AKTUALITETLAJME

Loja me autostradën multimilionëshe të Gjilanit

Autostrada Prishtinë – Gjilan, ndërtimi i së cilës do të kushtojë rreth 90 milionë euro, është në punim e sipër teksa Ministria e Infrastrukturës po vazhdon ta mbajë të fshehur kontratën mbi të cilën është duke u ndërtuar ky projekt. Kjo kontratë tashmë është duke u hetuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës, edhe pse ende asnjë zyrtar i MI-së nuk është marrë në pyetje, shkruan gazeta “Zëri”.

Ndonëse punimet në autostradën Prishtinë – Gjilan – Dheu i Bardhë po vazhdojnë, Ministria e Infrastrukturës, e cila aktualisht udhëhiqet nga Pal Lekaj, po vazhdon t’i mbajë të fshehura dokumentet e kontratës mbi të cilat po ndërtohet ky projekt, i cili kap vlerën e 88 milionë eurove.

Që nga korriku i vitit 2018 lëvizja “Fol” ka kërkuar nga Ministria e Infrastrukturës kontratën për ndërtimin e kësaj autostrade, mirëpo edhe pas kaq shumë kohësh ata nuk kanë marrë dokumentet e kërkuara mbi planin e menaxhimit të kontratës.

Përveç kësaj, Policia e Krimeve Ekonomike e Kosovës në qershor të këtij viti pas inspektimit të këtij projekti ka gjetur shkelje ligjore nga ana e MI-së kur ka lidhur kontratë me kompanitë, të cilat po ndërtojnë këtë projekt. Po ashtu ky organ ka gjetur shkelje edhe në vendimin e fundit të OSHP-së, kur e ka rivlerësuar këtë tender.

Ndonëse gazeta ka kërkuar përgjigje nga Prokuroria Speciale, ajo nuk është përgjigjur mbi atë se deri ku kanë mbërritur hetimet për autostradën Prishtinë – Gjilan, mirëpo zyrtarë të MI-së kanë thënë se ende nuk janë ftuar për intervistim nga ky organ.

As pas një viti MI-ja nuk lejon qasjen në dokumente

Elbasan Racaj, nga lëvizja “Fol”, për “Zërin” ka bërë të ditur se ndonëse qe një vit kanë kërkuar qasje në dokumentet publike të kontratës së kësaj autostrade, ende nuk kanë marrë dokumentet e kërkuara nga MI-ja.

Ne kemi kërkuar më 17 korrik 2018, përmes kërkesës për Qasje në Dokumente Publike kontratën për ndërtimin e autoudhës Prishtinë – Gjilan – Dheu i Bardhë, së bashku me të gjitha dokumentet përcjellëse të kontratës, gjegjësisht së bashku me Planin e Menaxhimit të Kontratës.

Pas mospranimit të një përgjigjeje nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës, ne kemi paraqitur ankesë në Institucionin e Avokatit të Popullit, me datë 13 gusht 2018”, ka thënë ai.

Menjëherë pas kësaj Ministria e Infrastrukturës pas disa muajve vonesë ka kthyer përgjigje të pjesshme në kërkesën e lëvizjes “Fol”, duke i ofruar kontratat e nënshkruara në mes të Ministrisë së Infrastrukturës dhe operatorëve ekonomikë (kompanive), megjithatë pa e ofruar Planin për Menaxhimin e Kontratës, dokument ky i rëndësishëm për t’i monitoruar punimet në terren dhe gjithë procesin.

Po ashtu ai ka theksuar se më datën 1 gusht të këtij viti lëvizja “Fol” ka pranuar një raport nga ana e Institucionit të Avokatit të Popullit, përmes së cilit raportohet se i njëjti institucion i ka ndërprerë procedurat e tij lidhur me mosofrimin e qasjes në dokumente publike nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës, pasi kontrata për ndërtimin e autostradës Prishtinë – Gjilan – Dheu i Bardhë tashmë është duke u hetuar nga Prokuroria Speciale.

Rrjedhimisht, vlerëson Racaj, moslejimi në qasje në dokumente publike është në kundërshtim me ligjin, pasi nuk lejon informimin për shpenzimin e parasë publike.

“Ne mendojmë se çdo fshehje ose mosposedim i dokumenteve publike, veçanërisht në rastin e ndërtimit të autoudhës Prishtinë – Gjilan – Dheu i Bardhë, është në kundërshtim me të drejtën publike për t’u informuar me shpenzimin e parasë publike, si dhe ka të bëjë me keqplanifikim e keqmenaxhim të të njëjtave shpenzime dhe të kryerjes së punimeve në terren”, ka potencuar ai.

Ndërkohë Recaj ka theksuar se pamundësia të qasen në dokumente publike ka pamundësuar që lëvizja “Fol” të monitorojë punën e kësaj autostrade.

“Për ne tashmë një monitorim i detajuar i punimeve në terren është i pamundur, në mungesë të Planit për Menaxhimin e Kontratës.

Plani për Menaxhimin e Kontratës, i paraparë të përgatitet dhe të posedohet edhe duke u bazuar në Ligjin për Prokurim, rregullon çështjet organizative, ekonomike, teknike dhe ligjore (shih Nenin 81 të Ligjit për Prokurim Publik), andaj në mungesë të të njëjtit plan ne e kemi të pamundur të japim mendime mbi vazhdimin e punimeve në terren”, ka shtuar ai.

