AKTUALITETLAJME

VENDOSJA E ADMINISTRIMIT USHTARAK SERB NË GJILAN MË 1912

Shkruan: Enver Sadiku

Pas pushtimit ushtarak e terrorit që kishte kryer dhe vazhdonte të kryej mbi popullatën shqiptare, Serbia në viset e pushtuara e me këtë edhe në Gjilan e rrethinë vendosi një administratë që kryesisht përbëhej nga personeli ushtarak. Në këtë kohë, Gjilani bëhet qendër e rrethit, në kuadër të të cilit u krijuan 15 komuna.

Fillimisht regjimi ushtarak serb do të bëjë edhe një regjistrim të popullsisë që do t’i shërbejë për organizimin e administratës serbe në Kosovë. Territori i Kosovës u nda në këto qarqe: të Prishtinës, të Prizrenit, të Novi Pazarit, të Kumanovës dhe të Shkupit.[1] Qarqet ishin njësitë më të mëdha administrative, secili qark ndahej në disa rrethe, e rrethet në disa komuna,[2] kurse në qarkun e Prishtinës bënin pjesë, Vushtrria, Mitrovica, Gjilani, Ferizaj dhe Llapi.[3]

Në vendet e pushtuara, ushtria serbe organizoi reparte çetnikësh e xhandarësh, të përbërë nga kriminelë, hajdutë, njerëz të degjeneruar e vrasës. Ata trumbetonin se kanë ardhur t’i çlirojnë territoret nga sundimi pesëshekullor osman, të bëjnë vëllazërimin e dy popujve, të ndërtojnë rrugë e hekurudha, të bëjnë “civilizimin” e Shqipërisë etj., por ndryshe nga këto deklarime të tyre, ata nga ana tjetër vazhdonin një gjenocid të paparë mbi popullatën shqiptare. Se kishte regjim ushtarak dëshmojnë të dhënat se kush nuk zbatonte rregullat e vëna nga komandantët serbë pushkatohej në vend.[4]

Në këto rrethana të vështira për popullsinë shqiptare, ushtria serbe menjëherë filloi vendosjen e administrimit të vet në territoret e pushtuara, pra edhe në rrethinën e Gjilanit. Organet administrative përbëheshin nga personeli ushtarak dhe ishin nën komandën ushtarake. Nuk kishte administratë civile por ushtarake, e me këtë edhe regjimi ishte ushtarak. Pas pushtimit serb në vitin 1912, Gjilani u bë qendër e rrethit në kuadër të Qarkut të Kosovës. Që nga ajo kohë, Gjilani bëhet qendër e pushtetit civil dhe ushtarak të asaj treve. Njësi më të vogla administrative në kuadër të rrethit ishin komunat e në Rrethin e Gjilanit ishin këto komuna: Bostani, Vaganeshi, Vërbofci, Vitia, Kamenica, Kolloleçi, Parallova, Parteshi, Pasjani, Ranilluku, Rogaçica, Ropotova, Sllatina, Tërpeza dhe Shurdhani.[5] Siç shihet, sipas regjistrimit të prillit të vitit 1913, i bërë nga regjimi ushtarak, Rrethi i Gjilanit kishte 15 komuna me 195 fshatra. Në atë regjistrim, veç tjerash, mund të shihet edhe numri i komunave, fshatrave e shtëpive sipas nacionalitetit si dhe numri i popullsisë. Sipas këtij regjistrimi, Rrethi i Gjilanit kishte sa vijon: 15 komuna, 195 fshatra, 6629 shtëpi shqiptare, 3135 shtëpi serbe, 628 shtëpi turke dhe 872 shtëpi të tjera, pra gjithsej 11264 shtëpi me 76579 banorë, prej tyre 39004 meshkuj dhe 37575 femra.[6] Sipas shënimeve statistikore të vitit 1913 dhe 1921 të pushtetit serb edhe pse këto shënime nuk janë reale, ngase pushteti serb regjistrimet i bënte për qëllime e nevoja të veta, shihet se numri i banorëve të Gjilanit është pakësuar për 1000 veta, nga 7.762 më 1913 në 6727 më 1921. Ky është rezultat i shpërnguljes në Turqi, por edhe i vrasjeve të shumta gjatë Luftës së Parë Botërore e vitet pas saj.[7]

Pushteti serb, duke u thirrur në bazë të një ligji, vendosi edhe për emërtimet e vendbanimeve në gjuhën serbe si dhe dhënien e statusit të qytetit disa vendbanimeve, ndër të cilat edhe Gjilanit. Po ashtu u vendos edhe sistemi gjyqësor, ndërsa sipas rregullimit administrativ dhe rëndësisë së lëndëve u ndanë edhe kompetencat e gjyqeve. Bile u formuan edhe gjyqe fetare për myslimanët që kishin të bënin kryesisht me çështje familjare dhe për to përdorej sheriati.[8]

