AKTUALITETLAJME

Tito në Gilan, 157 blirët në rrugën kryesore, rruga me kubëza…

Stilet e veshjes, farmerkat, bukuroshet e qytetit, trendet, muzika, filmat, shëtitjet deri para mesnate, etj…

Gjilani dikur – kthimi në kohë

Ah Gilan, ah zaman, kujtimet nga korzoja e qytetit të Gjilanit, nga dr. Shevcet Mehmeti, rrëfimi i dytë me shumë episode interesante. Një përshkrim i bukur i mbështetur në kujtesën shumë të fuqishme, që në mënyrë origjinale na sjell ato ngjarje në kohën tonë, duke na kthyer në kohë…

/ Pjesa e dytë/

Ecje nëpër kohë – gjurmë në kujtim

2.
Vitet 70 -73 ende isha nxënës i shkollës së mesme. Rruga kryesore ishte me kubëza që Ramush Mehmet (babai i doktorit), si kalldrëmxhi, i kishte punuar në vitet e 60-ta. Skaj lumit Dobrusha ishin plepat e gjatë, njëherit ishin në anën e djathtë përballë shkollës fillore “Vuk Karxhiq”. 

Rruga kryesore i kishte 157 blira. Dukej si një ale madhështore, që sillte aromë dhe sharm qytetit. Rruga me kubëza dukej klasike. Në korzo rinia ofronte energji, në orët e qeta emocionet e të rinjëve përplaseshin si dallgët e detit në shkëmbinjë. Jeta kishte ngjyra, jo vetem zi -bardhë, kishe niansa. Në korzo lëvizjet e pandërprera të rinisë gilanase lartë-poshtë mbytnin monotoninë, zgjonin dashurinë, tregonin jetën romantike dhe idilike të të rinjëve. Korzoja ishte vorbullë e dashurive, aty ecjet nëpër rrugët monotone harroheshin, duke shndërruar jetën si një panair, një gala shfaqje, një festë, ku luajnë emocionet dhe dashuria. Me 10 prill 1971 korzoja kishte 4 ditë pushim, pasi në qendër, aty ku ishte hotel “Europa”, ëmbëltorja e Qoses dhe Stacioni i Autobusit, filloi rrënimi i këtyre objekteve të vjetra. Hoteli “Krista” u ngrit pas këtyre objekteve. 

Titoja me 14 prill 1971 vizitoi Gilanin, u bë hapja e hotelit të ri. Këto 4 ditë rinia shikonte rrënimin e objekteve, nuk shetitej.Titoja mbajti fjalimin e vet, rrugët ishin përplotë, gjilpëra nuk kishte vend. Në anën tjetër të urës së Masketarit, punonte ëmbëltoja “Korzo” e Ismail Pajazitit. Rinia që shëtiste shkonte me pi bozë, disa gjuanin ndonjë tullumb në gotat e mëdha të bozës si specialitet të ri. Toti, me shoqërinë vet ishte e rregullt në korzo. Miki” daska”, poashtu. Filmat me Guliano Xhemën, Bad Spenserin, Laura Antoneli, ishin atraktiv.
Nuk kishte ndarje të meshkujve dhe femrave. Verës ajo erë e këndshme ishte ftesë për dalje në korzo, disa dilnin me pi ndonjë klaker, disa i mbushnin xhepat me fara, disa kishin sjellur farmerka nga Trieshta, të tipit “Levis”. 

Të rinjtë evidentonin (shënjestëronin) vajzat e reja që ishin të bukura që shëtiteshin në grupe, ku në mes të vajzave kishte ndonjë menaxhere e mësheftë që do t’i ofronte oferta për ndonjë mashkull. Të moshuarit, në anën tjetër të korzos, me ecje të ngadalshme, me rrobe të hekurosura me vi, ndonjë cigare në gojë, disa mbanin edhe ombrella në dorë, ndërsa në kokë dikush mbante sheshir, dikush mbante ombrellë në dorë. Ishte relaks në të dy anët e rrugës kryesore.

