LAJME

Gjilani dhe Parteshi nuk po merren vesh për ndërtimin e Rrugës së Kumanovës

Gjilani dhe Parteshi nuk kanë arritur marrëveshje për zhvillimin e projektit ndërkomunal për ndërtimin e Rrugës së Kumanovës, e cila shtrihet në zonat kadastrale të këtyre dy komunave. Ndonëse mungon marrëveshja, pushteti komunal i Gjilanit është duke e zhvilluar këtë projekt. Tashmë ajo ka angazhuar një kompani, e cila ka për detyrë të përgatitë elaboratin e shpronësimeve për nevojat e ndërtimit të rrugës.

Me këtë projekt synohet lidhja e qytetit të Gjilanit me fshatin Zhegër dhe nëpërmjet saj me kalimin kufitar në Stançiq. Drejtori komunal i Kadastrës në Gjilan, Salih Fazliu, ka thënë se do të kërkojnë nga Qeveria e Kosovës të bartë barrën financiare për shpronësimet që do të realizohen. Ai thotë se me qeverisjen komunale të Parteshit janë duke tentuar që të kenë marrëveshje.

“Elaborati është duke u përgatitur nga kompania e cila ka bërë projektin e rrugës dhe do të identifikohen të gjitha pronat private që preken me ndërtimin e rrugës. Rruga e Kumanovës shtrihet në zonën e Gjilanit dhe të Parteshit. Dy komunat janë duke bërë përpjekje për një marrëveshje që për shpronësimet t’i drejtohen Qeverisë së Kosovës, e cila duhet t’i bartë obligimet, meqë kjo rrugë është ndërkomunale. Në fakt, ky projekt i infrastrukturës mundëson që të kemi një lidhje më të shpejtë në drejtim të kufirit me Maqedoninë”, ka thënë ai.

Fazliu ka bërë të ditur se ndërtimi i Rrugës së Kumanovës parashihet edhe në planet zhvillimore të Komunës. Procedurat për këtë rrugë, sipas tij, kanë nisur dhe se është arritur që të realizohet edhe këmbimi i pronës komunale me atë private.

“Në Kuvendin Komunal kemi nxjerrë një vendim që për nevojat e ndërtimit të Rrugës së Kumanovës të bëhet kompensimi pronë me pronë. Gjithashtu për nevoja të rrugës kemi bërë edhe këmbimin me Shoqatën e Gjahtarëve. Rruga e Kumanovës është e përfshirë në dy plane urbanistike”, ka thënë ai.

Në Komunën e Parteshit, e cila drejtohet nga Dragan Petkoviq, kanë konfirmuar se nuk është nënshkruar marrëveshja me Komunën e Gjilanit për këtë projekt të infrastrukturës.

kemi ndonjë marrëveshje me Komunën e Gjilanit për këtë”, thuhet në përgjigjen e tyre. Qeverisja e Parteshit nuk ka treguar nëse pajtohet që të zhvillohet ky projekt e as rreth shpronësimeve.

Ndërsa projekti është ende në fazën fillestare, qytetarët janë shprehur në favor të realizimit të tij.

“Ajo rrugë është përdorur para 60 vjetëve. Është rrugë e rëndësishme për qytetin, ngase shkurtohet distanca, por edhe sjell zhvillim, sepse lidhet edhe me pikën kufitare”, ka thënë Shaban Hamdiu.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close