Përmes këtyre gjykatave do të fillojnë edhe konfiskimet e shpronësimet e shqiptarëve. Gjykatat e krijuara nga regjimi serb nuk i merrnin parasysh as tapitë e vjetra familjare të pronësisë së tokave e shtëpive nga periudha osmane si dhe kontratat e asaj kohe. Përveç në sistemin gjyqësor, diskriminim të shqiptarëve kishte edhe në planin arsimor. Qëndrimi antishqiptar në arsim më së miri mund të shihet edhe me rregulloren e Serbisë për viset e pushtuara, ku parashihej kontrolli i plotë i shtetit mbi shkollat shtetërore dhe private si dhe institucionet fetare. Në bazë të kësaj rregulloreje, shkollimi fillor shtetëror ishte i obligueshëm për të gjithë qytetarët e pjesëve të “çliruara” pa dallim. Por, shkollimi i ishte lejuar vetëm atyre që flisnin gjuhën serbe, gjuhët joserbe ishin të ndaluara zyrtarisht.[9]

Menjëherë pas depërtimit të ushtrisë serbe në Kosovë, por edhe në Gjilan, për të neutralizuar figurat patriotike dhe udhëheqëse shqiptare, pushteti serb organizoi ndjekjen dhe burgosjen e tyre. Kështu gjatë nëntorit e dhjetorit të vitit 1912, regjimi serb arriti t’i burgoste dhe t’i dërgonte në Kalemegdan, kala e Beogradit, udhëheqësit nga Prishtina Shaban pasha i Gjinollëve, Xhemajl bej Sylejmanin, Rushit beun, Muharrem Efendiun, Ibrahim be Kokollarin, nga Vuçitërna; Hasan Prishtinën, nga Mitrovica, Nexhip be Dragën nga Shkupi, ish- deputetin Seit Hoxha, Qamil Beun nga Peja, Jashar Pashën, kurse nga Gjilani udhëheqësit e kryengritjes në ato vise, Idriz Seferin me djalin e dajës së tij Kasumin* dhe Mustafë Mysinin, profesor i Gjimnazit në Shkup.[10]

Për arrestimin e udhëheqësve shqiptarë raportonte edhe konsulli austriak në Shkup, i cili njoftonte kontin Berthold në Vjenë se kishte mësuar se paria shqiptare ishte internuar në Beograd, midis të cilëve Nexhip Bej Draga, Hasan beu dhe Shaban Pashai dhe se serbët me anë të kërcënimeve duan që t’i shtrëngojnë ata për të dhënë nënshkrimet e tyre kundër pavarësisë së Shqipërisë.[11] Se krerë shqiptarë ishin arrestuar dhe ndodheshin në Beograd dhe se ata ishin arrestuar se nuk i ishin bindur Serbisë, dëshmon edhe konsulli i Austro-Hungarisë në Beograd, i cili në një telegram dërguar më 25 dhjetor 1912 zotit von Urgon e njoftonte atë se krerët e shqiptarëve Hasan beu dhe Nexhip be Draga, ish-deputetë në parlamentin osman, u arrestuan në Shkup, sepse nuk donin të nënshkruanin një adresë besnikërie ndaj Serbisë. Siç njoftonte konsulli austriak nga Beogradi, të dy të arrestuarit gjendeshin në kalanë e këtushme (Beograd).[12]

Idriz Seferi ishte vënë në kërkim nga Serbia dhe ai ishte dorëzuar vetëm pas ndërmjetësimit të disa njerëzve të njohur, duke dashur që në këtë mënyrë të shpëtojë familjen e tij.[13] Për dorëzimin e Idriz Seferit dhe të djalit të dajës së tij Kasumit, ishte njoftuar edhe Komanda e Lartë e Ushtrisë serbe, të cilës i ishte dërguar dërgesë se ata ishin dorëzuar në Shkup dhe ishin transferuar në Beograd.[14] Se Idriz Seferi kishte zbritur nga Malet e Karadakut, ku kishte qenë i strehuar, shkruante edhe gazeta serbe “Vardar” e datës 8 nëntor 1912, sipas së cilës, Idrizi bashkë me një bashkëluftëtar “u dorëzuan në fjalë të kapitenit Bozhin Simiq, njësiti i të cilit i kishte zbuluar në mal”.[15]

Udhëheqësit shqiptarë, pra edhe Idriz Seferi e Kasum Seferi nga Gjilani, u mbajtën të internuar pa ndonjë gjyq deri më 10 prill të vitit 1913. Me urdhër të kryeministrit serb, Nikolla Pashiq, u liruan nga burgu 14 veta, në mesin e të cilëve edhe Idriz Seferi me Kasumin, por me një udhëzim për organet policore të rretheve që të përcillen në çdo hap.[16] Prej prillit të vitit 1913 deri në vjeshtë të vitit 1915, Idriz Seferi qëndroi në fshatin Sefer pranë familjes, duke qenë nën kontrollin e përhershëm.[17]

