LAJME

Qemajl Mustafa: Prokuroria që popullit i shet “dushk për gogla”

Ish Kryetari i Komunës së Gjilanit z. Qemajl Mustafa, në profilin e tij në fejsbuk, në një shkrim të gjatë, ka reaguar ashpër ndaj Prokurorisë Themelore të Gjilanit.

Po ju sjellim reagimin e plotë:

Prokuroria që popullit i shet “dushk për gogla”

E çuditshme. Askush nuk reagoi në paraqitjen vjetore të “sukseseve të mëdha” vjetore të prokurorisë themelore në Gjilan. Që të mos u hyj në hak, organizatat që e monitorojnë në vazhdimësi sektorin e drejtësisë, kanë folur vit pas viti për malin e madh të problemeve në këtë sektor. Veçanërisht në prokurori.

Këtë paraqitje e lexova me shumë kujdes te portali “rajonipress” dhe përveç një statistike të thatë për numrin e lëndëve të “procesuara” dhe lavdëratës së skajshme për kinse efikasitetin në luftën që kjo prokurori i bëri krimit, korrupsionit dhe tejkalimeve tjera ligjora, nuk e kuptova esencën për çka në fakt edhe ekziston prokuroria.

Sa prej këtyre lëndëve rezultuan të vlefshme për gjykatën dhe cili është produkti final i punës së saj?. A u dënua kush për krimin që bëri, për korrupsionin e mitmarrjen, për tejkalimin e detyrës zyrtare? Ku është kjo statistikë? Pse nuk informohet publiku për “fatin” e atyre alamet kallëzimeve penale dhe aktakuzave?

Kryeprokurori, sikur edhe vet kryetari i komunës dhe shumë zyrtarë të lartë në komunën e Gjilanit u mundua të na shesë në fund të vitit që shkoi “dushk për gogla” në një kohë kur kjo më përfundimisht nuk mund të shitet.

Së pari, ky (krye)prokuror, në një shoqëri dhe shtet sadopak normal nuk do të duhej të ishte fare prokuror e as pjesë e sistemit të drejtësisë. E kaluara e tij në sistemin e drejtësisë është për keqardhje. Dhe jo vetëm.për keqardhje. Pse është kështu, po i përmendi vetëm disa nga faktet materiale, prej të cilave, disa të njohura mirë për publikun.

Para jo më shumë se dy vite, kryetari i tashëm i gjykatës themelore në Gjilan mbajti një konferencë për media dhe konstatoi se 70% e aktakuzave që ishin ngritur nga prokuroria themelore në Gjilan, gjykata i kishte hedhur si të pabazuara. Pra, si të tilla, ishin aktakuza të bëra keq, të pavlera. Por, ishin aktakuza tepër të dëmshme për sigurinë e individët, të familjes, të biznesit, të politikës, të jetës publike në përgjithësi…Me një fjalë, ishin aktakuza fyese e rrënesë për shtëtin e Kosovës.

A nuk ka mjaftue vetëm ky fakt që ky kryeprokuror të mos ishte fare pjesë e sistemit të drjetësisë që nga dita e nesërme nga kjo paraqitje publike e gjykatës?

Ndoshta dikush e paska pritë dorëheqjen e vullnetëshme të tij?!
Kjo pritje do të ishte qesharake.
Nuk e bën dot ky profil njeriu sepse, ky nuk e përfaqëson atë moral publik. Ky dhe shumë të tjerë rreth tij nuk e kanë as minimumin e integritetit profesional e etik për ta mbajtur këtë sektor kaq të ndieshëm e kaq të rëndësishëm.