Lekaj: Autostrada do të kryhet para vitit 2020

Në anën tjetër i pyetur për punimet në autostradën Prishtinë – Gjilan ministri i Infrastrukturës në detyrë, Pal Lekaj, për “Zërin” ka thënë se këto punime po vazhdojnë në mënyrë dinamike dhe pa ndërprerje. “Në autostradën Prishtinë – Gjilan po punohet me dinamikë në të gjitha lotet. Punët janë duke vazhduar sipas planifikimit dhe ajo do të përfundojë brenda afatit të paraparë që është fundviti 2020”, ka thënë ai.

Sipas tij, me dinamikën me të cilën po punojnë kompanitë kontraktuese, projekti do të përfundojë para vitit 2020. “Megjithatë dinamika e shtuar e kompanive vendase është tregues se do të kryhet para këtij afati”, ka thënë ai.

MI-ja: Asnjë zyrtar nuk është intervistuar nga Prokuroria

Rexhep Kadriu, zëvendësministër në detyrë i Ministrisë së Infrastrukturës, për “Zërin” ka thënë se ende asnjë zyrtar i kësaj Ministrie nuk është intervistuar nga Prokuroria Speciale lidhur me autostradën Prishtinë – Gjilan. “Deri në këto momente nuk kemi informacione nga Prokuroria se është marrë dikush në pyetje nga MI-ja për këtë temë”, ka thënë ai.

Ndërkohë, sipas zëvendësministrit Kadriu, punët në këtë autostradë po vazhdojnë pa ndërprerje dhe deri më tani rreth 45% e punëve tokësore janë kryer.

“Realisht punët janë duke shkuar në dinamikën e paraparë dhe nuk ka asnjë ndërprerje. Unë të mërkurën e vizitova punishten dhe gjitha kompanitë e kontraktuara nga Ministria e Infrastrukturës janë duke punuar dhe nuk kemi probleme.

Diku te 45% e punimeve tokësore kanë mbërritur dinamikën e kryerjes së punëve dhe ne po shpresojmë që të përfundojmë me kohë në afatin e paraparë në vitin 2020, sipas kontratës”, ka theksuar ai.

Kurse duke folur për buxhetin që është ndarë nga Qeveria e Kosovës për ndërtimin e autostradës, Kadriu vlerëson se është buxhet i mjaftueshëm për t’i kryer punimet në afat rekord.

“Mjetet financiare për këtë vit janë të mjaftueshme për t’i kryer punimet. E kemi buxhetin e vitit të ardhshëm që është rreth 37 milionë, i propozuar, dhe nuk do të kemi pengesa sa u përket pagesave në implementim të projektit. Asnjë kompani nuk pret për pagesa, sepse për të gjitha janë mjetet e siguruara”, ka thënë ai.

Avokati i Popullit ka kërkuar sqarime për mostransparencën e autostradës

Në anën tjetër i kontaktuar nga lëvizja “Fol” për mostransparencën e Ministrisë së Infrastrukturës është kontaktuar edhe Avokati i Popullit. Zyra për informim e këtij institucioni i ka thënë “Zërit” se Avokati i Popullit, më 13 gusht 2018, e ka pranuar ankesën e përfaqësueses së lëvizjes “Fol” parashtruar kundër Ministrisë së Infrastrukturës dhe të Transportit, për mospërgjigje në kërkesën për qasje në dokumente publike.

“Meqenëse Ministria nuk i është përgjigjur kërkesës, brenda afatit të paraparë me ligj, lëvizja ‘Fol’, më 13 gusht 2018, i është drejtuar Avokatit të Popullit, që në pajtim me kompetencat ligjore të ndihmojë në realizimin e qasjes në dokumentet publike”, thuhet në përgjigjen e kësaj zyre.

Mirëpo edhe pas intervenimit të Avokatit të Popullit, MI-ja nuk i ka dërguar dokumentet e kërkuara.

“Pas komunikimit të Avokatit të Popullit me Ministrinë, me qëllim të realizimit të qasjes në dokumentet e kërkuara, lëvizjes ‘Fol’ i është ofruar hapësira dhe koha për qasje në dokumentet e kërkuara, megjithatë në dosjet e ofruara kanë munguar dy dokumente.

Avokati i Popullit ka vazhduar komunikimin me Ministrinë lidhur me mungesën e dy dokumenteve për të ardhur deri te përgjigjja e fundit e Ministrisë se qasja në dy nga dokumentet e kërkuara nuk mund të realizohet për faktin se nuk ndodhen në dosjen e lëndës”, thuhet tutje aty.

Rrjedhimisht, Avokati i Popullit në pajtim me Ligjin për Avokatin e Popullit ka kontaktuar me Prokurorinë Speciale, me ç’rast është njoftuar se “Kontrata për ndërtimin e autoudhës A7.1 – Kryqëzimi në disnivel A6/A7.1 (Banullë) – Dheu i Bardhë” është duke u trajtuar në Prokurorinë Speciale.

Duke marrë parasysh rrethanat e rastit, përkatësisht faktin se aktualisht me rastin është duke u marrë Prokuroria Speciale dhe në pajtim me Ligjin për Avokatin e Popullit, Avokati i Popullit më 1 gusht 2019 ka ndërprerë hetimet lidhur me shkeljen e të drejtave të njeriut.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close