LAJME

Një spital lufte i harruar, thellë në malet e Zhegocit

Sabedin Sherifi

Thellë në malet e Zhegocit, në një fushëgropë jo të gjerë, të thellë e të rrethuar me male të larta pothuajse në të gjitha anët, gjendet lagjja Hasanaj.

Dikur këtu kishte shumë gjallëri, ndërsa sot është pothuajse e boshatisur dhe e shkretë.

Pas luftës, njerëzit kanë shpërngulur gjithandej Kosovës, si në Gjilan, Ferizaj, Prishtinë, Lipjan e gjetiu, ndërsa shumica e tyre kanë migruar në perëndim, konkretisht në Zvicër.

Para luftës, mërgimtarët kishin investuar shumë në vendlindje, duke ndërtuar shtëpi të bukura dhe të mëdha, ndërkaq pas vitit 1999 e këndej, ky vendbanim është pothuajse bosh.

Shumica e shtëpive u dogjën nga okupatori, kurse disa u rrafshuan me tokë. Sot, këtu mund të takosh ndonjë kalimtar rasti, apo ndonjë mërgimtar që ka ardhur për të hequr mallin e vendlindjes.

Gjallëria e dikurshme nuk ekziston më. Lagja Hasanaj është mbytur në heshtje, sidomos në muajt e dimrit, kur këndej pari dëgjohet vetëm gurgullima e ujërave që rrjedhin nga malet sipër.

Gjatë kohës së luftës, fshati ishte një strehë e madhe për luftëtarët e ZOK-ut dhe zonave të tjera që kalonin nëpër malet e Zhegocit. Banorët ishin pjesë aktive e luftës për çlirim të Kosovës, duke ndihmuar me luftëtarë dhe të mira materiale.

Lufta kërkonte përkujdesje shëndetësore për luftëtarët dhe qytetarët e grumbulluar në këtë zonë, të cilët ishin larguar nga qytetet dhe fshatrat kosovare, që po digjeshin nga flakët e luftës.

Shtabi i ZOK-ut, brenda mundësive të tij, u organizuar dhe hapi spitalin e UÇK-së, i cili për rrethanat e luftës dhe të kohës, ishte shumë modern. Posedonte ambulancën dhe sallën operative.

Një kontribut të veçantë në themelimin e këtij spitali dhanë vëllezërit Poroshtica, dr Fatmiri e dr Ilazi.

Burgosja e doktor Xhevat Demirit, nga forcat serbe, vështirësoi shumë punën në aktivitetin e spitalit.

Rrethimi i hekurt i malësisë së Zhegocit, bllokoi furnizimin me material si dhe lëvizjen e personelit mjekësor drejt zonës së kontrolluar nga UÇK-ja, ndonëse edhe në këto rrethana njerëzit ia dilnin të kalonin rrethimin dhe të ofronin mjekim për personat në nevojë.

Shtëpia ku ishte hapur spitali, ishte pronë e familjes së Ismail Ahmetit, kurse salla operative ishte në shtëpinë e Tahir Pajazitit.

Vlen të përmendet se këto dy familje, ishin në shërbim të luftës dhe pacientëve gjatë gjithë kohës.

Shumë shërbime mjekësore u kryen në këtë spital, pasi që numri i të plagosurve dhe të sëmurëve  ishte i madh dhe e vetmja shpresë për ta ishte ky spital.

Spitali kishte pak personel të përhershëm dhe në ato kushte ofronte kujdes të duhur.

Bejtush Murati, Elhame Sallahu dhe unë (Sabedin Sherifi) ishin pothuajse gjithçka: mjekë, kirurgë, internistë, pediatër, gjinekolog etj.

Shumë të plagosur kaluan nëpër duart tona, si ushtarët: Estref Uruqi, Afrim Myrtaj, Besnik Shala, Fadil Rashiti, vëllezërit Nexhat e Shabi Selimi.

Plagë të luftës morën edhe fëmijët: Xhezide Miftari, Albert Miftari, 3 muajsh dhe shumë të tjerë.

Ofensiva e 15 prillit 1999, ishte një barrë e rëndë për të gjithë, sidomos për ushtarët në vijën e zjarrit, të cilët me çdo kusht nuk lejonin kalimin e forcave serbe.

Luftimet zgjatën gjithë ditën. Diku nga mesdita, komanda dha urdhër për evakuim të spitali drejt maleve të Plitkoviqit, për çështje sigurie, pasi konsiderohej zonë më e sigurt.

Natën, në qiell të hapur, kaluan shumica e njerëzve. Krejt çka dëgjohej, ishte vaji i fëmijëve dhe rënkimi i të plagosurve nga plagët e marra.

Forcat serbe nuk kishin kursyer askënd gjatë ofensivës së tyre, duke vrarë gra, pleq, fëmijë. Pas tyre mbeti vetëm shkrumb e hi.

Sot, ndonëse kanë kaluar njëzet vite, kujtimet janë ende të freskëta, ndoshta edhe të pa harruara.

Takimi me të plagosurit, që kanë mbijetuar, sikur ngjallë ngushëllim për kohën e kaluar.

Shoqëria jonë ndoshta, nga problemet tjera sociale, ka harruar spitalin e luftës dhe çuditërisht nuk e përmendin kurrë askund.

Në shtëpitë-spitale, aty nuk ka asnjë mbishkrim, apo pllakë që rikujton ekzistencën e një institucioni të tillë në kohë lufte./mediafokus/

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close