Ky njeri, me disa nga vartësit e tij trutharë, mua personalisht më ngritën aktakuzë para dy vitesh rreth partneritetit publik e privat në ish ndërmarrjen lokale publike “Higjiena” (Ecohigjiena e tanishme) dhe më sorollatën e më diskredituan nëpër prokurori e gjykatë hiç më pak se një vit. E dini çka ndodhi në fund? Prokurori mbeti “cullak” pa fakte sepse ajo për të cilën më kishte akuzuar konstatuam me fakte se ishte hetuar po nga e njëjta prokurori dhe kishte përfunduar në PSRK, vite më parë dhe hetimet kishin përfunduar sepse kjo e fundit kishte gjetur se komuna dhe unë si ish kryetar e kishim bërë punën plotësisht në baza ligjiore dhe në të mirë të qytetarëve të saj. Dhe natyrisht, prokurori u tërhoq turpshëm nga akuzat që i kishte bërë.

Ky njeri të cilin po e shihni qe shumë e shumë vite në majë të sistemit të akuzës, nuk e ndjek krimin. Nuk e ndjek sepse vet është pjesë e një rrjeti të shtrirë e të thellë kriminal me në krye me Lutfi Hazirin në nivelin lokal e rajonal.

Qysh mundet ky njeri me e akuzue Lutfi Hazirin (dhe të tjerë jarana që i ka nga politika) për shkatërrim total urban të qytetit, për zhvatje e keqpërdorim të fondeve publike, për krimin e korrupsionin aq të dukshëm.para syve të qytetarëve?!. Nuk mundet sepse ky njeri ka marë aq shumë shërbime të mira prej tyre. Po ndalem te një fakt i dukshëm dhe tashmë i njohur mire për publikun. Për më pak se dy vite këtij njeriu politika ia akomodoi me punësime në sektorin publik hiç më pak se katër anëtarë të familjes së ngushtë (dy djemtë, vajzën dhe të renë). Ndërkaç, ky (krye)prokuror sikur edhe shumë të tjerë është pjesë e të ashuquajturit “rrjet i marimangës” i cili e ka kapur dhe ia ka zënë frymë sitemit të drejtësisë në Kosovë me punësime të padrejta e jomeritore të familjarëve të tyre. Dhëndrri i tij, vajza, djali e kush jo tjetër…, sot janë pjesë e padrejtë e sistemit kaq shumë të shtrembëruar të drejtësisë së Gjilanit e të Kosovës.

Ky njeri dhe shumica e vartësve të tij janë aty për të zbatuar politikat dhe urdhërat e njerëzve të fuqishëm nga pushteti politik dhe pushteti i parasë. Akuzojnë njerëz dhe grupe të pafajshme të njerëzve të dalluar me qëllim të mbajtjes peng dhe eliminimit të tyre nga skena politike, biznesore, nga jeta institucionale e publike …Akuzojnë njerëz të pafuqishëm e të fuqishmit anashkalohen ose falen tërësisht pastaj nga instancat gjyqësore.

Ndonjëri nga zyrtarët komunalë që kanë dinjitet e integritet njerëzor e profesional i janë drejtuar prokurotisë në Gjilan me shumë shkresa e e fakte materiale për rrënimin urbanistik të qytetit që po e bën në vazhdimësi Lutfi Haziri me sejmenët e tij. Kjo prokurori nuk ndërmori asnjëherë asnjë hap konkret e tē dukshëm në hulumtimin që nga zanafilla e deri nē fund të kësaj shëmtie me dëm afatgjatë për interesin e publikut të komunës. Ndodhi e kundërta.
Prokuroria në Gjilan, edhe pse e informuar për shumë veprime të ndrmarra nga Komuna e Gilanit në kundërstim me legjislacionin në fuqi, veprime këto të cilat janë vlerësuar si të kundërligjshme dhe nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, e cila shumë herë i ka propozuar MAPL-së që të kërkoj nga Kuvendi i Komunës/Kryetari i Komunës që të ndërmirren veprime konkrete që aktet e komunës ti harmonizojë me dispozitat ligjore në fuqi. Kërkesave të kësaj ministrie komuna nuk i është përgjigjur edhe pse ka qenë obligim ligjor, ku dhe ka vazhduar degradimi urbanistik. Kjo prokurori, duke qenë e informuar për të gjitha veprimet e kundërligjshme, si dhe duke parë se nga zyrtarët komunal është bërë degradim i planifikimit urban, ku përmes vendimeve dhe veprimeve të kundërligjshme të tyre, i është mundësuar individëve të caktuar të cilët kanë lidhje të mira me pushtetin lokal dhe qëndror që të bëjnë ndërtimin e objekteve në hapsirat e destinuara për instucione publike dhe ifrastruktur publike (hapsira për shkolla, institucione parashkollore…). Të gjitha këto fakte të deponuara në ndërkohë kanë rënë në “bunarin” e prokurorisë prej të cilit nuk i nxjerr dot kush.

