LAJME

Qeveria nuk e kishte ndihmuar Gjilanin në zgjidhjen e problemit të ujit as në vitin 2007

Nuk është hera e parë që Gjilani po përballet me krizën e ujit. Të paktën pas luftës, kjo i ka ndodhur edhe dy-tri herë të tjera, por gjendja pak a shumë e njëjtë ka qenë në vitin 2007.

Asokohe, Komuna i kërkoi ndihmë qeverisë për të zgjidhur problemin e ujit të pijes, sikur që i kërkoi sërish edhe në vitin 2019, por nuk mori përgjigje, raporton portali mediafokus.info

Në kronikat e gushtit të vitit 2007, shkruhej kësisoj: Komuna e Gjilanit kërkon ndihmë nga Qeveria e Kosovës për të përballuar krizën e ujit të pijes, duke konstatuar se “Gjilani është në gjendje shumë kritike për ujë të pijes, më shumë se çdo komunë tjetër në Kosovë”.

Komuna kishte ngritur edhe një shtab komunal të krizës. Vlerësim i Shtabit ishte se Gjilani ka nevojë për 300 litra ujë në sekondë, ndërsa e ka në dispozicion gjysmën e kësaj sasie.

Edhe asokohe, kriza ishte shkaktuar në liqenin akumulues në Përlepnicë, ku niveli kishte rënë për 13 metra dhe rrezikohej mbyllja e tij.

Ndoshta, gjendja ishte edhe më e vështirë se sa tani, meqë asokohe Gjilani nuk i kishte ende burimet në Velekincë, që u hapën më vonë me donacione  nga qeveria zvicerane.

Në të njëjtën kohë, komuna në bashkëpunim me OSBE-në, kishte zhvilluar një fushatë vetëdijesimi të qytetarëve, ku kërkohej kursimi maksimal i ujit të pijes.

Ndërkaq, Bordi i Drejtorëve, përmes një shkrese, i kishte kërkuar AKM-së, si menaxhuese e kompanisë “Hidromorava” që të hulumtojë zgjidhje alternative për furnizimin e qytetit me ujë, nëse gjendja përkeqësohet edhe më tutje./Mediafokus/

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close