LAJME

Me një plumb në kraharor ia mori jetën shokut – merret vendimi për Liridon Uruqin

Vrasja e të riut Fatlind Arfi në Bresalc të Gjilanit në verën e vitit të kaluar kishte tronditur vendin. Ai u vra me një plumb në kraharor, nga shoku i tij, Liridon Oruqi. Ky i fundit ishte dënuar me 25 vjet burgim, por pas rigjykimit e rikualifikimit të lëndës, tashmë është marrë verdikti. Liridon Oruçi do të qëndrojë në burg për 18 vjet e 6 muaj.

Mbrëmjen e 28 korrikut të vitit 2018, kishte dalë me shoqërinë e tij në vendin e njohur “Te Lapidari” në fshatin Bresalc të Gjilanit. Por, nga aty ai nuk u kthye i gjallë.

22-vjeçarit Fatlind Arifi, ia mori jetën një plumb në kraharor, i shkrepur nga shoku i tij, Liridon Oruqi, 26-vjeçar.

Për kryesin e vrasjes që kishte tronditur jo vetëm Gjilanin, por tërë Kosovën, Gjykata Themelore në Gjilan ka marrë vendimin të mërkurën.

18 vjet e gjashtë muaj do të qëndrojë prapa grilave Liridon Oruqi, i cili privoi nga jeta shokun e tij, Fatlind Arifin.

Për vrasjen e 22-vjeçarit, Liridon Oruqi ishte ngarkuar fillimisht me tri vepra penale, “Vrasje e rëndë”, “Kanosje” dhe “Armëmbajtje pa leje”. Mirëpo, prokurori Agron Uka kishte bërë rikualifikimin e veprës penale, sipas së cilës, nga “Vrasje e rëndë”, i pandehuri akuzohej për “Vrasje të rëndomtë”.

Uka ka thënë për Gazetën Express se rikualifikimi i lëndës është bërë për shkak se nuk ka pasur prova se janë kanosur apo ndjerë të rrezikuar edhe personat e tjerë që kanë qenë prezentë në natën e vrasjes.

“Lënda ka kaluar nga vrasje e rëndë në vrasje të  rëndomtë. Pas sugjerimit të Gjykatës së Apelit, është vërtetuar se nuk është rrezikuar jeta e njerëzve të tjerë të pranishëm, sepse vrasja e rëndë nënkupton kur rrezikohet jeta e një grumbulli të njerëzve. Kur i kemi pyetur dëshmitarët, ata kanë thënë se nuk kanë qenë të kanosur dhe të rrezikuar nga i dyshuari. Prandaj, që të ekzistojë vepra penale “Vrasje e rëndë” duhet të ekzistojë rreziku edhe tek të tjerët, pra kjo bie poshtë sepse të tjerët nuk janë rrezikuar. Në këto situata kemi ardhur te rikualifikimi i veprës “Vrasje e rëndomtë”, ka thënë Uka.

“Akuza e Prokurorisë me rikualifikim ka kaluar sot. Kualifikimi juridik është se vrasja është bërë me dashje direkte, qëllimi i tij ka qenë që ta privojë nga jeta tashmë të ndjerin Fatlind Arifi. Pra ekziston elementi vulotiv, vullneti, është e pakontestueshme se vullneti ka ekzistuar. Sepse në momentin kur ai ka manipuluar me armë, që e ka mbajtur në atë pozitë, kjo s’është vrasje aksidentale”, ka theksuar Uka për Express.

Ndërkaq, Uka ka shtuar se në natën tragjike, Liridon Oruqi ka konsumuar substanca narkotike, por që nuk është vërtetuar se ato kanë ndikuar në veprimin e tij.

“Atë natë kanë konsumuar marihuanë, mirëpo ekzaminimi psikiatrik, në seancë dhe në ekspertizë thotë se lidhur me kryerjen e veprës penale, i akuzuari ka qenë i freskët kur e ka marrë këtë veprim, nuk ka ndikuar në aspektin psikofizik sasia e tre tymave që ta marrë një veprim të tillë”, ka thënë Uka.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Ramiz Azizi, të akuzuarit Liridon Uruqi, i ka shqiptuar të mërkurën dënimin prej 18 vjetësh burgim, për veprën “Vrasje e rëndomtë”, kurse 1 vit burgim për armëmbajtje pa leje. Në kohëzgjatjen e dënimit hyn edhe periudha prej kur Oruqi ka qëndruar në paraburgim.

Gjykata Themelore në Gjilan, në prill të këtij viti e kishte dënuar Liridon Oruqin me 25 vjet burgim.

23 vjet burgim i ishin shqiptuar për veprën penale “Vrasje e rëndë”, ndërkaq 2 të tjera për veprën penale “Kanosje” dhe 1 vit burgim për “Armëmbajtje pa leje”.

Pas kësaj, ndaj Oruqit ishte shqiptuar dënim unik prej 25 vjetësh burgim efektiv.

Nga këto tri akuza, Oruqi e kishte pranuar vetëm atë të armëmbajtjes pa leje, ndërkaq ishte deklaruar i pafajshëm për veprën “Vrasje e rëndë” dhe “Kanosje”.

Rasti më pas kishte kaluar në rigjykim, pasi mbrojtja ishte ankuar me masën e shqiptuar.

Më pas, avokati i Oruqit ishte ankuar për masën e shqiptuar. Arsyetimi i mbrojtjes ishte se vrasja kishte ndodhur aksidentalisht dhe se nuk ka pasur dashje nga ana e të akuzuarit.

Kërkesën e mbrojtjes e kishte aprovuar Gjykata e Apelit me 12 shtator të këtij viti, duke e rikthyer lëndën në rigjykim.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close