Aktiviteti i Idriz Seferit kundër pushtetit serb do të vazhdojë edhe pas lirimit nga burgu. Kjo shihet nga koordinimi i aksioneve të armatosura që kryheshin nga çetat e patriotëve në postat e policisë serbe. Ai kontaktoi edhe me Qeverinë e Vlorës, në të cilën tani një nga ministrat ishte edhe Hasan Prishtina, me te cilin vuri kontakt përmes të dërguarve të tij, Hamdi Kurteshin nga Pozherani. Pas takimeve me Hasan Prishtinën, Idrizi mori porosinë që të vazhdonin luftën duke u përgatitur edhe për një kryengritje të afërt. Nga këto rrethana, mund të konkludohet se përkundër masave të pushtetit serb, popullsia e Gjilanit nuk pajtohej me pushtimin serb, por në forma të ndryshme rezistonte. Duke mos mundur as nëpërmjet dhunës e burgosjeve që të kthej kah veti krerët me ndikim te popullsia shqiptare, pushteti serb provoi edhe në forma të tjera, duke joshur edhe me të holla njerëzit me ndikim, që të viheshin në shërbim të tyre. Kështu, komandanti i Armatës së Tretë kishte shpalosur propozimin që të ndaheshin të holla për përfitimin e shqiptarëve, por që kryesuesi i shtabit të ushtrisë në Shkup i ka shkruar atij se tek shqiptarët kjo nuk do të ketë sukses, veç nëse atyre nuk u jepen arsye të tjera serioze, të cilat ata do t’i bindnin që t’i bashkëngjiten Serbisë. “Përvojat tona në këtë aspekt (me Isa Boletinin, Idriz Seferin e të tjerët) dhe e dhëna që komandanti e kishte cekur në depeshen se agjitatorët i kanë këto mjete, vërtetojnë se paratë në këtë rast nuk do të mund ta arrijnë qëllimin…”.[18]

Shqiptarët, që në Kosovë por edhe në Gjilan me rrethinë përherë ishin popullatë dominuese, asnjëherë nuk u përfshin në organet vendimmarrëse. Atyre iu mohua e drejta për pronë, identitet kombëtar, e drejta e besimit të lirë, e drejta e shkollës, e drejta e punës, e gjuhës dhe e lëvizjes.[19]

Nëpërmjet planit të saj për përvetësimin e krerëve shqiptarë me ndikim, Serbia tentonte që nëse ky plan do të ketë sukses, atëherë do t’i shfrytëzonte ata për interesa të veta e nëse nuk do të mund t’ia arrinte këtij qëllimi, atëherë Serbia mëtonte që krerët shqiptarë të komprometoheshin para bashkatdhetarëve të tyre si njerëz të shitur. Duke arrestuar krerët shqiptarë, apo të edhe një a më shumë anëtarëve të familjeve nëpër fshatra e në qytete, ushtria serbe synim të sajin kishte që t’i detyronte shqiptarët e zonave të pushtuara që të rrinë të qetë dhe të mos i kundërvihen ushtrisë pushtuese serbe.

(Marrë nga libri “Gjilani me rrethinë gjatë Luftërave Ballkanike 1912 – 1913” i autorit Enver Sadiku)

[1] Cana, Z., Socialdemokracia…, f. 146.

[2] Po aty, f. 66.

[3]Ђорђевић, Д. 1956. Излазак Србије на Јадранско море и конференција амбасадора у Лондону 1912, Београд, c. 55-56.

[4] Fiçorri, R., vep. e përm., f. 111 – 112.

[5] Osmani, J., Vendbanimet…, f. 36.

[6] Rushiti, L., Rrethanat…, f. 71.

[7] Osmani, J., Vendbanimet…l, f. 87.

[8] Stankoviq, B., Pomoravla…, f. 24.

[9] Rexha, S., Popullsia…, f. 13.

* Në disa vepra historiografike, Kasum Seferi paraqitet si i biri i Idriz Seferit, por sipas pasardhësve të Idriz Seferit, Kasumi ishte djalë i dajës së Idriz Seferit. (Intervistë me Bajram Isufin, nip i Idriz Seferit).

[10] Abdyli, T., Hasan…, f. 178.

[11] AIH, Vj. 22 – 9 – 914, f.1.

[12] AIH, Vj. 2 – 9 – 914, nr. 4980, al. sh. Nr. 325

[13] Brestovci, S., art. i përm., f. 13.

[14] ASHK, Fondi i Sadullah Brestovcit, nr. i inv. 29; AVII, Пописник, К-10. Дневник Врховне Команде.

[15] Вардар. бр. 79. 26 октобра 1912, “Предао се Идриз Сефери”.

[16] Shala, Xh. 2006. Çështja shqiptare dhe diplomacia serbe 1912-1913, Prishtinë: Instituti Albanologjik i Prishtinës, f. 151.

[17] Brestovci, S. art. i përm., f. 13.

[18]ASHK, Fondi i Sadullah Brestovcit, nr. i inv. 29. telegram komandantit të Armatës së Tretë dërguar më 9 prill 1913 nga kryesuesi i shtabit në Shkup.

[19] Gexha, Q. Popullsia…, 2003, f. 44.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close