LAJME

SBASHK-u reagon: Bëhet fjalë për greva që do të zgjasin kush e di se sa

Pezullimi i Ligjit për Pagat në Sektorin Publik 12 ditë pas hyrjes në fuqi të tij, mund të rezultojë me grevë të madhe të mësimdhënësve, ka thënë Rrahman Jashari, kryetar i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit.

Në një prononcim për Insajderin, Jashari ka paralajmëruar mundësinë e një greve të gjatë të mësimdhënësve.

“Unë kam menduar se do të ketë kërkesa radikale që vijnë nga anëtarët e Këshillit Drejtues të SBASHK-ut”, ka thënë Jashari. “Nëse do të ketë veprime sindikale, nuk mund të bëhet më fjalë për greva një orëshe apo dy orëshe, por bëhet fjalë për greva që do të zgjasin kush e di se sa dhe kjo është e keqja që mund ta pres Kosovën”.

Sipas Jasharit, vendimi i Gjykatës Kushtetuese përbën lajm “tepër të keq” për SBASHK-un dhe shumë sindikata të tjera. Ai, po ashtu ka deklaruar se ky vendim ka prekur rreth 60 mijë të punësuar.

“Ky lajmi i sotëm është tepër i keq, jo vetëm për SBASHK-un, por edhe për një pjesë të madhe të sindikatave – gjegjësisht për rreth 60 mijë të punësuar”, ka thënë Jashari. “Pa dashur të përzihem në vendimet e Kushtetueses, ajo është dashur të mendoj për 60 mijë njerëz”, ka nënvizuar kreu i SBASHK-ut.

Jashari ka thënë se “më mirë do të ishte sikur Ligji të zbatohej dhe pastaj Kushtetuesja t’i godiste pikat që nuk janë të drejta”, në mënyrë që parlamenti i ri t’i përmirësonte ato.

Këshilli Drejtues i SBASHK-ut ka vendosur sot që të premten mësimdhënësit të mbajnë grevë dy orëshe. /Insajderi.com

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close