LAJME

Gjilani, qyteti që përjetoi dhe mbijetoi masakrën më të madhe në histori

Kryeqyteti i pjesës lindore të Kosovës, gjatë historisë është djegur tri herë si vendbanim dhe, po kaq herë, është rilindur nga hiri i vetë.

Gjilani ka përjetuar njërën nga masakrat më të mëdha, pas Tivarit. Kronistë dhe historianë flasin rreth 8 mijë shqiptarë të vrarë e të masakruar në qarkun e Gjilanit, në vitin 1944/45, raporton mediafokus.info.

Sipas tyre, këtu janë vrarë 7854 persona, që nuk ka ndodhur në asnjë qytet ose trevë shqiptare.

Sipas dëshmive të asaj kohe, rrugët e qytetit ishin mbushur me kufoma. Ka që thonë se numri i viktimave që përmendet, është i madh, kurse ka të tjerë që deklarojnë se ka pasur edhe më shumë se kaq.

Sipas historianit Aliriza Selmani, Gjilani ka përjetuar një masakër të panjohur ndonjëherë në këto anë, ndonëse shifrat që përdoren mund të mos jenë plotësisht të sakta.

Numri i viktimave i referohet qarkut të Gjilanit, që asokohe ishte mjaft i gjerë, ka thënë Selmani.

Nuk ka fshat as lagje në Karadak ku nuk janë kryer masakra gjatë vitit 1944/1945.

Sipas historianëve, dhuna e terrori mbi popullin shqiptar, nga formacionet partizane-çetnike, ishte e tmerrshme.

Shqiptarët vriteshin e masakroheshin natën dhe të shumtën e rasteve kjo bëhej nën tingujt e daulleve dhe instrumenteve të tjera, për të mos u dëgjuar britmat.

Sipas dëshmitarëve të asaj kohe, pos me plumb e thikë, shqiptarët priteshin edhe me sharrë, përvëloheshin me ujë, vriteshin me gur në kokë, goditeshin me kazmë, me bajonetë, me hekur të skuqur, me prerje të gjymtyrëve dhe forma të tjera sadiste.

Melihate Deda, në një letër dërguar Komitetit Krahinor, në dhjetor të vitit 1944, ndër të tjera shkruante se komandantët e njësiteve të UNÇJ-së, që operonin në këto troje, deklaronin publikisht se kishin urdhër të vrisnin së paku 50 për qind të shqiptarëve.

Për krime të papara ndaj popullit shqiptar të këtij regjioni, dallohet sidomos Brigada XVII maqedonase, e cila gjatë periudhës nëntor – dhjetor 1944 operonte në Karadak.

Kjo Brigadë, te Isivukët theri e përvëloi në praninë e nënave të tyre afër 100 djem.

Ata, gjysmë të gjallë hidheshin në varre kolektive dhe pastaj përvëloheshin me ujë.

Një nënë u detyrua të vlonte ujë dhe të hidhte mbi të masakruarit, në mesin e të cilëve gjendeshin edhe 3 djemtë dhe burri i saj.

Edhe në fshatin Gruhali u vranë të gjithë meshkujt.

Historiani Fehmi Rexhepi ka shkruar se, në bazë të disa të dhënave në terren, gjatë nëntorit dhe dhjetorit të vitit 1944 dhe në fillim të vitit 1945, në territorin e Anamoravës u vranë dhe u masakruan afër 8 mijë shqiptarë, për ç‘gjë kjo anë mbanë rekord të zi në krahasim me pjesët e tjera të Kosovës.

Burgosja dhe likuidimi i shqiptarëve bëhej pa kurrfarë procedure. Për çdo mbrëmje pushkatoheshin 40-50 vetë. Në mesin e të tyre kishte edhe intelektualë të shquar të kësaj ane, siç ishin gazetari Sylejman Ashkiu dhe Esat Berisha, anëtar i Komitetit Qendror të Lidhjes së Dytë të Prizrenit.

Njësitet e Brigadës XVII maqedonase, pjesëtarë të OZN-ës famëkeqe dhe grupe shovinistësh serbë të qytetit kryen masakra të papara deri më atëherë mbi shqiptarët, sidomos ndaj pjesës së pambrojtur, që ishin gra, fëmijë e pleq.

Kjo plojë dhe këto masakra vërtetohen edhe nga Halil Fejzullahu, asokohe komisar i Komandës së vendit. Fejzullahu, ndër të tjera, kishte thënë se te xhamia kryesore kam takuar një grup prej më se 100 shqiptarësh dhe 120 ushtarësh maqedonas, që po i rrihnin me kondak të pushkës.

Pasi kuptova se po i dërgonin në pushkatim, të gjithë i dërgova në Komandë dhe pas hetimeve që bëra, konstatova se vetëm 5-6 prej tyre kishin qenë të komprometuar.

Asnjëri prej tyre, sipas dëshmive të Fejzullahut, nuk kishte qenë bashkëpunëtor i okupatorit, e as që kishin kryer ndonjë krim, por dënoheshin vetëm pse ishin shqiptarë.

Është e qartë se pushtetet e kohës u munduan të zhbëjnë identitetin shqiptar të këtij qyteti, që njihet si “kërthizë” e Anamoravës, Luginës së Preshevës dhe Kumanovës, duke rrënuar edhe monumentet dhe simbolet kulturo-historike, por nuk ia dolën asnjëherë ta bëjnë këtë.

Gjilani rilindi sërish nga hiri i tij, sikur feniksi. Thuhet se edhe në vitin 1999, loja e fundit ishte planifikuar të luhej në Gjilan, por kësaj here serbëve u dështoi “nata e thikave të gjata”, sepse nuk kishin pritur që Millosheviqi do të kapitullonte në qershor./Mediafokus/

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close