LAJME

Heshtja e Isa Mustafës për ekspertizën e vdekjes së Astrit Deharit

Lideri i LDK-së, Isa Mustafa, nuk është deklaruar ende për ekspertizën e Institutit Zviceran të Mjekësisë Ligjore lidhur me vdekjen e Astrit Deharit, sipas së cilës nuk përjashtohet mundësia e vrasjes së aktivistit të Vetëvendosjes, duke rikthyer kështu debatin për ngjarjen e ndodhur tre vjet më parë.

Konkluzionet e këtij raporti gjithashtu kërkojnë hapjen e hetimeve të reja.

Astrit Dehari kishte vdekur në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, më 5 nëntor 2016, ku po mbahej në paraburgim nën dyshimet për sulm ndaj ndërtesës së Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Raporti i Institutit të Mjekësisë Ligjore rreth shkaqeve të vdekjes së Astrit Deharit, më 18 nëntor 2016, nxori se ai kishte bërë vetëvrasje, por rezultatet e këtij raporti nuk ishin pranuar asnjëherë nga prindërit e tij.

Në këtë kohë, Kryeministër i Kosovës ishte Isa Mustafa dhe zyrtarë të Vetëvendosjes e patën akuzuar “regjimin” e tij për vdekjen e Deharit.

Ish-deputeti i Vetëvendosjes, Sami Kurteshi, madje, javë më parë, kur dështoi koalicioni parazgjedhor midis VV-së dhe LDK-së, e kishte akuzuar Isa Mustafën lidhur me rastin e Astrit Deharit.

Në një postim në profilin e tij në Facebook, ai kishte pyetur “Kush e vrau Astrit Deharin” dhe kishte përmendur edhe emrin e ish Kryeministrit Mustafa si të përfshirë në “urdhrin e pushtetit politik-policor” që arrestoi aktivistët e VV-së.

Këto akuza ndërkohë janë harruar nga Vetëvendosje, tashmë kur Albin Kurti dhe Isa Mustafa po tentojnë të lidhin koalicion qeverisës, pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 6 tetorit.

As pas ardhjes së raportit nga Instituti Zviceran i Mjekësisë Ligjore, i cili lë të hapur mundësinë e vrasjes së Astrit Deharit, Vetëvendosje nuk ka kërkuar përgjegjësi nga ish Kryeministri Isa Mustafa. Shkruan PERISKOPI

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close