LAJME

Izmi Zeka fillon të merret intenzivisht me shkrime, publikon çdo ditë nga një për “Kosovën e pasluftës”

Shkruan: Izmi Zeka (pjesa parë)

Ditët po ikin dhe ne ende po përballemi me të kaluarën tonë historike, e cila përballje po merr dimensione të nduardurshme më shumë për shkaqe politike sesa në aspektin historik dhe në interesat vitale të shqiptarëve.


Për njerëzit e dijes dua të potencoj disa argumente të cilat vlerësoj se janë të nevojshme për t’i konceptuar qartë proceset në të cilat ka kaluar Kosova gjatë dhe pas luftës së saj çlirimtare.
E para mendoj se është interes edhe i vet shkencës shqiptare se lufta e UÇK-së është përmbyllja më e mirë dhe e lavdishme që prej kohës së shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.
Në këtë kontekst nuk duhen shumë analiza, sepse vetë përmbyllja e luftës, ndihma nga aleatët tanë dhe në fund fitorja, përmbyllin kaptinën e fitores ndaj pushtuesit serb. Prandaj, nganjëherë sikur po lajthitim kur po shkruajmë dhe themi se do të konfirmohet edhe një herë lufta e UÇK-së. Nuk ekziston më konfirmim as edhe arsyetim i asaj që është bërë.
Lufta e UÇK-së paraqet sublimin e shumë gjeneratave dhe mbylljen përfundimtare të historisë së Kosovës dhe lirisë së saj.

Nga ky sens gjërat që kanë krijuar rrethana të tjera historike nuk kanë nevojë për konfirmim, as edhe për mbrojtje të asaj vlere. E them këtë për dy arsye: E para, se aty u bë prerja historike, politike dhe strategjike dhe, e dyta, Kosova u çlirua nga dhuna serbe.
Asnjë hipotezë apo tezë shkencore nuk ka mundësi të shikojë ndryshe këtë pjesë të historisë. Pavarësisht mentalitetit tonë dhe historisë qindravjeçare e shkruar me doza të interferimit të kohës, UÇK-ja është kapitull i mbyllur në kuptimin e misionit të saj, kurse për studiuesit ka ende vend të shkruhet dhe t’i jepet lexuesit pasqyrë e veprimit konkret të saj.
Si lëvizje dhe organizim luftarak ajo tani i përket historisë më të lavdishme të shekullit XX.
Tërhoqa këto paralele për të mos humbur kohë në këtë zhvillim historik duke pasur argumentet e gjalla të cilat lidhen me prerje kohore nga aspekti gjeografik, historik, shkencor dhe në gjendjen e prekshme të shtetit të Kosovës.
Asgjë nuk arrihet pa një fillim.
Çështja e tretë e pasluftës paraqet një kompozim tejet të vështirë në krijimin e shtetit dhe infrastrukturës së saj institucionale në gjithë shtetin e Kosovës.
Analiza sistemore e pasluftës besoj se ishte sfida më e madhe e udhëheqësve të kohës duke u gjendur përball dy realiteteve jo të natyrshme por të prekshme në terren.
Realiteti i parë ishte se Kosova u çlirua nga pushteti serb dhe filloj të administrohej nga përfaqësues të OKB-së. Ishte një lloj dualiteti në funksionalitetin e jetës në Kosovë.

UNMIK-u edhe pse kishte mision për të konsoliduar institucionet e Kosovës, shikuar nga syri i sotëm bëri disa gabime me apo pa qëllim që reflektimi dhe tabloja e mëvonshme tregoi se ka penguar zhvillimin e natyrshëm të ecjes dhe pragmatizmit në Kosovë. Kjo ishte vetëm njëra anë e medaljes së tyre.
Në anën tjetër ishin vendosur edhe institucionet shqiptare në kuadër të Qeverisë së përkohshme, e të cilat më shumë luanin rolin e një intermediatori në mes të realitetit të krijuar dhe të një institucioni të deleguar nga OKB-ja.
Misioni i UNMIK-ut nga kjo largësi shihet se nuk kishte ndonjë qëllim substancial dhe fisnik për të mbrojtur interesat e qytetarëve të Kosovës, por më shumë për të krijuar kushte për një administrim të përkohshëm dhe ruajtjes së status quos në Kosovë.
Mbase edhe do të duhej të ishte e qartë edhe nga ne misioni i tyre.
Ata punonin me disa rregullore të cilat edhe vendosnin standarde të krijimit të infrastrukturës institucionale në Kosovë.

