AKTUALITETLAJME

Mulla Idriz Gjilani: I kemi tri fe, por kemi vetëm një atdhe të përbashkët. Një gjak vëllazëror, një gjuhë, një diell e një Zot

I kemi tri fe, por kemi vetëm një atdhe të përbashkët. Një gjak vëllazëror, një gjuhë, një diell e një Zot. Detyrë e kemi bashkimin dhe mbrojtjen e atdheut.”

Endrit Rahimi*

Komandant, kaçak, strateg i luftërave, njohës i politikës, motivues i ushtarëve të tij, hoxhë dhe prijës i fesë islame ishin cilësitë që i zotëronte Mulla Idrizi dhe ia dhanë epitetin “Shenjtor i kombit”. Si komandant i përgjithshëm i forcave vullnetare të nënprefekturës (komunës) së Gjilanit, i zgjedhur nga Lidhja e dytë e Prizrenit, ai luftoi përgjatë kufirit shqiptaro-serb, ku për vite me radhë i mbrojti kufijtë e Shqipërisë etnike nga pushtuesit jugosllavë. Ndër betejat kryesore të udhëhequra nga Mulla Idrizi janë “Lufta e Velegllavës”, më 28 qershor 1944, dhe “Lufta e Kikës”, më 26 korrik 1944. Kufijtë e Shqipërisë etnike u mbrojtën nga forcat vullnetare deri në fund të vitit 1944. Sipas Tahir Zajmit, pas rënies së Gjilanit, forcat jugosllave i masakruan 8000 qytetarë. Në histori, këto vrasje njihen si “Masakra e Gjilanit”. Më pas, krerët e çetave u detyruan të arratiseshin që të mos vriteshin apo të komprometoheshin në “partizan”. Kjo gjë i ndodhi edhe Mulla Idrizit, i cili për pesë vjet ishte i strehuar në Gjyrishec, deri në kapjen e tij.

Idriz Hajrullahu u lind më 4 qershor 1901 në fshatin Velekincë të Gjilanit. Prindërit e tij, Hajrullahu dhe Sala, kishin edhe tre fëmijë tjerë: Mehmetin, Bajramin dhe Gjikën. Ai si i ri i vijoi mësimet në mejtepin (shkollën fillore) e Cërrnicës. Aty  shkathtësitë e tij u vërejtën nga Mulla Halimi, i cili i rekomandoi ta vazhdonte Ruzhdiun (shkollën e mesme) në Gjilan. Në moshën 25-vjeçare e kreu medresenë dhe e mbajti provimin e pjekurisë për imam, duke u dekoruar me diplomë me titullin “Mulla”. 

Mulla Idrizi ishte veprimtar i dalluar i lëvizjes për përhapjen e dijes ndër shqiptarë. Pasi që ishte imam në shumë xhami, ishte edhe mësues në mejtepe, ku filloi t’i mësonte edhe vajzat. Ai e mori përsipër udhëheqjen e lëvizjes, duke dhënë mësim në gjuhën shqipe, i cili ishte akt i dënueshëm nga pushteti i atëhershëm jugosllav.

Ai u martua me Tahire Emërllahun nga fshati Muçibabë, e cila i vdiq me djalin e sapolindur. Më pas u martua edhe me Feride Puriqin nga fshati Cërrnicë, e edhe kjo grua do t’i vdiste pa lënë trashëgimtar. Për të tretën herë u martua me Hatixhe Bajramin nga Gjilani. Kjo ia solli një pjesë pasurie nga babai, ku për shkak të kësaj pasurie, xhaxhai i saj e plagosi Mulla Idrizin, por me ndërmjetësues marrëdhëniet u rregulluan. Hatixhja e trashëgoi Mulla Idrizin me tre fëmijë: Eminen, Musahun dhe Isahun. Kështu rrëfen Isahu, biri i tij.

