulli të tjera, që te populli i kësaj ane janë ruajtur si rrëfime për kalanë.

Thonë se njëherë, një bari plak, i njohur si mixha Daut dhe një rojtar pylli, ishin zhdukur diku pa gjurmë dhe askush më nuk ka marrë vesh për fatin e tyre.

Supozohet se ata kishin gjetur qypin me lira në lokalitetin e kalasë dhe ishin larguar rrugëve të panjohura.

Në të njëjtin vend,  ku sipas legjendës, bariu dhe rojtari kishin gjetur ar, më vonë janë parë hulumtues tjerë të panjohur.

Me siguri kanë ardhur për të kërkuar ndonjë qyp tjetër me lira dhe gjësende tjera me vlerë të kohës romake.

Sipas legjendës, kalaja kishte rënë në duart e pushtuesve vetëm pasi një grua plakë iu kishte treguar atyre portën hyrëse.

Ndryshe, kalaja nuk mund të mposhtej nga jashtë. Kalaja përbëhet nga mure, shpella e korridore të ndryshme.

Thonë se brenda saj, në nëntokën e kodrinës, ka ekzistuar një qytet i tërë. Edhe fshati (Pogragjë) supozohet ta ketë marrë emrin sipas kalasë.

Muri i kalasë është i ngritur prej gurëve, të bartur dorë më dorë, nga lumi Morava e Binçës.

Ndërtimi i kalasë ka zgjatur për shumë vite dhe njëri nga ustallarët e murimit, sipas gojëdhënave, ka qenë nga Lipovica, që gjendet jo shumë larg fshatit Pogragjë.

Ai, sapo është martuar, ishte marrë rob për ndërtimin e kalasë dhe nuk ishte lejuar të kthehej më në shtëpi. Gruaja e lënë shtatzënë kishte lindur dhe djali ishte bërë burrë, pa e njohur babanë e vetë.

Thonë se djali e paska pyetur një ditë nënën se ku gjendej babai dhe ajo, sipas legjendës, i ka treguar që i ati punonte në ndërtimin e kalasë së Pogragjës, e cila gjendej diku tutje këtij lokaliteti, jo aq larg sa të mos shkohej për një ditë.

Një ditë prej ditësh, djali kishte marrë udhën drejt kalasë, për t`u njohur me muratorin që nuk po kthehej në shtëpi prej aq vitesh.

Dhe, legjenda e njohjes së të birit me babanë vazhdon tutje dhe mbyllet me një përfundim tragjik.

Sipas një versioni të legjendës, muratori e lëshon një çekan të rëndë mbi kokën e djalit dhe e mbyt në vend, sepse nuk dëshiron që t`i përsëritet fati i tij.

Sipas versionit tjetër, muratorit i bie çekani nga dora, nga habia kur djali i panjohur i thotë se ishte i biri i tij. Për kalanë e Pogragjës ka edhe legjenda tjera.

Në popull flitet se njerëzve të kësaj ane, rrugës për në Pogragjë, natën u shfaqej një vajzë e bukur, që krihej te vendi i quajtur Goven.

Besohet se aty ka qenë një dalje nëntokësore nga brendësia e kalasë, ku banorët lëshoheshin poshtë, korridoreve të brendshme dhe furnizoheshin me ujë nga Morava.

Pikërisht nga kjo portë besohet të jenë futur brenda kalasë pushtuesit.

Kalaja e Pogragjës gjendet 10 kilometra në juglindje të Gjilanit. Është e pozicionuar në grykën e Llapushnicës, në lartësi mbidetare prej 567 metra dhe poshtë saj rrjedh lumi i Moravës së Binçës.

Kalaja ka një sipërfaqe të brendshme prej 1.2 hektarësh dhe është tipike për kohën e Justinianit (shek. VI), respektivisht bën pjesë në kuadër të rrjetit të fortifikatave të ngritura në Dardani, nga fundi i antikitetit të vonë.

Ky fakt vërtetohet edhe nga dokumentet e shkruara dhe nga monedhat e gjetura gjatë hulumtimit që është bërë në kala.

Monedha më e vjetër që është gjetur, daton nga vitet 246 – 249, me portretin e Otacila Severa, gruas së Filipit të Parë.

Planimetria e citadelës së Kalasë së Pogragjës ka formën e një pesëkëndëshi të çrregullt, ndërsa muri jugor i kullës qendrore ka rolin e murit mbrojtës të citadelës, një nga karakteristikat që e dallon këtë kështjellë prej kështjellave tjera.

Kalaja e Pogragjës ka tri mure rrethuese, të cilësuara si: muri i parë, muri i dytë dhe muri i tretë rrethues.

Një pjesë e këtyre mureve gjenden mbi sipërfaqen e tokës, ndërsa pjesa tjetër, nën dhe. Muri i parë rrethues mbi tokë ka gjatësinë 17 metra dhe lartësinë 4 metra.

Ndërsa muri i dytë rrethues ka gjatësinë 27 metra. Në pjesën më të lartë ruhen gjurmët e një kulle vrojtuese, muret e së cilës shkojnë deri në dhjetë metra lartësi dhe e cila ka trajtë katrore me dimensione simetrike 8 x 8 metra.

Gjithashtu, në pjesët e akseve të kësaj fortese, gjenden kullat me dimensione më të vogla, të vendosura si në pjesën perëndimore, veriore dhe verilindore, si dhe vende-vende ruhen akoma në lartësinë prej afër 4 metrash.

Gjatë punimeve që janë bërë në vitin 2007 është zbuluar edhe kanali i nëntokësor, i cili lidh pjesën e kalasë brenda mureve me lumin Morava.

Në kala gjendet edhe i ashtuquajturi “Guri i Qumështit”, i cili në popull njihet si guri shërues./mediafokus/

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Check Also

Close
Back to top button
Close