AKTUALITETLAJME

Halil Alidema – Kryetar i parë i UNIKOMBIT, cila ishte veprimtaria e tij?

Halil Alidema[1](15 mars 1936 – 19 mars 1996) u lind në një familje të madhe patriarkale e patriotike, nga e ëma Mirzadja dhe babai Bexheti në një fshat të Kosovës të quajtur Pozheran (komunë e Vitisë – fshat në magjistralen Ferizaj-Gjilan). Ishte i martuar me Teuta Kryeziun dhe së bashku lindën 3 fëmijë, 1 djalë – Atdheun dhe 2 vajza – Linditën dhe Yllkën të cilët për momentin jetojnë jashtë vendit dhe ndjehen shumë krenarë për prindërit (“heronjtë”) që patën.

Veprimtaria politike dhe patriotike e Halil Alidemës

Është interesant se edukimi i tij patriotik u zhvillua dhe u zgjerua në rrathë koncentrikë, sikur valët e ujit, që zgjerohen e shtohen kur në ujin e qetë hedhim një gur e ai shkakton valë pas vale, duke zgjeruar rrethin e tyre në sipërfaqen e ujit. Ashtu edhe edukimi, arsimimi, mburrja e krenaria e Halil Alidemës, filloi që nga rrethi i parë, në bërthamën e vatrës patriotike të familjes së madhe patriarkale të Hazir Alidemës, duke u zgjeruar nëpërmjet ndikimit të odave të burrave, që shërbenin si shkolla të traditave kombëtare të kohës, u zgjerua në lagjen Alidemaj, në lagjet e tjera të fshatit të Pozheranit e në tërë Anamoravën, arriti zenitin e vet në tërë Kosovën e në mbarë Shqipërinë Etnike. Kjo edukatë, kjo brumosje patriotike do t’i shërbejë Halilit si bazë e fortë kombëtare në të gjitha periudhat e tij të jetës, në të gjitha ngjarjet e kthesat e mëdha historike, duke përjetuar një shtrirje gjeografike të ndikimit të tij dhe autoritetit si personalitet i rëndësishëm në mbarë truallin shqiptar.

Halili gjithkund e në çdo ngjarje të rëndësishme kombëtare, në çdo lëvizje, në çdo organizatë apo në çdo parti, që kishte synim çlirimin kombëtarë, e shohim të parin, do të thotë si prijës e udhëheqës, ose ndër të parët, që mbanin përgjegjësi dhe obligim t’i shtynin dhe t’i zhvillonin proceset politike përpara. Si i këtillë edhe i pari ra në konflikt me okupatorët serbosllav, duke shërbyer gjithmonë si digë dhe mbrojtje e fortë e rrethit familjarë e shoqëror, por edhe si nxitës në përqafimin, bashkimin e përkrahjen morale e fizike të ideve patriotike.

Ndërsa si nxënës i Normales, duke hequr bustin e Milladin Popoviçit, duke u përpjekur të kaloj kufirin për Shqipëri, si mësues dhe si nënpunës administrativ, si student me korrespodencë, ishte në konflikt të përhershëm me regjimin monist jugosllav.

Kështu viti 1968 Halilin e gjeti si student të juridikut. Gjatë këtyre demonstratave, ai jo vetëm që ishte një pjesëmarrës aktiv, por ishte edhe kryesues e frymëzues i tyre, duke ndikuar në rininë studentore e më gjerë të fshatit të vet (Pozheranit), ku iu bashkuan edhe rinia fshatare, Ferizaji me rrethin e Kaçanikut e tërë Anamorava. Ai shpaloi flamurin kombëtar, në natën e 27 nëntorit në shtëpi të Berat Zenunit e pastaj e vendosi atë mbi derën e banesës së vet ku qëndroj për plot 1 muaj. “Filozofia politike dhe kombëtare e Halilit u manifestua me vrullin më të madh në demonstratat e përgjakshme të vitit 1968, për të drejtat themelore kombëtare, kundër sistemit robërues”[4].

Për shkak të pjesëmarrjes aktive në këto demonstrata, ai u dënua me disa muaj burg të rëndë në kazamatet serbe, nga pushteti monist serbosllav i asaj kohe. Veprimtarinë e tij patriotike, ai e vazhdoi edhe në shkrimet e veta, duke pasuruar aktivitetin politik e patriotik me anë të pendës. Shkrimet e veta ai kurrë nuk i ndërpreu, ato sa vinin e shtoheshin, varësisht nga frymëzimet dhe ngjarjet, si: “Rrëmihësit e varreve”, “Rrënjët e trollit tim”, “Filozofia e së vërtetës”, “Vjersha të kohës së nxënësve” e shumë punime të tjera nëpër gazeta e revista aktuale të kohës. Veprimtaria e tij më e plotë shkencore dhe poetike u ndërplotësua me botimin e tri vëllimeve të tij, që panë dritë më 2004, siç janë: “Paqa e Shën Stefanit dhe Kongresi i Berlinit”, “Dialogu me kohën” dhe “Pakoha” , që u botuan nën përkujdesjen dhe financimin e së bijës Lindita Alidema – Kokollari dhe dhëndrrit Hamzë Kokollari.

Veprimtaria politike, patriotike e shkencore e Halil Alidemës nuk pushoi as në burgjet e Prishtinës, Mitrovicës, Beogradit apo edhe te Pozharevcit, por përkundrazi shtoi dhe forcoi moralin kombëtar të tij.

Halil Alidemën e shohim të marrë pjesë aktive edhe në Lëvizjen Gjithëpopullore për Pajtimin e Gjaqeve, Plagëve dhe Ngatërresave, që filloi punën e vet me 2 shkurt 1990 me iniciativën e rinisë studentore e të një grupi intelektualësh të prirë nga plaku i urtë profesor Anton Çeta. Halili në fillim ishte pjesëmarrës në themelimin e LDK-së, e udhëhequr nga dr. Ibrahim Rugova. Mirëpo duke mos u pajtuar me politikën e tij paqësore, ai themeloi partinë e Unitetit Kombëtar – UNIKOMB-in, në krye të së cilës qëndroi më vite të tëra derisa ishte gjallë.


Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close