Pas kapitullimit të Jugosllavisë (Versajës), Shqipëria gjendej nën Itali. Mulla Idrizi, Ilaz Haxhi Agushi dhe shumë krerë të tjerë luftonin që edhe Kosova Lindore të futej nën administrimin italian, t’i bashkohej Shqipërisë. Pasi që Italia shtirej si mike e Shqipërisë, kjo do të ishte rruga më e lehtë që të realizohej ëndrra shumëvjeçare e Shqipërisë Etnike. Mirëpo, Enver Hoxha kishte hequr dorë qëmoti nga Kosova. Nëpërmjet nënprefektit (kryetarit) të Gjilanit, Rifat Berishës, i vendosur nga Tirana komuniste në vitin 1942, e ndihmuan strehimin e disa serbëve. Në Gjilan dhe fshatrat përreth, me muaj të tërë u strehuan udhëheqësit e LNÇJ-së (Lufta Nacional Çlirimtare Jugosllave), të cilët pas fitores ishin gllabërues ndaj shqiptarëve: Svetozar V. Tempo, Vlada T. Popoviq, Pavle Juviqeviq etj. Kështu shkruhet në publikimin “Kontributi atdhetar dhe historik i Mulla Idriz Gjilanit”, të shkruar nga Minire Kurti.

Sipas librit të Muhamet Pirrakut, “Martirët e Shqipërisë Etnike nga Derë e Stark Markut të Mirditës në kujtesën historike” në Kuvendin themelues të Shtabit Suprem për Kosovë, që u mbajt më 1 dhjetor 1944 në Tërpezë të Vitisë, Mulla Idrizi i përfaqësoi komandantët e çetave të Kosovës Lindore, ku pas formimit të Shtabit Kombëtar për mbrojtjen e kufirit, Komiteti i Lidhjes së II-të të Prizrenit e emëroi komandant Mulla Idriz Gjilanin.

Nga fundi i qershorit të vitit 1944, në linjën kufitare të Kosovës Lindore, Zhujë -Velegllavë – Çukë e Zezë – Kopilak, populli doli në mënyrë masive, ku 3000-3500 ushtarë vullnetarë udhëhiqeshin nga Mulla Idrizi, shkruan Muahmet Pirraku në librin “Mulla Idriz Gjilani dhe Mbrojtja Kombëtare e Kosovës Lindore 1941-1951”. Sipas studimit të Minire Kurtit, sulmi i mbrojtjes kombëtare të nënprefekturës së Gjilanit ndaj divizioneve 22, 24, 46 dhe 47 të Jugosllavisë do të kurorëzohej me rezultate të mira. Lufta e Velegllavës u zhvillua më 28 qershor 1944 përreth viseve të fshatit Velegllavë. Pasi Mulla Idrizin fillimi i luftimeve e zuri në Kikë, aty ku filloi lufta. Në Velegllavë udhëhiqte Mulla Ramadan Ahmeti. Më pas, Mulla Idrizi, duke mos i zbritur kalit, me një grup ushtarësh shkoi në frontin e Velegllavës. Kjo ishte pikë strategjike dhe shumë me rëndësi, sepse nëse forcat jugosllave do ta thyenin këtë pikë, ata do  të depërtonin lehtë në fshatin Hogosht, e më pas në Gjilan. Mulla Idrizi, duke e ditur rëndësinë e saj, shkonte në pikat kufitare ku kishte nevojë më shumë, duke i ndihmuar ushtarët dhe duke ua ngritur moralin. Bashkëluftëtarët e tij thoshin se edhe “allxhi i tij luftonte”. Forcat sulmuese të okupatorit serb u thyen keq, por luftimet vazhduan edhe më 29 qershor, derisa armiku u tërhoq tërësisht. Sipas “Kujtime jetësore të Sylë Adem Kopernicës”, armikut në fushën e betejës i kishin mbetur 200 të vrarë dhe 131 të robëruar, kurse nga shqiptarët kishin mbetur 15 të vrarë dhe 20 të plagosur. Ndaj partizanëve serbë u mbajt qëndrim human. Të plagosurit u dërguan në spitalin e Prishtinës, ku pas shërimit u liruan. Kjo tregon për moralin dhe vlerat njerëzore të Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës.

