LAJME

Fahredin Sherifi “nominohet” për titullin “Nderi i Qytetit”

Në Gjilan ka filluar procedura për dhënien e titullit “Qytetar Nderi” Fahredin Sherifit.

Propozimi për ta nderuar Sherifin me këtë titull, është bërë nga Nehat Osmani, asamblist i VV dhe pastaj është përkrahur edhe nga të tjerë.

Osmani kishte thënë se Fahredin Sherifi meriton të nderohet me titullin “Nderi i Qytetit” për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në arsim, sport dhe kulturë.

Ky është arsyetimi që kishte bërë Osmani, bashkë me propozimin:

Nëse do gjurmonim syzheun domethënës të shprehjes “QYTETARÌ”, do duhej patjetër të hulumtonim jetën, veprën dhe personalitetin e këtij njeriu të madh të qytetit të Gjilanit. Vetëm atëherë do gjejmë kuptimin e vërtetë të saj.

Kështu do e filloja storien e shkurtër për këtë kolos të gjallë të qytetit tonë të cilin asnjëherë nuk patëm rast ta nderojmë ashtu sikur ai nderoi qytetin tonë.

Fahredin Sherifi, ishte profesor i matematikës në Gilan që njëkohshëm ligjëronte në paralelet shqipe, turke dhe serbe.

Farka ishte njëri ndër futbollistët më të mirë të të gjitha kohërave, i cili me gjeneratën e vet më 1963 i solli qytetit të Gilanit titullin e kampionit të Kosovës.

Ishte trajneri më produktiv që ngriti dhe gjeneroi gjeneratën më të suksesshme në historinë e qytetit tonë.

F. Sherifi një kohë të gjatë nga viti 1979 – 1992 ishte “drejtor i palestrës sportive” ku organizoheshin manifestime të mëdha sportive e kulturore.

Një kohë jetoi në Turqi, nga ku afirmoi dhe loboi të arriturat e qytetit tonë në sport, arsim dhe kulturë.

Farka gjatë tërë jetës së tij ka qenë sinonim i edukatës, kultivues i kulturës, përfaqësues i qytetërimit përgjatë gjeneratave të tëra.

Ka personalitete që admirohen dhe u vlen vepra por ama fare nuk u vlen jeta e cila nganjëherë e zbeh dhe vet veprën, sikur që ka personalitete që u shndrit jeta, por ama pak ose hiç vepra, që shpesh ua nxin dhe vet jetën.

Ka personalitete që në një kohë a në një fushë janë shembull për t’u ndjekur e në tjetrën e diku tjetër janë denigrimi i së njëjtës, por rrallëherë e rrallëkund ndodh të gjeni personalitete ku edhe vepra edhe jeta t’u shkrihen në një, të plotësojnë njëra tjetrën, t’u ndërthuren fjala e zemra, qëndrimi e gjykimi, puna e veprimi.

I tillë ishte dhe vazhdon të jenë Farka, një zotni, efendi, intelektual, ikonë panoramike e Gjilanit, shembulli me të cilin krenohen ata që mësojnë gjenerata të reja, duke mësuar nga ai, ata që edukojnë breza të tërë duke u edukuar nga ai. Për Farkën flasin e do flasin gjithnjë si emblemë e ndershmërisë dhe civilizimit gjilanas.

Kërkoj të merrni në konsideratë jetën dhe veprën e këtij burri të merituar të qytetit tonë dhe ta nderoni me titullin “Nderi i Qytetit”, ashtu sikur ai nderoi dhe me shembullin e tij kultivoi dhe mbolli vlera të paçmuara tek njerëzit e qytetit tonë dhe i dhanë prestigjin e lartësuar komunës sonë, përfundon arsyetimi i Nehat Osmani (VV), njëherësh ish-futbollist i njohur gjilanas dhe njëherësh një sportdashës i madh./Mediafokus/

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close