AKTUALITETLAJME

Çfarë do të bëjë Albin Kurti me Universitetin “Kadri Zeka”?

Universiteti Gjilanit “Kadri Zeka” është themeluar me vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës mbi themelimin e Universiteteve Publike më datë 6 mars 2013, të cilën e miratoi Kuvendi i Kosovës më datë 31 maj 2013.

Themelimi i Universitetit Publik të Gjilanit ishte një ngjarje shumë e rëndësishme për qytetarët e Komunës së Gjilanit, rajonit të Anamoravës, si dhe të Luginës së Preshevës.

Por, në ndërkohë gjërat filluan të përkeqësohen. Mediat filluan t’i shfaqin vazhdimisht skandalet brenda këtij Universiteti. Stafi akademik dhe stafi administrativ në shumë raste ishin rekrutuar në bazë të preferencave miqësore të Rektorit Kosumi, se sa në bazë të Rregulloreve dhe Ligjeve në fuqi.

Mediat filluan t’i publikojnë edhe skandalet e tjera. Problemet në akreditim. Mënyra se si Fakulteti Ekonomik – Drejtimi Banka, Financa dhe Kontabilitet ishte akredituar në mënyrë skandaloze, me një Prof.Ass i cili bachelorin e kishte në Gjuhë Angleze ndërsa Doktoratën në Fakultetin e Historisë për Marrëdhenie Ndërkombëtare.

Shpenzimet enorme në darka e udhëtime zyrtare për Menaxhmentin e Universitetit “Kadri Zeka”. Mediat shkruanin dhe prezantonin fakte se si Universiteti “Kadri Zeka” i kishte lënë studentët pa pelerina me arsyetimin se nuk kishte fonde të mjaftueshme, ndërsa Këshilli Drejtues kishte marrë Vendim për t’i ndarë vetës dhe në total 21 zyrtarëve shuma të majme në vlerë 8225 euro në formë të mëditjes/kompensimit për angazhimin e tyre në Ceremoninë e Diplomimit.

Bordet janë vendosur vazhdimisht në bazë të preferencave partiake dhe jo në bazë të meritës akademike. Barra e fajësisë shkonte tek PDK e cila ishte pjesë përbërëse e Qeverisë, ndërsa faktikisht Rektori Kosumi më shumë se sa në baza partiake, ka sistemuar njerëz në baza miqësore e fisnore.

Fatura e keqmenaxhimit i shkonte PDK-së, pavarësisht se Rektori Bajram Kosumi më së paku e ka përfaqësuar këtë subjekt politik, si dhe në shumë raste zyrtarët e lartë të LDK-së si dhe familjarët e zyrtarëve të Vetëvendosjes u sistemuan në mënyra shumë të dyshimta.

U premtua gjithashtu Kampusi Universitar.

Ende nuk është duke u realizuar ky premtim. I vetmi Universitet Publik pa Kampus Universitar është Universiteti i Gjilanit. Premtime vjetore e realizimi ende mbetet larg.

Çfarë do të bëjë Kryeministri i ardhshëm z. Albin Kurti? A do të jetë i gatshëm t’i futet problemit në esencë?!

A do të jetë prioritet i tij mbyllja – e cila nuk është zgjidhje, profilizimi dhe pasurimi me drejtime të reja, shndërrimi në degë të UP-së, apo do të fillojë inspektimin, reformimin, si dhe ndëshkimin e përgjegjësve për degradimin e Universitetit?! 

Padyshim nevojitet guxim dhe vullnet.

Të gjitha partitë i kanë duart në këtë Universitet. A do të jetë Kryeministri Albin Kurti personi i cili do të lejojë të vazhdohet me avazin e vjetër të skandaleve, apo do t’i thotë përfundimisht STOP degradimit shumëvjeçar të Universitetit “Kadri Zeka?!Koha do ta tregojë të vërtetën! /gjilanisot/

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close