Fitorja e 28 qershorit në Velegllavë e solli rekrutimin e shumë vullnetarëve në radhët e Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës. Rezistenca dhe përballimi i suksesshëm i MKK-së ndaj Komandës Supreme të Jugosllavisë i bëri serbo-sllavëve të kuptojnë se ripushtimi i Kosovës nuk do të ishte i lehtë. E, siç thoshte edhe Mulla Idrizi, “Ushtria komuniste e çetnike e Serbisë dhe e Titos në Kosovën shqiptare duhet të kalojë vetëm mbi trupat tanë, nëpër gjakun e bijve të Kosovës Kreshnike”.

Kurse më 26 korrik 1944, në orën dy pas mesnate, njësitë serbe e sulmuan kufirin në Kikë. Por lufta shumë shpejt u shtri përgjatë tërë viseve të kufirit Shahiq – Zhujë – Çukë e zezë – Liskoc – Poliçkë – Velegllavë – Laçiq. Fillimi i sulmit Mulla Idrizin e kishte zënë në pozicionet e Shahiqit, të shoqëruar nga Mulla Smajl Desivojca. Në shumë vise, e veçanërisht në Kikë, beteja u zhvillua në afërsi, gati bajonetë me bajonetë. Pas një ndeshjeje të përgjakshme, forcat shqiptare u tërhoqën për një çerek ore në brendësi të kufirit, shkruan Muhamet Pirraku. Sipas Minire Kurtit, me arritjen e Mulla Idrizit dhe një grupi vullnetarësh në frontin e Kikës, rrjedha e luftës ndryshoi. Forcat vullnetare u hodhën në kundërsulm, duke e detyruar armikun të tërhiqet. Pasi që forcat partizane-çetnike ishin më të shumta në numër dhe më mirë të armatosura, MKK-ja ishte e vetëdijshme, zuri prita dhe u organizuan mirë. Ata u ndihmuan edhe nga vullnetarët që jetonin në ato vise, e në ndihmë u erdhi edhe Komandanti i Regjimentit numër 4 të Ushtrisë Shqiptare, Kolonel Fuad O. Dibra. Gjatë luftimeve, MKK-ja e shkatërroi edhe spitalin komunist në Hogosht, e kështu forcat sllavo-serbe u detyruan të tërhiqeshin nga këto treva. Sipas Fahrush Rexhepit,  aty mbetën 143 të vrarë dhe 209 të plagosur, kurse asnjë shqiptar nuk ra në duart e armikut. Mulla Idrizi me kalin e tij shkonte aty ku kishte nevojë, e siç thoshte edhe bashkëluftëtari i tij, Mulla Ferat Daka: “Në flakën e luftës, dukej si engjëll që e bekonte fitoren aq të dëshiruar”.

Në mëngjesin e 23 dhjetorit të vitit 1944, forcat vullnetare në krye, me Mulla Idrizin, e sulmuan dhe e morën përkohësisht nën kontroll Gjilanin. Por edhe pse e udhëhoqi këtë sulm, Mulla Idrizi ishte kundër këtij sulmi, sepse sipas tij, serbët më pas do ta sulmonin popullsinë e do të bënin “zullum” mbi ta. Duke u thënë komandantëve të tjerë: “O burra, aman, ma dëgjoni fjalën, sepse përsëritja e gabimeve sjell përgjegjësi para historisë”. Përpos kësaj ai kishte thënë: “E njoh fuqinë time si komandant dhe fuqinë e armikut. Forcat si këto tonat mund të përballojnë vetëm në male, aty ku në çdo hap kemi mbrojtje natyrore. Nuk kemi gjasa për fitore në luftën frontale në fusha, sepse nuk kemi armë të rënda për luftë nga largësia. Nuk mund të fitojmë, sepse nuk kemi përvojë të luftës në qytete. Dëshmi për këtë është sulmi në Ferizaj. Gabimi nuk duhet të përsëritet! Të kthehemi në malësi dhe ta shpëtojmë atë që ka mundësi për t’u shpëtuar me forcat që kemi”. Edhe pse nuk iu dëgjua fjala, forcat vullnetare e sulmuan dhe e morën Gjilanin përkohësisht nën kontroll. Mirëpo, për shkak të forcave të mëdha të UNÇ-së që gjendeshin në qytet dhe përforcimeve që u erdhën nga Prishtina, Forcat Vullnetare, për ta kursyer popullin, u tërhoqën. Kështu, forcat komuniste-çetnike e futën në dorë Gjilanin, duke ushtruar edhe terror në popull. Ata ua shpallën fletarrestimin të gjithë komandantëve e krerëve të çetave, të cilët u detyruan të arratiseshin në malësi apo të jetonin si kaçakë, shkruan Minire Kurti në studimin e saj.

