LAJME

Xhamia e parë e ndërtuar në Gjilan, funksionale edhe pas 408 vjetësh, ndërtimi kishte filluar në vitin 1606

Atik Xhamia është objekti i parë i kultit fetar islam i këtij lloji i ndërtuar në qytetin e Gjilanit. E njohur ndryshe edhe si Xhamia e Medresesë është e lidhur ngushtë edhe me themelimin e qytetit të Gjilanit si qendër.

Xhamia e ndërtuar në shekullin XVII, por nuk dihet saktë viti i përfundimit të saj pasi ka shënime në të cilat thuhet se kjo kishte ndodhur në vitin 1606 dhe disa të tjera ku theksohet se ndërtimi i xhamisë përfundoi në vitin 1609.

E rëndësishme është se Atik Xhamia është ndërtuar në gjysmën e dytë të dhjetëvjetëshit të parë të shekullit XVII. E, Themelimi i Gjilanit si qendër rreth vitit 1750 bie ndesh me vjetërsinë e Atik Xhamisë. Një xhami e tillë nuk mund të ndërtohej në një vendbanim jo strategjik dhe të pazhvilluar ekonomikisht për kohën. Si e tillë, xhamia sjell dëshmi për një qytet më të vjetër se ç’konstatohet për Gjilanin. Paraqitja e Gjilanit me emrin Gilan që në vitin 1423 si fshat nuk duhet tejkaluar shpejtas.

Duke qenë kaq e rëndësishme dhe e vjetër, Atik Xhamia është e listuar si monument i trashëgimisë kulturore të Kosovës dhe është nën mbrojtje të përkohshme që nga viti 2012.

Xhamia ka sallën e lutjeve dhe minaren, ndërsa hajati, dikur funksional, është prishur në vitin 1993, kur ndërtohet një aneks, i cili i bashkëngjitet objektit të xhamisë duke u bërë pjesë integrale e tij.

Ndërtimi i saj është bërë me materiale të ndryshëm si  gurë, tulla, hatulla vertikale dhe horizontale, llaç gëlqereje dhe thupra të shtypura (shtupë). Materialet e këtilla të dyzuara kanë ndikuar në qëndresën e objektit për qindra vite me radhë. Salla e lutjeve i ka të gjitha pjesët përbërëse të saj si: mihrabin, mimberin, kursinë ose qyrsin dhe mahfillin.

Hyrja për në sallën e lutjeve bëhet nëpërmjet aneksit nga ana perëndimore. Mihrabi është trajtuar me piktura murale me motive florale ku dominon ngjyra kafe. Mimberi është i vendosur në të djathtë të mihrabit, është punuar me drugdhendje me motive të ndryshme gjeometrike. Qyrsi është i vendosur në kënd të majtë të mihrabit dhe nuk është funksional. Mahfilli nuk është i vjetri, por është rindërtuar me një gardh nga druri. Minarja gjendet në murin jugor, ka bazë dhe trung rrethor.

Në pjesën e sipërme gjendet sherefeja e dekoruar me motive gjeometrike. Minarja mbulohet me kylah në formë konike. Baza e minares është punuar nga gurë të gdhendur dhe nuk është e suvatuar, kurse trupi është i suvatuar nga jashtë. Enterieri i Atik Xhamisë është i pasur me piktura murale. Në kupolën e Atik Xhamisë ndodhet brezi me tetë hapësira, në të cilat janë të hapura tetë dritare katrore nga brenda ndërsa me gjysmëhark nga jashtë. Në këto tetë hapësira zënë vend pikturat murale, të cilat paraqesin vlera shumë të çmuara të kulturës islame në këto troje. Dekorimet e pikturave janë me motive bimore, që i takojnë stilit turk ose atij persian.

Gjatë restaurimit të bërë në pikturat murale, nga piktorët Demir Behluli dhe Zeqirja Rexhepi, janë futur elemente të traditës shqiptare. Në sipërfaqen e mureve anësore të sallës së lutjeve janë punuar rozeta me motive të ndryshme, ku vërehen forma e patës, llambës, dhe dritës e cila shpërndahet në formë të rrezeve të diellit.

Në oborr të xhamisë ndodhej shatërvani si dhe objekti ku laheshin kufomat. Mirëpo, tani vendin e tyre tashmë e kanë zënë ndërtesat përcjellëse, lokalet dhe medreseja. /ndertimi/

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close