Ama nga ajo që u bë deri në vitin 2008 në Kosovë, pra nga kjo distancë lë shumë për të dëshiruar. Administrata qoftë lokale dhe shtetërore pa një letërnjoftim të duhur dhe pa një ekzaminim të duhur u bë sistem i cili ruante në kontinuitet nga e kaluara e sistemit komunist në Kosovë.
Kjo edhe për faktin se ata që bënë ndryshimin dhe ndërruan epokë nuk e kishin përvojën dhe kualifikimin e duhur për vende të rëndësishme.
Unë po marr vetëm një fakt për të ilustruar se si dhe në çfarë mënyre u krijuan disa institucione në Kosovë. Gjyqësori dhe prokuroria ishin trashëgimi e sistemit të kaluar dhe të cilët në shumicë i kishin shërbyer pushtetit të ikur serb.
Qeveria e përkohshme dhe më vonë institucionet e dala nga vota e popullit në vend të anarkisë ligjore zgjodhën të keqën e dhimbshme, por sistemore në interes të Kosovës.
Një gjykatës apo prokuror duhej të përgatitej për 15 ose 20 vjet. Andaj veprimet e asaj kohe ndoshta edhe mund të arsyetohen deri në një masë. Kjo që po shkruaj është vetëm njëra hallk e zinxhirit shtetëror se si u krijuan institucionet e arta shtetërore.
Ata që dolën nga lufta ishin të hendikepuar për shkak se nuk kishin përgatitjet adekuate dhe në këtë mënyrë mbetën jashtë sistemit institucional.

Kjo dhe nga analiza e sotme për disa arsye u leverdiste edhe institucioneve ndërkombëtare siç ishte UNMIK-u në Kosovë.
Arsyeja e parë ishte se ata dëshironin që përmes kësaj strukture mos të kemi një administratë të fuqishme.
Ndërkaq arsyeja e dytë që ishte edhe më e rrezikshme ishin shërbëtorët e pushtetit të kaluar dhe mbase kjo çështje u duhej atyre për të menaxhuar më mirë dhe për të luajtur lojën e djallit. Ky format i punës ka zgjatur pothuajse deri me shpalljen e deklaratës së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008.
Përveç kësaj kishte filluar gjuetia e shtrigave duke linçuar çlirimtarët përmes shpifjeve të llojllojshme për të ndikuar në humbjen e autoritetit dhe kredibilitetit të tyre në popull.
Kosova udhëhiqej në bazë të rezolutës 1244 të OKB-së dhe kjo bënte që të sillen si pashallarë të vendit dhe veprimet e tyre ishin të pamatshme, por edhe të dëmshme për një krijesë të re çfarë ishte Kosova.
Ishte mbikëqyrje e rreptë ndërkombëtare dhe çuditërisht një luftë e pashpallur ndaj ish-ushtarëve të UÇK-së. Kjo ishte pjesa e parë që pasojat e saj ende po barten te shteti dhe mentaliteti i qytetarëve tanë.
Pjesa e dytë që nuk është e parëndësishme qëndron në faktin se një pjesë e cila në heshtje deri në vitin 2008 kishin mbledhur dosje e çka jo për çlirimtarët ata prisnin rastin e parë që vrullshëm t’i denigrojnë çlirimtarët përmes formave më perfide, duke i atakuar me vrasjet e pasluftës e të cilat asnjëherë nuk kishin gjetur përgjigje. Kjo sfidë që edhe sot e përcjell Kosovën ishte një skenar i bërë mirë nga qarqe që dirigjohen nga Serbia dhe argatët e saj në Kosovë.

Duke njohur mentalitetin tonë të robit dhe pushtimit të gjatë tek ne kishte njerëz me bollëk që u shërbenin kauzave të pista të argatëve të Serbisë.
Shërbimet e ndryshme por edhe disa mekanizma ndërkombëtarë që nuk e shihnin Kosovën si interes të tyre dhe mendjen e kishin te Serbia, investuan shumë në luftën e brendshme politike por edhe më drejtimin kah devalvimi i luftës çlirimtare.
Mbase edhe kjo luftë speciale nuk i arriti përmasat që donin qarqe të caktuara, ata filluan me të madhe luftën ndaj komandantëve dhe njerëzve me ndikim për të ulur fuqinë shtetformuese të Kosovës.
Disa parti luajtën “mirë” në këtë drejtim duke i “masakruar” luftëtarët me shpifje e në anën tjetër duke mbrojtur luftën e UÇK-së.
Kjo ishte një sentencë e mirë për opinionin dhe që rezultatet do të shiheshin gradualisht. Luftën për pushtet e shndërruan në luftë ndaj atyre që filozofinë shtetërore e mbështetën mbi përpjekjet titanike për çlirim.
Duke parë se UÇK-ja si formacion çlirimtar kishte dhënë provimin dhe aty s’mund të prekej zgjodhën rrugë të tjera të cilat Kosovën e vunë përball dy realiteteve të thëna më lartë. Realiteti i formësimit të shtetit që nuk ishte substanciale dhe realiteti i shtyrë nga forca të cilat përmes individëve të pastër duke i sakatosur shtrinë strukturën e cila kishte për qëllim përfitimet politike por edhe satanizimin e luftës së UÇK-së të mbështjell në petkun e individëve të saj.

(Autori është zëvendësministër i Punëve të Brendshme / Vijon)

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close