Draganqiqi kishte kitarë dhe këndonte këngë, duke u ulur në rrethoja të parkut, aty ku ishte gjyqi. Farka shpërndante tiketa sportive në kiosken e vendosur skaj korzos. 

“Unë u përgatita, pas diplomimit në shkollën e mesme, të shkoja në studime në Beograd. Kështu, deri në vitin 1978. Verës vizitoja korzon, fytyrat kishin ndryshuar, kishte ardhur një gjeneratë e re, kishin ardhur edhe disa shprehi të reja. Rinia me farmerka, me jakne xhins, floket e gjatë që imitonin këngëtarët e grupit “Zeppelin” ose “4 M”. Kohe pas kohe në korzo dilnim shokët nga shkolla e mesme, shëtitnim deri te berberhanja e Hasan berberit. Internati i vjetër ishte larguar, soliteri ishte ngritur, stacionin, që ishte te përmendorja, e kishin larguar. Dikush kishte dashtë të m’i mbysë kujtimet, por kot, une i kisha deponuar mirë në trurin tim”, është njëra nga shumë episode të jetës rinore që rrefen doktori.

Ah Gilan, ah zaman!

Me 1978, kur u ketheva në Gilan, Lata lustraxhiu nuk e kishte ndërruar vendin. Unë çdo ditë lustroja këpucët te ai, duke i rujatur për mbrëmje të dal me këpucë që do të akordoheshin me pastërtinë e qiellit. Nuk kemi lënë ditëe pa dal në korzo. Ishte program i domosdoshëm, ishte kod kulturor, korozoja. Kështu ishte edhe dimrit, por nuk qëndronim deri vonë sikur në muajt e verës. 

Në vitet e 80, vajzat filluan të bartin flokët e gjata. Vajzat e Varoshit, 7 Korrikut dhe Çarshi Mëhallës ishin me te avansuara në veshje. Pantollat që ishin të ngushta në gju humbën. Tek të rinjtë dëgjohej muzika e TNT, Gjurmëve, Zdravko Çoliqit, Kiqo Slabincit , Oliver Dragojeviqit, Yu grupes dhe kënga “Shoshana”.

Unë isha mjek i ri, të ardhurat mujore ishin shumë të larta, rinia shkonte në Çeki, Poloni, Greqi. Kur ktheheshin në korzo tregonin si kishin kaluar, njëherit tregonin si kishin imituar grofet në këto shtete. Filluan dashuriçkat të bëhen me publike. Ne edhe bënim prognozë se kush me kënd po kalon në bazë të shikimeve dhe buzëqeshjeve. Arifja këndonte në hotel, ishte bërë primadonë e qytetit. Dr. Goca ishte shumë e bukur, ishte atraksion me bukurinë, plus mjeke, kishte edhe vajza tona të bukura, por ato sjelljet e dashurisë i mbështillnin me celofan dhe dukeshin si të ishin në plan të dytë. 

Në korzo pas orës 11:00 të natës (23:00) mbetnin mohikanët e fundit, ata që kishin forcuar dashurinë edhe fëmijët që pritnin të zbrazet korzoja dhe të vidhnin trëndëfila dhe blirë për t’i dërguar në shtëpi. Kur mbaronte filmi, që fillonte në orën 20:00, korzoja mbushej me të rinjë, sikur që mbushej qyteti në orën 14:00, kur dilnin nga puna punëtorët e Kombinatit të Tekstilit.

Ah Gilan, ah zaman!

Deri tani i hapa vetëm dy fioka (dollapë) të kujtimeve për korzon e Gilanit, ku meshkujt u bënin xhentëlmen për t’i përcjellur femrat deri te shtëpia, për t’i mbrojtur nga shvalerët e qytetit. Xhentëlmenët ishin nga sokaku ku jetonte vajza, ishin nga bota ku ata kishin kultivuar kulturën e sokakut e respektit! Ishta kodi i kulturës së kohës, ku respekti printe mbi sjelljet tjera. Kështu ishte, sepse ishte, sepse ishte kohë tjetër… 

/Autor i rrëfimit: Dr. Shevqet Mehmeti/
/Redaktor për shtyp, editori i faqes: Nexhat Buzuku/Kohapress/

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close