AKTUALITETLAJME

Riza Avdyli reagon pas dokumentit të publikuar: Kadri Veseli do ta pastrojë PDK-në

Shkruan Riza Avdyli – Shef i Asamblistëve të PDK-së në Kuvendin Komunal:

Sa i përket raportit të publikuar në Bota Sot i cili po shpërndahet si diçka eksluzive, dua të ju sqaroj vetëm disa gjëra plotësuese që ta kuptoni mirë.

Ai është një draft raport, i papërfunduar, të cilin dikush që ka pasur qasje ka menduar që ka kapur diçka të vlefshme dhe e ka shpërndarë, për ta dëmtuar dikë por nuk ia ka arritur.

Pse?

Nuk ka asnjë sekret që nuk do të duhej të dilte në publik, bile kanë mbetur edhe shumë plotësime që nuk janë bërë.

Ai është një raport analize mbi shkaqet që kanë çuar në rënien e mbështetjes për PDK-në, opinion që disa anëtarëve përgjegjës të partisë na është kërkuar ta çojmë, për të nxjerrë një konkluzion të përgjithshëm nga i cili do të bëhet një plan për fazën e ardhshme të zhvillimit të partisë. Edhe pse sa i përket zgjedhjeve lokale, për ata që nuk e dinë, PDK ka arritur rritje nga zgjedhjet lokale të 2017, apo një dallim i vogël në zgjedhjet nacionale të këtij viti si PAN.

Ndër ato që janë nxjerrë si përfundime, nga dega e PDK-ës në Gjilan, nuk janë akuza por bindje se ku mund të kenë qenë pakënaqësitë. Pakënaqësi këto që na janë thënë nga qytetarët, jo që janë akuzat të krijuara nga dikush. Gjë që nuk duhet të injorohet si fakt gjatë bërjes së një analize.

Nëse mendoni që ka vlerësime apo cilësime të rënda, i keni deklaratat publike të vetë kryetarit Veseli të cilat janë edhe më të rënda në kuptimin e kualifikimit të veprave dhe cilësimit të personave, prandaj nuk më duket diçka e jashtëzakonshme. Sepse kjo është iniciativa e PDK-së, që t’i identifikojë dhe t’i përmirësojë dukuritë negative brenda partisë, të cilat sigurisht pikërisht dikujt brenda partisë do t’i pengojnë dhe do të mendoj që duke i publikuar këto raporte do ta denigrojë dikë e do ta shpëtojë veten. PDK dega në Gjilan nuk do të lejojë të denigrohet me veprime të tilla të ulëta, aq më shumë që e di se kush e ka nxjerrë dokumentin nga komunikimi i brendshëm.

E sa i përket cilësimeve, kualifikimeve e identifikimit të problemeve dhe refuzimit të dukurive negative, do të keni një raport publik të përgjithshëm, të kompletuar, siç kanë qenë publike të gjitha deklaratat e kryetarit të partisë, që kanë qenë një autokritikë kundër dukurive negative të brendshme.
Kryetari Veseli, pikërisht për shkakun se brenda PDK-së ka këso individësh të papërgjegjshëm, të cilët nuk e përfillin rregullin dhe vendimet e forumeve të saj, nuk mërziten për dëmin qe ia bëjnë asaj, e ka nisur me strategjinë e “pastrimit” të shtëpisë e të oborrit të vet. Pa këtë proces të brendshëm, PDK dhe secila organizatë tjetër politike mbetet peng i vetvetes.

Pra, edhe sikur ta analizoni si një raport të brendshëm, që qenka “zbuluar”, keni rastin të bindeni se PDK-ja nuk i injoron shqetësimet dhe brengat e qytetarëve as në komunikimet e brendshme. Pra ato që i themi në publik, nuk janë për të mashtruar, por janë shqetësime tona të vërteta.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close