LAJME

Një rrëfim për “Varrin e Ajshes” në Gjilan

Në Gjilan e rrethinë njihet legjenda për Varrin e Ajshes. Edhe Cumi, një malësor i regjur prej pune, i lodhur prej udhe e i nxirë prej kohe, e kishte rrëfimin e tij për Varrin e Ajshes.

Kanë thënë se ajo i kish bë njëqind e pesëdhjetë vjet e shkuesit ishin vonuar për ta kërkuar dorën e saj. Në atë pritje për t’ia kërkuar dikush dorën, njëherë kish pas thanë: qe unë i mbusha njëqind e pesëdhjetë vjet e, hala e re…nuk po më lypë kush. Do të vijë një kohë kur çikat si unë pa i mbushë pesëmbëdhjetë vjet do të shkojnë te burri. Atë kohë unë s’di a do ta pres…

Njëmend nuk e kish pritur. Se, një dergjë e gjatë i kish pas ra katundit e shtëpisë saj. Një motmot i kish shkua duke përcjell me të dashurit udhës së varreve. Njërin e njërin e tjetrin…deri sa kish mbet vetëm.

E mërzitur prej udhës, prej varreve, ndalej te ky qarr e pushonte. Jo. Nuk pushonte, po qante. Qante pa zë, për mos me ju shti dhimbtë tjerëve, të vdekurve pak më poshtë, nëpër varre.

Një verë e një verë e një verë…askush nuk e di sa vera i kish përcjellë me lot tek ai qarr.

Dikush thotë se ajo kodër përballë, është e lotëve të saj. I thonë Kodra e Lotisë. Po, ndoshta, veç llafe janë. Ama ashtu kanë thanë. Po çka t’i bësh. Këtu e kishin gjetur Ajshen, pa frymë. E shtrirë së gjati nën hije qarri prej kah shihet krejt ajo gjerësi malesh e kodrash dhe ai qiell i kaltër, i paskaj, që humb atje diku përtej Kopilaçës dhe Majës së Bardhoshit.

E, katundi, ata që kishin mbet, për hatër të saj, nuk ia kishin ndërruar vendin, kishte rrëfyer Cumi.

Vetëm këtu, shpirti i saj (Ajshes) mund të flladitet, kishin thanë.

Shkrimtari Sabit Rrustemi thotë se ka menduar që edhe ai ta sajojë një rrëfim për varrin e Ajshes, mbase duke e ndërlidh me emrin e Anës, që e mban kisha në Dunav.

Kisha e Shën Anës nuk ekziston vetëm në legjenda, por edhe në realitet. Ajo ekziston sepse banorët e Grykës së Karadakut, të besimit islamë, kujdesen për të.

Kisha e Dunavit (1938) vazhdon të mbetet një “mbretëreshë” kulti mes Grykës së Karadakut, e rrethuar nga malet dhe rreth e për çark e banuar me popullatë të besimit islamë. /mediafokus/

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close