LAJME

Puna e bëri të pavdekshëm dr. Asllan Elezin

Pjesë e librit “Shkolla e Mesme e Mjekësisë “Dr. Asllan Elezi-Gjilan” 1994/95 – 2014/15 – (Makfire Kurteshi, Shefik Shkodra, Shaban Tërstena)/

Pas themelimit të shkollës së mjekësisë, sigurisht që duhej edhe emërtuar e njëjta. Kush do ta kishte këtë nder? Cili personalitet më mirë se ai i dr. Asllanit do t’i shkonte për shtati këtij institucioni edukativ-arsimor? Këshilli i shkollës, atë kohë, kishte propozuar tre emra dhe i kishte dërguar në MASHT, dhe me vendimin e Ministrisë së Arsimit të datës 22.04.1996, kjo shkollë u emërtua me emrin e mjekut të vyeshëm dhe të njohur të Anamoravës dr. Asllan Elezi.

Për gjeneratat e reja, po sjellim edhe një profil të shkurtër të këtij mjeku gjilanas. Dr. Asllan Elezi (1936 – 1980) Asllan Elezi lindi në fshatin Livoç i Ulët të Gjilanit. Shkollën fillore dhe të mesmen i mbaroi në Gjilan, ndërsa Fakultetin e Mjekësisë e përfundoi në Shkup më 1964. Pas mbarimit të studimeve, Asllani u punësua në Qendrën Shëndetësore në Gjilan.

Dashuria ndaj shkencës së mjekësisë dhe dëshira për t’i njohur shkaqet e sëmundjes së TBC – së, kësaj sëmundjeje shekullore, nuk e lanë të qetë mjekun e ri. Prandaj, ai iu rrek studimeve specialistike në Fakultetin e Mjekësisë në Beograd, drejtimi Pneumoftiziologji, ku edhe i përfundoi me sukses.

Sigurisht që ishte një rrugë e vështirë dhe e mundimshme arritja deri në cakun e dëshiruar. Dr. Asllani ishte i palodhshëm, person me virtyte të larta humane, i gatshëm që t’u dilte në ndihmë njerëzve në çdo rast e në çdo kohë.

Ata që e njohën dhe që patën rastin të shërohen nga duart e tij, flasin me entuziazëm të lartë për veprën e tij madhore. Ai bëri shumë edhe për parandalimin e sëmundjes së TBC – së, që aso kohe ishte mjaft e përhapur dhe njëkohësisht edhe vdekjeprurëse.

Vetëdijësoi popullatën për vaksinimin dhe shtimin e kontrollit të rregullt mjekësor. Në këtë mënyrë, ai duke e luftuar këtë sëmundje, arriti që ta zvogëlojë numrin e të sëmurëve nga kjo sëmundje. Një kontribut e dha edhe me botimin e artikujve të ndryshëm shkencor nëpër revista dhe seminare të kohës. Dr. Asllan Elezi, në shtator të vitit 1971, ishte ndër iniciatorët e parë për hapjen e paraleleve të mjekësisë në kuadër të shkollës së gjimnazit, ku edhe punoi si mësimdhënës i lëndëve mjekësore.

Puna e tij e palodhshme, sukseset e larta në fushën e mjekësisë, vullneti i madh për t’u dalë në ndihmë të sëmurëve, shpirti i tij human që ishte gjithnjë në shërbim të popullit, bënë, që sot, shkolla e mjekësisë ta gdhend me shkronja të arta emrin e tij dhe ta mbajë me krenari.

Dr. Asllan Elezi vdiq më 1980. Vepra e tij mbetet udhërrëfim për gjeneratat e reja, një model se si të arrihet ajo që dëshirohet. Ai ishte një luftëtar i denjë i sëmundjes, një njeri me shumë vlerë, me shpresë për ditë më të mira. Ai ishte një hero i humanitetit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close