Mulla Idrizin u munduan ta thyejnë e t’i vendosin njollë të zezë, por besimi që populli e kishte ndaj tij nuk e lejoi një gjë të tillë. Muhamet Pirraku thotë se Fadil Hoxha, edhe pse ishte i strehuar dhe në besë te vëllai i tij, Mehmet Hajrullahu, u mundua ta bindte Mulla Idrizin nëpërmjet vëllait dhe babait. E pastaj, Mehmet Hajrullahu e largoi nga Velekinca Fadilin të veshur në tesha të grave. Por, Fadili në librin e tij “Kur pranvera vonohet” nuk do t’i shkruante këto. Ai sërish fajëson Mulla Idrizin, duke thënë “Gjilanin e dogji Mulla Idrizi”.

Edhe pas vrasjes së tij, serbët u munduan ta keqpërdornin, duke i përdorur shenjat e gishtërinjve, kinse Mulla Idrizi e ka nënshkruar një marrëveshje. Sidoqoftë, më vonë u vërtetua se shenjat e gishtërinjve ishin shtypur në letër pas vrasjes së tij.

Si Hamza Kastrioti e Esat Pashë Toptani, te shqiptarët ndër vite ka pasur tradhtarë. Në studimin “Kontributi atdhetar dhe historik i Mulla Idriz Gjilanit” shkruhet se Rexhë Januz Tugjeci, Veli Bali i Përlepnicës dhe Mulla Musli Makreshi ishin ata që e denoncuan Mulla Idrizin. E përderisa ai kishte qëndruar për 5 vjet në Malësinë e Kamenicës, familja e tij torturohej në shumë mënyra. Gruaja me fëmijë iu burgos. E pas lirimit, ajo u burgos sërish e vetmuar në Ferizaj, në burg të burrave. Familja e tij torturoheshin që Mulla Idrizi të dorëzohej. E pas denoncimit të tij, forcat jugosllave e rrethuan Gjyrishecin. Mulla Idrizi, për t’i ikur masakrës së familjes Sadiku, e cila e strehoi për 5 vjet, u detyrua të dorëzohej. E pas kapjes së tij, serbët bënin festë në Gjilan.

Nuk dihet saktësisht vdekja e tij, por sipas djalit të tij, Isë Mulla Idrizit, ai vdiq pas shumë torturave në burgun e Gjilanit. Pasi Mulla Idrizi nuk i tregonte shokët dhe të gjitha dokumentet i kishte djegur, serbët i fiknin cigaret përreth kërthizës së tij. E pastaj e lidhën në tavan me kokë poshtë, duke ia ndezur zjarrin tek koka, por ai përsëri nuk e tradhtoi askënd. Pasi më nuk mundën ta duronin krenarinë e Mulla Idrizit, e hodhën në turrën e druve dhe e djegën për së gjalli. Kapja dhe vrasja e Mulla Idrizit shënon fundin e etapës së luftës për bashkimin e Kosovës Lindore me Shqipërinë.

*Endrit Rahimi është student i Departamentit të Gazetarisë së Fakultetit të Filologjisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close