LAJME

UKZ i vetmi Universitet pa Kampus, pavarësisht se e premtuan në vitin 2015 dhe e ripremtuan çdo vit

Ministria e Forcës dhe Sigurisë së Kosovë (MFSK) dhe Komuna e Gjilanit ende nuk po mund të merren vesh për parcelën 7 hektarësh që është ndarë për ndërtimin e Kampusit Universitar “Kadri Zeka” në Gjilan.

Shkruan: Shkëndije Ahmeti

Në këtë parcelë 7 hektarësh, Forca e Sigurisë së Kosovës që nga viti 2009-të, kishte vendosur batalionin e tretë të brigadës reagim i shpejtë. Por në fundvit të 2017-ës Qeveria e Kosovës kishte miratuar vendimin që aty të ndërtohet Kampusi Universitar “Kadri Zeka”.

Gjë e cila u kundërshtua menjëherë nga Ministria e Forcës dhe Sigurisë së Kosovës (MFSK).

Kundërshtim ky i cili bëri që as edhe pas më shumë se një vit FSK dhe Komuna e Gjilanit të mos merren vesh, në mënyrë që t’i hapin rrugë nismës së procedurave për ndërtimin e këtij kampusi.

Çështje kjo për të cilën deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Valentina Bunjaku-Rexhepi thotë se gjithçka është bllokuar meqë FSK nuk po pranon të lëviz nga aty.

Ndërkaq, siç tha ajo në një bisedë me Ndërtimi.info, Komuna e Gjilanit i ka kryer gjitha obligimet e saja.

“Ministri i FSK-së nuk  po pranon me lëviz FSK-në prej aty, Komuna tjetër tokë apo hapësirë të përshtatshme për kampusin nuk po ka edhe tash ne si komunë e kemi kry obligimin tonë. Tash ka mbet me u kordinu Ministria e Arsimit dhe FSK-së. Ata nuk po gjejnë mirëkuptim e realisht mungon edhe vullneti i Ministrisë së. Krejt çka është problematike është që Komuna, Lutfi Haziri  ka nda tokën por ministrie nuk po merren vesh dhe nuk po kanë mirëkuptim. Ministria e Arsimit nuk po ka vullnet me shty këtë proces para. Ministri i FSK-së është kundër me liru hapësirën ku është FSK dhe kështu ka mbet puna pezull”, tha Bunjaku-Rexhepi.

Në anën tjetër, në Ministrinë e Forcës dhe Sigurisë së Kosovës, i kanë thënë Ndërtimi.info se çështja e parcelës është duke u diskutuar me të parin e Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, por që nuk kanë dhënë detaje.

Drejtor i Departamentit të marrëdhënieve më publikun në MFSK, Ibrahim Shala, më tej ka thënë se aktualisht FSK është duke e shfrytëzuar hapësirën atje dhe është duke realizuar projektet e infrastrukturës sipas planifikimit.

“Çështja është duke u biseduar në mes të ministrit të FSK-së zotit Rrustem Berisha dhe kryetarit të komunës së Gjilanit zotit Lutfi Haziri. FSK-ja aktualisht është duke e shfrytëzuar hapësirën dhe është duke realizuar projektet e infrastrukturës sipas planifikimit. Ndërsa për zhvillimet  e më tejme  do të njoftoheni në kohë”, ka treguar Shala për Ndërtimi.info

Kurse, tani Kampusi Universitar “Kadri Zeka” gjendet tek kompleksi i shkollave të mesme në Gjilan, që ka zënë objektin e shkollave të mesme duke bërë kështu që shkollat të mos kenë hapësirë të mjaftueshme.

Shqetësim ky që e ngriti deputetja Bunjaku-Rexhepi.

“Kampusi Universitar është te kompleksi i shkollave të mesme. E ka zënë objektin e shkollave të mesme dhe shkollat e mesme kanë hapësirë të pamjaftueshme. Duhet ata me liru objektin e shkollave të mesme. Komuna e Gjilanit Lutfi Haziri  me Kuvendin komunal ia ka nda tokën ku është për momentin FSK-ja për me ndërtu Kampusin Universitar “Kadri Zeka” e FSK me dalë pjesë tjetër”,potencoi Bunjaku-Rexhepi për Ndërtimi.info.

Ndërkaq, gjithë projekti për ndërtimin e Kampusit Universitar “Kadri Zeka” në Gjilan do të kushtojë afër 2 milionë euro (1 milion e 800 mijë).

Për këtë projekt vit në 2017 janë ndarë 500 mijë euro, po ashtu dhe vitin 2018 janë ndarë 500 mijë euro. Kurse 2019 parashihet të ndahen 800 mijë euro.

Kujtojmë që menjëherë pas mbledhjes së 19-të të Qeverisë së Kosovës në të cilën mbledhje u miratua vendimi për ndarjen e parcelës ku do të ndërtohet Kampusi Universitar “Kadri Zeka” e pati mbështetur zëvendësministrit të Infrastrukturës, Rexhep Kadriu.

Kadriu përmes një postimi në “Facebook” pati thënë që vendi nga ai vjen, pra, Gjilani, gradualisht po shndërrohet në një qendër me standarde evropiane dhe joshëse për tu vizituar.

“Të nderuar qytetarë të Anamoravës,

Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e sotme, ka miratuar vendimin për ndarjen e parcelës për Kampusin e Universitetit Publik të Gjilanit, “Kadri Zeka”, në përputhje me Planin Rregullues Urban i cili është miratuar nga Kuvendi i komunës së Gjilanit në vitin 2013. Gjilani gradualisht do të shndërrohet në një qendër me standarde evropiane dhe joshëse për tu vizituar. Qeveria Haradinaj e ka përnime; Anamorava fuqishëm prezente në programin katërvjeçarë”, kishte shkruar Kadriu./Ndërtimi.info/

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close