Edhe nëse u nis ndonjë hetim për këto shkelje të mëdha e të dukshme ligjore, ai u pushua së shpejti. U pushua sepse prokuroria duhej me i ruajtur “punëdhënësit” dhe favorizuesit e saj nga politika.
Madje kjo prokurori, me pushimin e paligjshëm të hetimeve ndaj drejtorit të drejtorisë së urbanizmit, të shërbimeve publike, të drejtorëve tjerë dhe disa zyrtarëve të këtyre drejtorive, bënë që këta politikaj e zyrtarë të ndjehen të paprekshëm nga sistemi i drejtësisë, si dhe të ndjehen komod për veprimet e tyre të kundërligjshme.

Kjo është kështu sepse në Gjilan është konsolidue qysh moti një rrjet i organizuar dhe i sofistikuar kriminal me në krye Lutfi Hazirin.
Kreu i komunës së Gjilanit (me shefat e tij që janë poltronë të tij), kreu i policisë komunale, kryehetuesi policor, shefi i ATK regjionale, kryeprokurori dhe kryegjykatësi, janë një qark i mbyllur i interesit të ngushtë që ka përfundue që moti në krim të thellë. Në krim me marrjen e ryshfeteve dhe hiseve nëpër tenderë, me trysnitë dhe marrjen e ryshfeteve nga bizneset, me punësime selektive favorizuese që i bëjnë njëri tjetrit, me fshehjen e obligimeve ndaj taksës në ATK e çka jo tjetër.

Kemi shumë fakte material të cilat ngadalë e mirë kemi me ia shpalosë publikut të komunës e të vendit. Qe, njëri prej tyre.
Pasiqë Lutfi Haziri, para disa vitesh, me vendimin e tij prej “sulltani” ia ndërpren njëanshëm kontratën një biznesi të komunës, pastaj me padi dhe me vendim të gjykatës, komuna dëmtohet hiç më pak se 127000 euro. Kjo prokurori nuk ndërmorri kurrë asgjë rreth kthimit të këtyre mjeteve në arken e komunës dhe në sanksionimin ligjor të kryetarit të komunës. Arsyet tashmë edhe i thash po edhe janë të njohura mirë.

Natyrshëm shtrohet pyetja:
Ky (krye)prokuror dhe kjo prokurori po e luftokan krimin nga njerëzit e mveshur me pushtet? Hajgare e madhe apo jo?
Ky njeri dhe çarku i tij ktiminal që i kalon dimensionet e komunës e të rajonit dhe shtrihet deri në Prishtinë, as macën prej psheshi s’mund e nxjerr e le më luftimin e krimit. S’mund e nxjerr sepse ka hy në haram deri në fyt dhe i ka këmbë e duar të lidhura.

Këtë soj të prokurorit dhe këtë sistem të mjerë e “rehaton” veç një fshisë e fortë ligjore dhe ua tregon vendin që kaherë e kanë merituar. E besoj shumë që do të duhej shumica me shkue në gjyq për krejtë fëlliqitë që i kanë bërë për vite të tëra e një pjesë e madhe e tyre edhe prapa grilave për shumë kohë.
Ky soj i njeriut si ky që po lavdërohet me “sukseset” e tij në ndjekjen e krimit janë hajnat e së sotmes dhe të ardhmes së rinisë së Gjilanit e të Kosovës. Janë hajnat e ardhërisë së këtij populli. Jam i sigurtë që dita e kusuritjes ka me ju ardhë shpejtë. Lypet shumë punë edhe durim nga njerëzit e pastër dhe atdhetarët e këtij vendi.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close